Në pritje të takimit Rama-Basha



Rama Basha MetaPas përfundimit pa sukses të diskutimeve të paketës së ndryshimeve kushtetuese në komisionin e reformës, palët po lëvizin drejt dialogut politik. Kryeministri: Ftoj Bashën për reformën, por drafti nuk preket. Kreu i PD: Jemi gati të angazhohemi, formatin ta ofrojë PS.  Meta: Politika të bashkohet për drejtësinë, duhet të reflektojmë

Debati për Reformën në Drejtësi është zhvendosur në një tjetër nivel. Situatën e kanë marrë në dorë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Ky i fundit, në një intervistë për “Ora News”, tha se mbi modelin e ofruar nga opozita, në rastin e vendimmarrjes, duhet të ketë një dialog politik.

“…Komisioni ka funksionuar si teatër kukullash, nuk ka funksionuar si një komision i vërtetë, ku rrihen mendimet dhe ku ka një teknikë negocimi për hir të parimeve…Bashkëkryetarët e komisionit apo çfarëdo formati tjetër, që të ndihen komodë kundërshtarët tanë politikë, ne jemi gati të angazhohemi…”, -tha mbrëmë Basha.

Ndërkohë, në një tjetër televizion, TCH, ka folur edhe kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit është shprehur i gatshëm për t’u takuar, edhe pse sqaroi se drafti nuk mund të preket.

Basha

Pas më shumë se dy javë diskutimesh dhe dy mbledhjesh grupi për të njëjtën çështje, Partia Demokratike e ka të qartë qëndrimin e saj se Reforma në Drejtësi nuk mund të kalojë në formën që është.

“Sot (dje), për më shumë se dy orë, grupi parlamentar diskutoi në mënyrë shumë të hapur dhe konstruktive mbi draftin e propozimeve kushtetuese të hartuar nga ekspertët tanë sa iu përket dy komponentëve, arkitekturës dhe vendimmarrjes. Do ta bëj të qartë për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, se ka edhe nga ata që e kanë kuptuar, por bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar: te vendimmarrja ne qëndrojmë fort mbi propozimin e bërë nga faktori ndërkombëtar për vende të rezervuara. I kemi thënë ‘po’ dhe për ne këtu çështja konsiderohet e zgjidhur. Sigurisht duhet dhe pala tjetër të shprehë vullnetin, për të cilin kemi marrë garanci nga faktori ndërkombëtar…”, -tha Basha, pas mbledhjes së grupit.

Qëndrimin e PD-së, Basha e mbështet te Komisioni i Venecias.

“Për arkitekturën, ‘Venecia’ e thotë qartë, drafti e përsërit në pjesën të kuqe mbi të bardhë se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e legjislatorit. Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë një formulë, e në veçanti nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule, e cila nuk garanton moskapjen politike. Thënë më shkoqur, Partia Demokratike nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë institucione të drejtësisë që lënë shtegun e hapur për një drejtësi alla Shullaz dhe alla Kokëdhima. Me fjalë të tjera, ku Kryeministri aktual apo cilido kryeministër në të nesërmen të fusë duart e të bëjë çorbën sipas qejfit të tij. Këtë, Partia Demokratike nuk e pranon dhe kjo nuk duhet t’i vijë askujt si çudi, sepse ne këtë e kemi thënë prej ditës tonë të parë”, -tha ai.

Ai saktësoi se prej ditës së parë, PD-ja i ka thënë po reformës, por “jo kapjes politike”.

“… Aspektin anti-korrupsion, atë që iu nxin jetën qytetarëve, korrupsionin në nivele të larta qeveritare, korrupsioni në drejtësi. Kemi që në mars që themi ejani të votojmë amendamentet, sigurisht bashkë me aktet ligjore dhe t’i hapim rrugë. Nuk duan t’i votojnë, duan t’i votojnë të gjitha bashkë. Dakord! Por kurrsesi nuk mund të përdoret kjo për t’i bërë presion opozitës me hipokrizira të tilla, si: ka kohë e s’ka kohë. Parimi është më i rëndësishmi dhe parimi është drejtësi e pakapur. Drejtësi alla Shullaz, alla Prenga, drejtësi alla Kokëdhima, ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë…”, -tha ai.

