Në këtë kontekst, a mund të shpresojmë për hapjen e negociatave?

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarja më domethënëse për politikën shqiptare në tërësi, është vendimi i Qershorit për hapjen e negociatave. Në varësi të vendimit negativ apo pozitiv, politika shqiptare pritet të marrë zhvillime të rëndësishme.

Dhe ky vendim do të ketë ndikimin e tij jo vetëm në politikën e jashtme të Shqipërisë, por sidomos në politikën e brendshme. Jo më kot javët e fundit ka një rritje të konfliktualitetit politik, pasi dihet që me procesin e integrimit, luhet shpesh dështimi apo suksesi i një pale politike.

Fatkeqësisht, palët politike shqiptare asnjëherë nuk arritën të dalin mbi interesat e mirëfilltë politikë në favor të atyre kombëtarë. Me sa duket, kjo klimë do të përndjekë vendin edhe për shumë kohë. Konteksti i politikës shqiptare të momentit nuk favorizon aspak marrjen e negociatave në Qershor, por përkundrazi, shkon në drejtimin e kundërt.

Çështja e fundit e Fatmir Xhafaj, me siguri, e ka nxjerrë Shqipërinë në një sy jo fort të mirë përpara ndërkombëtarëve. Pas asaj të Tahirit, Shqipëria gjenden në një moment ku dy ministrat e brendshëm janë në furtunën e opinionit publik. Edhe pse të dy rastet janë të ndarë, pasi për Xhafajn diskutohet vetëm moralisht, ndërsa Tahiri është në akuzë ligjore, fakti mbetet.

Dhe, është ulëritës për momentin specifik ku ndodhet Shqipëria, përpara hapjes së negociatave. Në këtë kuptim, në duhet të japim mesazhin tek europianët të një vendi i cili e ka marrë seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar dhe hetimi të korrupsionit politik. Ndërkohë që, skandalet e njëpasnjëshme po japin mesazhin totalisht të kundërt.

Një nga kushtet thelbësore të hapjes së negociatave, është zbatimi i Reformës në Drejtësi, të cilin raportet ndërkombëtare nuk lënë pa e përmendur në asnjë raport të tyre. Me zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk duhet kuptuar vetëm zbatimi i saj në germë, por edhe si mesazh, si frymë që duhet të japim në sytë e Bashkimit Europian. Pikërisht këtë mesazh nuk po arrijmë dot të përcjellim jashtë Shqipërisë.

E megjithatë, hapja e negociatave nuk varet vetëm nga konteksti i brendshëm, por ka dhe një realitet të jashtëm. Është realiteti i frymës së euroskepticizmit gjithmonë e në rritje në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Për këtë arsye politika shqiptare, nuk duhet të krijojë asnjë alibi për Bashkimin Europian. Mirëpo, e kundërta po ndodh. Vetë ne jemi duke bërë të pamundurën për të ndaluar këtë proces dhe për të marrë vendim negativ në Qershor.

Dy takimet e Kryeministrit Rama në këtë drejtim, ai me Presidentin francez, dhe në Samitin e Sofjes e tregojnë këtë.

Në të dyja takimet nga ajo që u perceptua, ishte skepticizmi për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Macron u shpreh se “Duhet rigorozitet për zgjerimin me vendet e Ballkanit”, edhe pse e la të hapur perspektivën e tyre për t’u anëtarësuar. Franca gjithmonë ka qenë për një Bashkim Europian me kompetenca më të mëdha, por jo shumë të zgjeruar. Por, pavendosmëria e Francës dhe e vendeve të tjera, është më shumë për “meritë” të politikës shqiptare. Prandaj, për të gjitha këto arsye, për kontekstin e brendshëm dhe të jashtëm, marrja e negociatave, nëse ndodh do të jetë një lajm shumë i rëndësishëm dhe dashamirës për Shqipërinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kriza nga e cila vuan media nuk është vetëm për shkak të politikës

Nga Fitim Zekthi Media në Shqipëri është në një gjendje të shëmtuar,...
Read More