Në këto kushte arrestimi i Tahirit është kundër drejtësisë, hetimi i tij pro saj

Nga Ervis Iljazaj

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Tahiri me kërkesë të prokurorisë, është shtyrë për faktin se pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për mbrojtjen.

Akuza e përgatitur nga ana e prokurorisë për këtë kërkesë, të paktën nga indiciet e paraqitura publikisht “fuste ujë” gjithandej. Duket qartë që një kërkesë e tillë erdhi si pasojë e përgatitjes së dosjes në mënyrë të nxituar nga presioni publik dhe politik. Sepse është e qartë që ndjeshmëria e opinionit publik është shumë e lartë në raste të tilla, aq më tepër në një shoqëri si kjo e jona që është e “etur” për drejtësi dhe pret me padurim dënimin e politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar.

Por, kërkesa për arrestimin e Tahirit, në këto kushte dëmton dhënien e drejtësisë, dhe dënimin e personave përgjegjës për kanabizimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike që e ka vënë Shqipërinë në listën e zezë të ambasadave ndërkombëtare. Sepse akuza është ndërtuar në nxitim e sipër, pa indicie të besueshme për këtë rast. Nuk mund të ndodhte ndryshe në një situatë kur, për katër vite me radhë, drejtësia shqiptare nuk ka asnjë hetim për këtë çështje. Jo vetëm kaq, por dhe hetimet e zhvilluara janë mbyllur nga a-ja.

Si të thuash, prokurorisë shqiptare i “ngeli” në dorë kjo dosje nga publikimet e hetimeve të organeve italiane që kishin katër vite me radhë që hetonin Habilajt. Duke u ndjerë ngushtë dhe si pasojë e presionit publik, prokuroria kërkoi arrestimin e deputetit Tahiri, jo si pasojë e hetimeve ndaj personit të tij.

Prandaj, ka shumë mundësi që edhe në këtë histori, si shumë histori të ngjashme në vendin tonë, do të mbetemi pa fajtorë dhe pa të dënuar. Sepse është e qartë, që me këto indicie publike që kemi parë deri më tani, me shumë vështirësi ndonjë gjykatë do të pranojë arrestimin e Tahirit.

Po të marrim shembullin e organeve italiane e kuptojmë fare mirë ndryshimin midis tyre dhe organeve të drejtësisë shqiptare. Grupi Habilaj, kishte katër vite me radhe që hetohej, dhe pasi prokuroria mblodhi të gjitha faktet dhe provat kërkoi arrestimin e tyre.

Sepse, e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, nuk është fakti nëse arrestohet Tahiri apo jo, por nëse përgjegjësit e kanabizimit dhe trafikimit të tij vihen para drejtësisë dhe dënohen, qofshin ata drejtorë policie, ministra apo kryeministra.

Saimir Tahiri, mbase dhe arrestohet, por me shumë gjasa dhe me këtë punë të prokurorisë sonë që nuk është e mjaftueshme për një rast kaq të rëndë, shumë shpejt do të dalë i pafajshëm. Në këtë mënyrë kjo histori do të vazhdojë të konsumohet politikisht dhe aspak juridikisht.

Për shqiptarët nuk është e rëndësishme nëse ikën Tahiri dhe Rama nga qeveria dhe vjen një palë tjetër, për shqiptarët e rëndësishme është të dënohen përgjegjësit e kësaj historie si shenjë që ky vend mund të ndryshojë.

Për të gjitha këto arsye, drejtësisë shqiptare, do t’i nevojitej, jo arrestimi i Tahirit në nxitim e sipër, por hetimi i tij dhe kujtdo tjetër që është përfshirë në këtë histori, larg çdo ndikimi politik. Vetëm në këtë mënyrë do të kishim përgjegjësit përpara drejtësisë. Në të kundërt, e gjithë kjo histori do të përfundojë në një lojë politike dhe mediatike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Liberalizimi si fenomen në sistemin universitar në Shqipëri

Studimi i realizuar, bazuar në anketimet e kryera, synon t’u japë përgjigje,...
Read More