Ndryshe nga sa pretendon mazhoranca, por edhe afateve që kanë vendosur ambasadorët, Basha tha se kjo kërkon kohë dhe jo presion e hipokrizi.

Ajo që nuk pret sot, sipas kryetarit të PD-së, janë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe pa ato, Basha shprehet se nuk mund të hapen as negociatat me Shqipërinë.

“…Në qoftë se ka një gjë urgjente sot në Shqipëri është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ta harrojë kushdo se Bashkimi Europian do t’i hapë dyert për negociata një Shqipërie që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkimi Europian kurrsesi nuk mund dhe nuk do t’ia hapë negociatat Shqipërisë për sa kohë që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe koha për të rënë dakord, për të krijuar së bashku kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, po mbaron. Kjo është koha që po mbaron, e në veçanti për propozimin tonë për votimin dhe numërimin elektronik”.

Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas tij, gjithçka tjetër do të jetë false.

“…Është kot dhe kot do të përfundojë. Kjo është Republikë Parlamentare, nuk është Republikë Prokuroriale, as nuk është Republikë Gjyqësore. Nëse zgjedhjet e ardhshme shqiptarët nuk kanë mundësi të zgjedhin me votën e tyre të lirë dhe të ndershme një qeverisje të përgjegjshme dhe përgjegjëse ndaj tyre, nuk ka prokuror dhe gjyqtar ta shpëtojë republikën”, -nënvizoi ai.

Basha: Kam punë më të rëndësishme sesa komentet e ambasadorëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu përgjigj dje edhe qëndrimit të ambasadorëve se nuk ka më kohë për Reformën në Drejtësi.

“…Deklaratat e ambasadorëve i komentoni ju sepse duhet të kuptoni që unë kam punë më të rëndësishme sesa komentet e deklaratave të ambasadorëve. Por mund t’ju them se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk do të hapë kurrë dyert e negociatave për një vend, që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme”, -tha dje Basha.

Ajo që ka theksuar së tepërmi lidhjen e rëndësisë së Reformës në Drejtësi me integrimin e Shqipërisë në BE ka qenë ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

Ajo e ka konsideruar Reformën në Drejtësi si kushtin kryesor për integrimin e Shqipërisë.

Sipas Vlahutin, ky është një moment kritik për Shqipërinë, pasi kjo është një reformë e padiskutueshme.

Rama: Ftoj Bashën për reformën, por drafti nuk preket

Edi Rama fton Lulzim Bashën që të takohen sa më shpejt, për t’i dhënë zgjidhje Reformës në Drejtësi.

Kryeministri, në një intervistë për “TCH” i kërkoi Partisë Demokratike të mos tërhiqet nga procesi edhe pse në anën tjetër thekson se drafti nuk mund preket, pasi sipas tij prek vetë thelbin e reformës.

I pyetur se a është i gatshëm që të takojë Bashën, Rama u përgjigj: “Ftesa është bërë me shkrim dhe nëse doni ta kompletoni me gojë, merreni si konfirmim. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë çdo përpjekje dhe nuk më vjen fare zor të them që i lutem PD që të mos e minojë një proces! Të mos e kyçë Shqipërinë në një zonë gri që mund të bëhet vrimë e zezë në procesin e integrimit”.

Rama u pyet se pse mazhoranca nuk toleron që të thjeshtojë procesin e drejtësisë nga 11 institucione që parashikohen në draftin e ekspertëve në 7, apo të gjejë një zgjidhje për votimin e institucioneve të drejtësisë me 2/3.

“Nuk do të rikonfirmoja ftesën ‘i lutemi PD’ që të shikojë përpara dhe të shikojë interesin kombëtar nëse do të ishte qeveria dhe qeverisja që rrezikohet. Nuk është qeverisja dhe Qeveria që vihet në diskutim nga kjo gjë, është fati i popullit dhe vendit. Nuk është çështje pazari, është thelbi i reformës që nuk duhet të cenohet dhe është mungesë e madhe serioziteti që pasi është punuar 1 vit e gjysmë mbi një draft, pasi është konfirmuar nga Venecia dhe nga vetë PD, të shfaqesh me një draft tjetër. Kjo quhet barrikadë për të bllokuar Reformën në Drejtësi”, -u përgjigj Rama.

