Në qeverinë “Rama 2” e vetmja surprizë është vetë Edi

Nga Ervis Iljazaj

I vetmi lajm i rëndësishëm politik që pritet këto ditë, është padyshim formimi i qeverisë së re. Gjë e cila ka krijuar një sërë spekulimesh edhe për emrat e ministrave që do të përbëjnë kabinetin Rama dy.

Duke parë profilin politik të Edi Ramës, i cili na ka mësuar më surpriza dhe vendime politike të paparashikuara, edhe kësaj herë shumëkush pret që qeveria Rama dy të jetë një surprizë për sa u përket emrave të rinj të ministrave. Por, e vetmja surprizë që mund të ekzistojë në mandatin e dytë të tij është vetë Edi Rama.

Nuk pritet të ketë emra të cilët do të surprizojnë qeverisjen e ardhshme, pasi profile të rëndësishme politike të ministrave të cilët mund të kenë ndonjë kontribut thelbësor në politikat e vendit mungojnë, për arsye politike ose për vetë faktin se Rama nuk e ka nxitur një profil të tillë.

Në këtë kuptim qeverisja e ardhshme, për drejtimin që do të marrë, do të varet tërësisht nga vizioni politik personal i Edi Ramës. Këtë e tregoi qartë dhe bashkëbisedimi me qytetarët, që zhvilloi fill mbas fitimit të zgjedhjeve të 25 Qershorit. Duke treguar se llogaridhënia e qeverisë së ardhshme dhe përgjegjësia për të është tërësisht personale në raportin midis popullit dhe liderit.

Tashmë që fitoi i vetëm zgjedhjet, duke insistuar fort për ndryshimin e sistemit të qeverisjes, i cili ishte i vetmi premtim elektoral i tij dhe që populli shqiptar i besoi për këtë, Rama gjendet përballë një përgjegjësie më të madhe duke mos patur asnjë alibi për keqqeverisjen. Kështu që Rama ka tani të gjithë mundësitë për të shpalosur të gjithë vizionin e tij politik pa asnjë pengesë.

Me një eksperiencë katërvjeçare në krye të qeverisjes së vendit dhe i çliruar nga aleatët, Rama ka momentin politik për të përmirësuar qeverisjen e tij të mandatit të parë duke çuar përpara të gjitha iniciativat pozitive dhe reformat e tij.

Që nga shtatori e më tej, në tavolinën e qeverisë ka çështje shumë të rëndësishme për t’u zgjidhur. Duke filluar që nga reformat kushtetuese që kërkojnë një bashkëpunim me opozitën. Megjithatë e vetmja mënyrë që Rama ka për të justifikuar mbështetjen popullore të madhe që mori nga shqiptarët në 25 Qershor, është padyshim përmirësimi i ekonomisë.

Në mandatin e parë qeveria Rama ndërmori disa reforma të cilat rregulluan funksionin e disa sektorëve të shtetit dhe, dihet që, sa herë që ka rregullim ka dhe një tkurrje të ekonomisë. Por, momenti i bënte ato reforma të domosdoshme qoftë edhe me një kosto ekonomike për vendin.

Në mandatin e dytë, Rama nuk asnjë rrugë tjetër përveçse të fokusohet tek ekonomia. E vetmja mënyrë që ta bëjë këtë dhe të çlirojë ekonominë shqiptare për t’i dhënë një impuls zhvillimi është krijimi i tregjeve. Ka ardhur koha që ekonomia shqiptare të funksionojë sipas logjikës së tregut, i aplikuar me gjithë karakteristika që përmban ai. Një nga pengesat e mëdha të zhvillimit ekonomik shqiptar është fakti se ende nuk është futur kapitalizmi si koncept. Shteti ka një rol të rëndësishëm në ekonomi, nga e cila vuajmë pasojat e pengimit të zhvillimit të saj. Ky rol i madh që ka shteti shqiptar në sektorët ekonomikë vjen si pasojë e mendësisë komuniste të trashëguar. Andaj e vetmja mënyrë është krijimi i tregjeve në të gjithë sektorët ekonomikë dhe shërbimeve që në shumicë kanë mbetur ende të dorë të tij.

Të gjitha strategji politike dhe ekonomike që Rama ka si detyrë t’i shtrojë si çështje që kërkojnë përgjigje në mandatin e tij të dytë, do të jenë të mundura vetëm si pasojë e kurajës dhe vizionit të tij politik. Sepse emrat e ministrave të cilët qarkullojnë, për nga roli politik, kapaciteti profesional dhe eksperienca e kaluar nuk pritet të kenë një rol thelbësisht të rëndësishëm.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Një qeverisje e mirë mund ‘ta lërë’ drejtësinë pa punë…

Nga Kristaq Xharo (UET) Jam një mbështetës i bindur i Reformës në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.