Në qeverinë e vogël, ministrat duhet të jenë personalitete, me peshë politike dhe deputetë

Nga Ervis Iljazaj

Që nga fitorja e vetme e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Qershorit, vazhdojnë spekulimet mbi formatin e qeverisë së re dhe emrat që do të marrin postet ministrore. Pothuajse i sigurt duket të jetë fakti se qeveria e ardhshme do të jetë e një formati të vogël. Ky është një hap i parë i rëndësishëm për mandatin e dytë të Ramës. Nuk ka asnjë kuptim që qeveritë shqiptare të jenë të fryra për kontekstin dhe realitetin shoqëror e ekonomik, përveçse marrëveshjeve politike të detyruara për krijimin e mazhorancave politike, të cilat ndërtonin ofiqe pushteti që vetëm harxhonin paratë e taksave paguesve pa asnjë lloj efikasiteti dhe ndikimi në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Përtej debatit të emrave të përveçëm, i cili nuk ka rëndësi në vetvete, e rëndësishme është që ministrat në një qeveri të vogël duhet të jenë personalitete politike të një rëndësie të caktuar dhe, mbi të gjitha deputetë për disa arsye thelbësorë.

Pikë së pari, duhet t’iu japim fund ministrave që, në shumicën e tyre në mandatin e kaluar ishin anonimë për sa i përket eksperiencës politike, por, dhe aftësive profesionale në fushën përkatëse. Posti i ministrit kërkon ndërthurjen e këtyre dy elementeve për të përballuar të gjitha sfidat politike dhe ekonomike në të cilat gjendet Shqipëria. Në katër vitet e kaluara është vështirë të pikasësh ndonjë politikë e cila mban emrin e ndonjë ministri të caktuar, me përjashtim të disa rasteve.

Pikë së dyti, duke qenë se qeverisja e ardhshme është e një ngjyre të vetme politike, emërimi i ministrave pa asnjë rëndësi politike bën që i gjithë Këshilli i Ministrave të jetë një formalitet për sa u përket vendimmarrjeve. Kjo nuk do të thotë ministra rebelë që të jenë kundër politikës së përgjithshme, por ministra të cilët kanë autoritetin e duhur për të vendosur dhe mbajtur qëndrime në të mirë të vendit dhe, jo vetëm si pasojë e orientimeve politike dhe partiake.

Pikë së treti, eksperienca e katër viteve të kaluara për sa i përket ndarjes së posteve midis ministrit dhe deputetit dhe, kur një deputet i cili emërohej ministër duhet të hiqte dorë nga mandati i tij popullor, është një praktikë që duhet të marrë fund. Kjo praktikë ekziston edhe në vende të tjera, të cilat u morën si shembull kur u vendos një gjë e tillë por, atje ku aplikohet ka një dimension tjetër politik. Në çdo vend që aplikohet papajtueshmëria e pozicionit të ministrit me atë të deputetit është e sanksionuar në Kushtetutë dhe, nuk vjen si pasojë e vendimit të kryetarit të partisë. Në këtë mënyrë, qytetarët janë të vetëdijshëm për fatin politik në të tilla raste të përfaqësuesit të tyre. Ndërsa, e aplikuar siç ndodhi në katër vitet e fundit përbën një deformim të vullnetit të sovranit. Sigurisht, që, papajtueshmëria midis këtyre dy posteve politike ka avantazhet dhe disavantazhet e saj, por pikë së pari duhet të aplikohet brenda rendit kushtetues, duke qenë se kemi të bëjmë me poste kushtetuese dhe jo si vendim politik i kryetarëve të partive. Duke shtuar dhe kontekstin politik shqiptar, me një sistem zgjedhor të tillë që i jep një mbipushtet kryetarit të partisë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet, heqja dorë e mandatit të deputetit në momentin e emërimit si ministër, shton edhe më shumë pushtetin e Kryeministrit duke qenë se ai ka të drejtën kushtetuese t’i emërojë dhe shkarkojë ata në çdo moment.

Andaj, i gjithë diskutimi që duhet zhvilluar mbi qeverinë e re, është struktura, karakteristikat e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, si dhe marrëdhëniet e tij me përfaqësimin politik. Emrat e përveçëm nuk kanë aspak rëndësi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dorëheqja e ministrave teknikë, akti i fundit i një marrëveshjeje me interes publik

Nga Ervis Iljazaj Me synimin që të evitohej përdorimi i disa sektorëve...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.