Në këto kushte bashkëqeverisja PD-PS është kundër interesit publik

Nga Ervis Iljazaj

Vazhdojnë ende spekulimet mbi bashkëqeverisjen e koalicionit të madh midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ka edhe nga ato media që ditët e fundit këtë gjë e kanë bërë fakt të kryer. Përtej debatit nëse këta zëra janë thjesht spekulime apo vërtet ekziston një mundësi e tillë, bashkëqeverisja në këto kushte do të ishte jo vetëm kundër vullnetit popullor, i cili zgjodhi qartë krahun politik për të qeverisur në këto katër vite, por mbi të gjitha, do të ishte e rrezikshme për faktin se vendi do të ngelej pa një opozitë të fortë që ka shërbyer gjithmonë si instrumenti më efikas i kontrollit ndaj pushtetit.

Në letër duket një gjë e duhur: kundërshtarët tradicionalë bëjnë aleancë për interesin kombëtar, për të formuar një qeveri të qëndrueshme që mundëson realizmin e reformave të vështira por të domosdoshme. Por, ideja e një bashkëqeverisjeje do të rezultonte një katastrofë politike, jo vetëm për këto dy parti, por edhe për sistemin politik në përgjithësi, siç e kanë demonstruar dhe shumë raste të tilla në vendet ku është aplikuar një model i tillë.

Për disa arsye thelbësore një ide e tillë duhet refuzuar me çdo kusht, pasi është kundër interesit publik dhe logjikës politike.

Pikë së pari, kudo që është formuar një qeverisje me marrëveshje të gjerë, ka ndodhur për faktin se, asnjë nga forcat kryesore politike nuk ka arritur të marrë një mazhorancë absolute që lejon formimin e qeverisë. Për të mos bërë koalicione me forcat radikale apo ekstremiste, partitë politike të moderuara kanë parë të arsyeshme koalicionin e gjerë. Në rastin e Shqipërisë nuk ka një situatë të tillë politike, shqiptarët zgjodhën qartazi ngjyrën politike të cilën do e përfaqësojë në qeverisjen e vendit në këto katër vite. Bashkëqeverisja në këtë rast do të cenonte rregullin më bazik të demokracisë, atë të vullnetit të sovranit.

Pikë së dyti, me një bashkëqeverisje të mundshme midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste jo vetëm që do të ishte e rrezikshme për vetë fatin e këtyre dy forcave politike, për arsye se do të rrezikonin mbështetjen popullore, por do të nxiste formimin e organizmave politike ekstremiste të llojeve të ndryshe. Edhe pse Shqipëria është një vend i moderuar nga kjo pikëpamje, përsëri ekzistojnë rryma politike radikale dhe ekstremiste me natyrë fetare nacionaliste apo ideologjike, të cilat do të gjallëroheshin si pasojë e mungesës të përfaqësimit antiqeveritare. Mjafton të përmendim rastin e Gjermanisë dhe Austrisë apo dhe vende të tjera në Europë, ku ekziston një koalicion i madh qeverisës për të kuptuar se kjo marrëveshje ka tkurrur ndjeshëm dy forcat kryesore qeverisëse dhe ka rritur mbështetjen e forcave politike radikale dhe ekstremiste.

Pikë së treti, nëse do të kishim një bashkëqeverisje, vendi do të ngelej pa opozitë. Me gjithë problematikat që kanë patur opozitat shqiptare, ato kanë qenë instrumenti kryesor i kontrollit ndaj pushteti me anë të denoncimeve apo frymës opozitare që kanë përcjellë. Në këtë mënyrë vendi do të ngelej pa dialektikë politike, kaq e rëndësishme për të formuar alternativat politike. Lëvizja Socialiste për Integrim që do të ngeli e vetmja forcë opozitare është mjaft e dobët për të bërë opozitë kundër një qeverie me mbështetje të gjerë politike.

Marrëveshja politike midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është e domosdoshme sa herë që nevojiten votat për reforma esenciale, si për shembull ajo zgjedhore apo reforma të ndryshme kushtetuese. Kjo lloj marrëveshjeje duhet mbështetur për të krijuar një klimë politike bashkëpunuese sa herë që nevojitet për rregullat e lojës, por bashkëqeverisja është një marrëveshje totalisht kundër interesit publik dhe atij demokratik të vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zbulohet Kokona: Vargjet e ’39 – dashuri, eros dhe vuajtje

Vargjet e panjohura të dashurisë e luftës të Vedat Kokonës, shkruar në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.