Në kërkim të ‘spiunit’: Dosja e madhe nis me dekonspirim

SHÇBA dhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda takohen për të diskutuar për dështimin e aksionit për arrestimin e ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kahila. Kush e dinte për urdhër-arrestet dhe dyshimi se u lajmëruan pak kohë para nisjes së aksionit. Polici-Prokurori në kërkim të “spiunit”. Reagon opozita: Rama fsheh të kërkuarit.

Arratisja e tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës pak kohë pasi ndaj tyre u lëshua urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka sjellë debatin e madh se kush e dekonspiroi operacionin për arrestimin e tyre.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Sokol Bode dhe Gjergj Kahila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, nuk u gjetën në banesat e tyre, me sa duket të njoftuar më parë se për ta kishte një urdhër ndalimi.

Që të tre akuzohen për kultivim të bimëve narkotike dhe trafikim të narkotikëve të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Ata nuk do të jenë të vetmit që pritet të arrestohen, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda thuajse ka edhe tetë urdhër-arreste të tjera për drejtues dhe ish-drejtues të lartë të policisë të dyshuar po për të njëjtat akuza.

Ndërsa është hapur e gjithë dosja e madhe e kultivimit masiv të bimëve narkotike në vitin 2016, policia dështoi në arrestimin e tre të parëve.

Kjo situatë solli mbledhje të shumta ditën e djeshme mes zyrtarëve të lartë të SHÇBA-së në polici dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda. Një grup i vogël personash ishin në dijeni për tre urdhër-arrestet ndaj Çelës, Bodes dhe Kahilës.

Dyshohet se dikush mes tyre ka vënë në dijeni ish-zyrtarët e lartë të dyshuar si të përfshirë në rrjetin kriminal të narkotrafikut, të drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Kush dekonspiroi?

Prokuroria e Krimeve të Rënda në orën 10.30 minuta të ditës së mërkurë dorëzoi tre urdhër-arrestet pranë zyrës së SHÇBA-së.

Operacioni nisi, por u duk se diçka nuk shkonte që në momentet e para kur askush nuk u gjet në banesën e tyre.

Rastësi që mos gjendej në banesë mund të ishte për një person, por kur të tre ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Vlorës ishin arratisur atëherë lindën dyshimet se një nga personat që kishte dijeni për urdhër-arrestet mund t’i kishte lajmëruar që të largoheshin.

Ministria e Brendshme doli dje me një komunikim zyrtar për shtyp ku reagon me “kronologji”, duke konfirmuar emrat e tre personave që ishte lëshuar urdhër-arresti dhe më pas edhe për hetimet që po kryhen për ndonjë dekonspirim të mundshëm.

“Sapo është vënë në dijeni për vendimet, SHÇBA-ja ka organizuar punën dhe ndarë detyrat për zbatimin e tyre konform Kodit të Procedurës Penale. Të gjitha veprimet procedurale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave proceduralë sipas radhës së veprimeve në interes të hetimit. Me gjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim Çelën, Boden dhe Kahilën që prej datës 22.11.2017 dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre.

Mosekzekutimi i urdhër-arresteve është konsideruar si skandal më vete dhe mësohet se ministri i Brendshëm u ka kërkuar llogari drejtuesve të SHÇBA-së për këtë dështim. Për të “gjetur” shkaktarin e largimit të tre të dyshuarve, SHÇBA dhe prokurorët e çështjes kanë mbajtur një takim për më shumë se një orë paraditen e djeshme.

Mësohet se ka patur debate dhe diskutime të gjata për mënyrën e dekonspirimit dhe nuk përjashtohet mundësia që Prokuroria e Krimeve të Rënda të hapë një tjetër hetim të ri, pikërisht për të gjetur personat që dekonspiruan operacionin.

“Në datë 23 Nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA-së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet procedurale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Të dyja palët tashmë janë në mosbesim ndaj njëra-tjetrës pasi është e qartë se dikush dekonspiroi operacionin, duke bërë që të dyshuarit për lidhje të forta me Habilajt të jenë në arrati, duke i shpëtuar drejtësisë.

Qëndrimet politike

Të mërkurën në darkë lajmi dhe debati kryesor mbetej lëshimi i tre urdhër-arresteve për ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës, ndërsa dje kryefjala qe dekonspirimi i mundshëm i operacionit dhe dështimi total i policisë për arrestimin e tyre.

Për këtë çështje reagoi Kryetari i PD-së Lulzim Basha.

“Është e qartë për të gjithë botën se, me bekimin e Edi Ramës, Policia e Shtetit ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar: nga koka e saj Saimir Tahiri te drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e antidrogës e të terrenit”, -tha Basha.

Lideri i opozitës nuk është ndaluar në ndonjë dekonspirim të mundshëm, por sipas tij fakti se ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe dy vartësit e tij, Sokol Bode dhe Gjergj Kahila nuk janë ndaluar ende, tregon shumë.

Jashtë këtij debati nuk mbeti as LSI, që nëpërmjet kryetares së saj Monika Kryemadhi mbajti një konferencë shtypi, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se po mbron tre ish-drejtuesit e lartë të policisë së Vlorës.

“Askush më mirë se Rama nuk e di se ku fshihen të kërkuarit e drejtësisë. Rama me bashkëpunëtorin e tij Saimir Tahiri janë në dijeni të lëvizjeve dhe në dispozicion të fshehjes së tyre se kane frikë nëse ndonjë nga ata flet që do nxjerrë në krye të çorbës emrin e Edi Ramës”, deklaroi Kryemadhi.

Nga radhët e PS-së për këtë ngjarje nuk ka pasur reagime dhe i vetmi që mbajti qëndrim është deputeti Pjerin Ndreu. Ndoshta duke u nisur edhe nga detyrat e larta policore që ka mbajtur, ai u ka bërë thirrje ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës që të vetëdorëzohen.

“Shmangia nga ekzekutimi i arresteve është e papranueshme për një ish-zyrtar të rangut të lartë. Të paraqiten para drejtësisë e të japin dëshmi për akuzat, përndryshe pozita e tyre komprometohet dhe lë hije dyshimi të forta për implikimin e tyre në rrjet kriminal”, -tha Ndreu.

Ndërsa tre të dyshuarit e parë, ish-krerë policie, janë shpallur në kërkim drejt përballjes me ligjin, pritet që të jenë edhe tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit që kanë shërbyer në zonat problematike, si: Shkodra, Durrësi, Berati, Gjirokastra dhe Lezha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Teknologjia e tekstit, lexuesi shqiptar: Me zë apo i heshtur?!

Mapo letrare nxitur nga fushata kombëtare e leximit, bashkon në një forum...
Read More