Në vend të një bisede me Komisionerin Hahn

Nga Oerd Bylykbashi

Komisioneri Hahn tha sot (dje) se vettingu po ecte mire, por tha edhe se do te ishte dizaster, nëse, për shkak te vetting-ut, shqiptarët të mbeteshin pa gjyqtare. Unë nuk pata rastin ta takoj, po disa gjera po i them këtu. Ka të drejtë, dizaster ‎epokal është! Dhe, ne fakt, po ndodh! Nuk është hipotetik. Sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por vetëm një anëtar të saj nga nëntë që duhet të kishte. Sot nuk kemi Gjykatë të Lartë, por vetëm 7 anëtare nga 19 që duhet të kishte. Deri në fundjavë nuk është çudi të mbeten vetëm 5.

Në fakt gjerat duhen parë të lidhura në sistem, se jo me kot quhet Sistem Drejtësie.‎

Vettingu nuk është reformë, sepse vettingu vetëm spastron. Në teori heq pjesën e keqe apo të sëmure. Por nuk është reformë, sepse krijon gropë në sistem, nuk ndërton sistem të ri.

Nëse boshllëku që krijon vettingu plotësohet me avokatë që kanë bërë sekserin e korrupsionit, ish-hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit, që u hoqën dikur, sepse kishin dënuar me burgim për politike, apo juriste pa eksperience, vettingu nuk ka bërë asnjë punë!

Aq me keq, nëse boshllëku që krijohet mbushet me gjyqtarë e prokurorë që do Rama, që i binden dhe i betohen atij se do t’ia shpërblejnë nderin, duke mbyllur në të ardhmen çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku janë përfshirë vetë Rama dhe ministrat e tij.‎

Vetting-ut duhet t’ia vëmë me pas fajin për kapjen politike të Drejtësisë?

Sigurisht, jo! Përgjigjes është Rama që po e përdor si thikë, si dhe ata që mbrojtën kapjen politike nga Rama.

Komisioneri Hahn tha se i duhet hapur rruga ndryshimeve të ligjit për Shkollën e Magjistraturës që të zgjidhet ngërçi.

Përsëri e kanë gënjyer!

Regjistrimi në shkollë i studentëve të rinj nuk është reforme, është rutinë dhe nuk zgjidh gabimet apo fajet e rënda konceptuale të reformës.

Boshllëku, qe Komisioneri e quajti dizaster, nuk mund të mbushet dot nga rekrutimi i studenteve.

Duhen tre vite që ata që do të rekrutohen, të mund të quhen gjyqtarë e prokurorë, por do të jenë pa eksperience. E vetmja eksperiencë do të jete ajo që do t’i japë linja politike, që kontrollon sot Magjistraturën.

Komisioneri u çudit se pse duhet të miratohet me 3/5 një ligj për një shkollë, qoftë kjo e Magjistraturës.

Ka shumë të drejtë të habitet.

Para dy vitesh duhej shumicë e thjeshtë. Por, ata që e gënjyen nuk i thonë kurrë të vërtetën‎.

Opozita e kundërshtoi që Shkolla e Magjistraturës të futej në Kushtetutë, sepse nuk është organ kushtetues dhe nëse do të lindte nevoja për ndryshime, do të bllokohej meqë do të nevojiteshin 3/5. Por ustallarët e lartë të reformës së Ramës pikërisht këtë donin.

Pasi Rama kapi edhe Shkollën e Magjistraturës, e futi ne Kushtetutë vetëm e vetëm që çdo ndryshim më pas të ishte i pamundur pa votën e tij.

Pra, sa kohë do ta kontrollonte, do të bllokonte me minorancë bllokuese siç bënte atëherë kur ishte në opozitë.‎

Askush nuk ia shpjegoi Komisionerit që ky ishte një instrument kapjeje.

Komisioner, më parë ishte ligj i thjeshtë dhe opozita ashtu donte të mbetej. Po të mos donte Rama të cimentonte kapjen e sistemit, sot nuk do të çuditeshe.

Duhet t’u kërkosh llogari edhe atyre që këshilluan ustallarët e Ramës!

Por me e rëndësishmja është që as vettingu dhe as regjistrimi i studenteve të ardhshëm nuk janë reformë. Vettingu është si kimioterapi që ndoshta të shpëton. Regjistrimi i studentëve në magjistrature është rutine që ka 20 vjet që ndodh. Reformë do të thotë të ngresh institucionet e reja ‎të drejtësisë, që do të zëvendësojnë te vjetrat. KLD është drejt fundit, por KLGJ dhe KLP që do ta zëvendësojnë as që duken në horizont. Janë bllokuar, sepse 6 gjyqtaret dhe 6 prokuroret që duhen emëruar, nuk dihet kur do te zgjidhen! Gjithmonë, nëse vettingu do të lërë ndonjë në këmbë. Pa u ngritur KLGJ dhe KLP nuk emërohen dot gjykata e posaçme antikorrupsion, SPAK dhe BKH. Pra, Rama dhe ministrat do të vazhdojnë te livadhisin. Pa KLGj e KLP as ata magjistratët e rinj nuk emërohen dot, siç thotë Kushtetuta e 2016. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Nuk kemi Gjykatë të Lartë.

Nuk kemi Prokuror të Përgjithshëm, siç kërkon Kushtetuta.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është paralizuar nga vettingu dhe pa të nuk kemi kandidate për në Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë që do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pra, nuk kemi asnjë kolonë të sistemit të drejtësisë. Nuk kemi Sistem Drejtësie dhe nuk dihet për sa kohë nuk do ta kemi.

Ta quash këtë dizaster si progres të reformës në drejtësi siç thotë Rama, është fiks si përralla e Mbretit Lakuriq. E për këtë nuk e ka fajin thika e mprehtë e vettingut, por dora vrasëse e Kryeministrit, që e përdor atë thikë për të kapur pushtetin gjyqësor e ta përdorë këtë pushtet si imunitet për paudhësitë e tij.

Zoti Komisioner, ju kujtohet paragrafi i famshëm 88 i Komisionit të Venecias? Për atë luftoi Opozita në 2016, sepse pengonte kapjen politike të Drejtësisë. Këtë e mbështetët edhe ju dhe znj. Nuland. Kjo çoi në marrëveshjen për Kushtetutën më 22 korrik 2016.

Sot reforma‎ në drejtësi ka dalë nga të gjitha shinat dhe treni ka ngecur në zhavorr.

Zoti Komisioner, pa e rikthyer trenin në shinat e Kushtetutës, siç u vendos me konsensus, do të vazhdoni të habiteni!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse Kazantzaki s’fitoi “Nobelin”: I njëjtë me rastin Kadare

Lidhja ndërkombëtare e Miqve të Nikos Kazantzakis ka celebruar 30-vjetorin e krijimit...
Read More