Prej kohësh, kryeministri i vendit është shprehur se vullneti i PS-së ka qenë i qartë se ajo është dakord me draftin e propozuar nga ndërkombëtarët.

Në lidhje me kushtëzimet e opozitës, Rama është shprehur se reforma nuk mund të kushtëzohet me asgjë.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, ai ka deklaruar se PS-ja është e hapur për diskutime, negociata dhe për gjetje rrugësh që çojnë në zgjedhje sa më të mira.

“Por ç’lidhje ka kjo me Reformën në Drejtësi? Është Reforma në Drejtësi ajo që ndihmon zgjedhjet. Kushtëzimet janë shprehje dobësie ose mungese vullneti në rastin më të keq. Reforma është me rëndësi historike dhe ka mbështetjen e të gjithëve, socialistë e demokratë bashkë. Është reformë që për 10 vjet të kemi një sistem dinjitoz drejtësie dhe të mund të hapim negociatat që këtë vit”, -është shprehur Rama, pak kohë më parë.

Meta: Politika të bashkohet për drejtësinë, duhet të reflektojmë

Politika duhet të gjejë forcë dhe të bashkohet për Reformën në Drejtësi, ashtu siç bashkohen fanatiksat e Tiranës dhe guerrilasit e Partizanit për Kombëtaren shqiptare.

Këtë paralelizëm, solli dje kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në një takim të zhvilluar me të rinjtë e kësaj partie.

“Meqenëse jemi para kampionatit në Francë, t’u urojmë suksese. Kur luante Shqipëria me Danimarkën, vajza ime e vogël ishte shumë nervoze se kishte hall se mos hanim gol nga Danimarka. Dhe unë u shqetësova sepse ajo ishte në një stres të paparë. Sa herë merrnin topin danezët, çohej në këmbë. Dhe i them se pse shqetësohesh kaq shumë. Më tha se dua që Shqipëria të shkojë në Francë. Po pse Shqipëria duhet të shkojë në Francë? Që Shqipëria të bëhet e famshme. Unë mendoj që Shqipëria është bërë e famshme në futboll, falë punës dhe përkushtimit të lojtarëve tanë…Politika duhet të bashkohet për çështjen e Reformës në Drejtësi, siç bashkohen ultrasit e Tiranës me guerrilasit e Partizanit kur luan kombëtarja. Të gjithë e presin Reformën në Drejtësi si një mundësi për të mbështetur Shqipërinë, por dhe mundësi për të treguar në këto kohë të vështira të zgjerimit të BE që ka mundësi që procesi i zgjerimit të përparojë qoftë dhe në një vend të caktuar si Shqipëria, por për këtë gjë na duhet të bëjmë një sforcim. Në fakt, është detyrim”, -tha ai.

Kryetari i LSI-së, tha se çdo vonesë nga ana e Shqipërisë e bën më të vështirë integrimin në BE.

“…Çdo vonesë e jona e bën më të vështirë edhe axhendën dhe kalendarin e hapave të mëtejshëm që vendi ynë duhet të bëjë, në rrugën e anëtarësimit drejt BE, siç është marrja e rekomandimit nga KE për hapjen e negociatave dhe pastaj vendimi për hapjen e negociatave. Nuk ka të drejtë politika shqiptare të pengojë më tej këtë proces për të ardhmen e vendin tonë, në mënyrë të veçantë për të ardhmen e rinisë shqiptare. Të gjejmë forcat të reflektojmë në këto pak orë dhe ditë që kanë mbetur, në mënyrë që ne të dimë të tregojmë që pavarësisht nga dallimet e forta politike, për një interes që ka të bëjë me qytetarët dhe të ardhmen europiane të vendit tonë, dimë të bashkohemi dhe dimë të reflektojmë”, -tha Meta.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Vendi zyrtarisht në krizë, Meta kushtëzon Ramën

Ka marrë një zhvillim krejt të papritur situata politike gjatë ditës së...
Read More