Në Legjionin e Nderit: Franca nderon “komandant” Kadarenë

kadareeeDje, në një ceremoni me një rreth të ngushtë të ftuarish, ku pjesëmarrës ka qenë edhe kryeministri Rama, shkrimtarit Ismail Kadare i është dorëzuar titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”

 

Ismail Kadaresë i është dorëzuar dekorimi më i lartë që Franca mund t’i japë, “Komandant i Legjionit të Nderit”. Titulli i është dorëzuar nga presidenti francez, Francois Hollande, pasditen e së hënës, në pallatin presidencial “Elize”. Ceremonia është mbajtur dje në mbrëmje, me një rreth shumë të ngushtë të ftuarish dhe pjesëmarrës në të ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.

Hollande e ka quajtur Kadarenë autorin e mrekullueshëm të historisë së Ballkanit dhe avokatin e pasionuar të kulturës së Evropës.

Vlerësimi i artit të Kadaresë në atdheun e tij të dytë, ku zhvillon karrierën letrare që prej vitit 1990, është njëkohësisht vlerësim për kulturën dhe gjuhën shqipe.

Titulli është shpallur që me fillimin e këtij viti, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Sa i përket fushës së letrave, të njëjtin titull me të ka marrë edhe shkrimtari francez Michel Tornier. Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti, në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme. Kalorës, oficer, komandant, oficer i madh dhe Kryq i Madh. Medalja në rastet e civilëve jepet kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencës, politikës, gazetarisë etj. I konsideruar si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, Ismail Kadare, i përkthyer në 50 gjuhë të botës, është nominuar disa herë me çmimin “Nobel” për letërsi. Për shkrimtarin shqiptar, Franca ka qenë vendi i dytë i jetës, prej së cilës ka marrë edhe njohjen ndërkombëtare. Kjo kulturë e ka mbajtur lidhur Kadarenë qysh në fillimet e krijimtarisë së tij dhe i ka shërbyer të lidhej me botën, në kohën kur diktatura kishte izoluar çdo gjë nga kultura perëndimore. Në Paris, që konsiderohet si “shtëpia e tij” e dytë, Kadare ka krijuar stereotipin e procesit të tij krijues, kujtime e memorie hedhur së fundi edhe në kujtime, në librin “Mëngjese në kafe Rostand”, për të kuptuar një lidhje organike me Francën, përpos kulturës dhe vlerësimit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Nanon e mbyllën në SHBA, e ‘torturuan’ me raki”

Profesor Servet Pëllumbi ka botuar ditarin e tij politik në formën e...
Read More