Në pritje të firmës

Për më shumë se një orë, përmes një konference të posaçme për shtyp lidhur me marrëveshjen e përcaktimit të hapësirës detare me Greqinë, Presidenti i Republikës,

Ilir Meta bëri të ditur se nuk mund të firmosë mbi një letër të bardhë dhe njëkohësisht me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen. Meta bëri publike letrën përgjigje që i ka kthyer ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili kërkon autorizim për plotfuqishmëri. Meta sqaroi gjatë konferencës për shtyp se ai kërkon jo vetëm qartësi por edhe informacion shtesë nga Bushati për çështjen në fjalë, një e drejtë që sipas tij rrjedh nga vendimi i gjykatës Kushtetuese i vitit 2010. Më konkretisht, Meta u shpreh se kërkesa e ministrisë së Jashtme nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.

Sipas tij, vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij. Presidenti vëren gjithashtu se është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh. Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, sipas Metës, në momentin kur kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e ligjit 2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Përpos kërkesës për qartësim të objektit të kërkesës për negocim, Presidenti Ilir Meta kërkon edhe emrat e grupit negociator.

Meta tha se institucioni i presidentit nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë. Jo vetëm kaq, por Presidenti njoftoi se i ka bërë të qartë ministrit Bushati se për këtë çështje kaq të rëndësishme të ecurisë të marrëdhënieve me Greqinë, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar për pasojë çdo lloj spekulimi, keqkuptimi apo përgjegjësie e pamerituar të cilitdo.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes një njoftimi për shtyp. Në përgjigje të interesimit të mediave, zëdhënësja e ministrisë Edlira Prendi, njoftoi se: “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve. Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces”.

Në fund të deklaratës dhe jo pa qëllim, thuhet se, “procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston”.

Jozyrtarisht burimet i thanë Top Channel se diplomacia shqiptare i ka gati emrat, që do t’i jepen Presidentit Meta, e shumta të enjten.

Ajo që Top Channel ka mësuar në Athinë dhe Tiranë është se pala greke do të paraqitet në negociatat teknike me vetëm 4 negociatorë, sepse numri i institucioneve të përfshira nga pala greke është vetëm 3.

Kurse në rastin e Shqipërisë, numri i negociatorëve do të varet nga institucionet e përfshira. Deri tani janë 10 institucione, si Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes, Instituti i Gjeografisë e të tjerë. Por, Presidenti i Republikës ka kërkuar përfshirjen edhe të tre institucioneve të tjera dhe Ministria e Jashtme ka ndërmend ta pranojë edhe këtë kërkesë, ndaj numri i negociatorëve shqiptarë do të jetë të paktën 13, përkundër vetëm 4 për palën greke.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letërkëmbimi i Skënderbeut me Sulltanët

Krahasim i shkurtër midis dorëshkrimit të gjetur nga Mark Palnikaj në Bibliotekën...
Read More