Në pritje të lajmeve politike nga drejtësia

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarjet e fundit, duket sikur i kanë dhënë një tronditje politikës shqiptare, me protestat e opozitës apo të qytetarëve. Megjithatë, asnjë efekt të rëndësishëm nuk pritet të shënojnë në aspektin e dinamikës politike dhe zhvillimeve të saj, për faktin se, në këtë drejtim duket çdo gjë e bllokuar. Me sa duket, politika shqiptare nuk mund të prodhojë më asgjë. E vetmja që mund të prodhojë ngjarje në politikën shqiptare, është drejtësia.

Kjo për një arsye thelbësore, Reformës në Drejtësi. Një Reformë rreth së cilës, u vërtitën të gjitha strategjitë politike, pasi, padyshim do të ndryshojë të gjithë sistemin juridiko-politik që është instaluar përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Me një imponim qartësisht amerikan, Reforma në Drejtësi është gati në fundin e saj, dhe palët politike duket sikur janë në pritje të efekteve të saj, që në disa aspekte kanë filluar që tani.

Prandaj, e gjitha dialektika politike është e bllokuar, pa të cilën të gjitha spuntot ekonomike dhe sociale paralizohen dhe mbeten në vend.

Padyshim, të gjitha palët politike për të ruajtur marrëdhëniet me organet gjyqësore, bënë ç’të ishte e mundur për të stopuar një reformë, e cila po merr nga dora e tyre drejtësinë. Tensioni politik që ndihet në ditët e javët e fundit, është pikërisht për këtë arsye, sepse politika shqiptare e ka kuptuar tashmë, që organet e drejtësisë po i rrëshqasin nga duart.

Mirëpo një situatë e tillë, ka bllokuar çdo politikë qeverisëse, çdo iniciativë politike domethënëse, çdo nxitje ekonomike, në pritje se çfarë do të sjellë reforma në drejtësi në kampin politik.

Në këtë kuptim, ajo që ka munguar këtë vit është pikërisht dialektika normale politike, pa të cilën një demokraci kthehet në gjendje të ngrirë.

Duket sikur asgjë nuk lëviz në planin e qeverisjes, por edhe në kampin opozitar që janë duke përgatitur protesta pa një kauzë të vërtetë politike.

Palët politike, duhet të dalin nga gjumi letargjik ku i ka futur Reforma në Drejtësi, dhe duhet të rifillojnë dialektikën politike. Ka vetëm një mënyrë për të ringjallur shpresë për të ardhmen në një shoqëri, është gara politike që ofron në një demokraci normale. Mirëpo kjo garë, ka mbetur peng e një drejtësie të re që pritet të vijë, e cila ka strukur të gjithë klasën politike shqiptare në zyrat e tyre me sytë nga pasojat e një sistemi që me siguri po ndryshon rrënjësisht.

Është pikërisht kjo paralizë politike, që po pengon çdo dinamike demokratike, që është kusht thelbësor për zhvillimin e një vendi.

Për këto arsye, instalimi i një drejtësie të pavarur totalisht nga politika, është duke krijuar një efekt kolateral, atë të mangësisë së komunikimit politik. Komunikimi politik zhvillohet vetëm duke identifikuar aktorët e tij, të cilët edhe pse duken po të njëjtit janë në gjendje paaftësie për të ndryshuar momentin në të cilin ndodhemi.

Nëse viti 2018 në aspektin politik do të vazhdojë të jetë i njëjti si ai që lamë pas, atëherë efektet në shoqëri dhe ekonomi do të jenë shkatërruese, sepse e gjithë politika ka lënë çdo iniciativë për të nxitur atë, dhe është duke vështruar me një ankth që po e përcjell edhe tek opinioni publik, të gjitha frikërat e saj ndaj drejtësisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Havzi Nela, Pelegrini i Lirisë

Nga Ndue Dedaj Është data 10 gusht 2018. Drejt Kukësit kanë shtegtuar...
Read More