Negociata-Akuza-Ultimatume: Javët e fundit të maratonës politike


Skenarët dhe prapaskenat e ditëve të fundit. Çfarë fshihet pas deklaratave dhe kundërdeklaratave?! A do jenë PS-LSI bashkë apo jemi në prag të divorcit të një “çifti të hapur”? Çfarë mund të pritet nga negociatat e nëndheshme përmes ambasadorëve?

Nga Vladimir Karaj

Edi Rama ngriti duart me pëllëmbët hapur për të treguar 10 gishta në emisionin Top Story të hënën, kur u pyet se sa mundësi nga 1-10 kishte një koalicion i ri mes PS dhe LSI. Por ndërsa java mbyllet mes dy partive në qeverisje kanë rifilluar akuzat. Luan Rama nga LSI foli për “mungesë eficience” dhe situatë të rëndë me kanabisin, ndërsa Saimir Tahiri përmendi “hiena të dala nga oborri i PS” në një replikë në rrjetet sociale. E gjithë kjo ndodh ndërsa vijojnë me sa duket negociatat (nëse mund të quhen të tilla) e heshtura me opozitën përmes ambasadorëve të BE që kryeministri Rama takoi në Shkodër dhe njëkohësisht edhe “dialogu” me deklarata dhe ultimatume në distancë mes PS dhe PD. Për herë të parë Rama kundërshtoi idenë e shtyrjes së zgjedhjeve duke folur me një qytetar ndërsa ndante legalizime: “Vetëm një gjë është e sigurt: zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor”, -tha Rama.

Lufta e deklaratave mes PS dhe LSI ka muaj që zhvillohet me intensitet të ndryshëm. Rama dhe Meta i kanë përgënjeshtruar këto përplasje vazhdimisht duke i minimizuar në kritika konstruktive, apo debate normale, por ndërkohë akuzat e bëra mes palëve ashtu si mundësitë për vijim të koalicionit mbeten në ajër dhe pa përgjigje. Për shumë është e qartë që mes PS dhe LSI ka një “luftë të heshtur”. Një ringjallje e akuzave mes palëve shpërtheu dje kur kreu i Grupit Parlamentar të LSI iu rikthye akuzave ndaj Ministrisë së Brendshme duke iu referuar raportit të Departamentit të Shtetit mbi drogën. Luan Rama pasi tha se situata ishte shumë e rëndë, ironizoi aksionin e policisë kundër kanabisit që e cilësoi spektakël. “…në mënyrë që Shqipëria të mos vazhdojë të bëjë më spektakle me transmetime televizive të policëve që çohen për të korrur kanabis apo lëndë të tjera narkotike”, -tha ai nga selia e LSI.

Përgjigja e tani ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ishte po kaq ironike dhe e ashpër. Ai nuk e përmendi Luan Ramën me emër, por e quajti zëdhënës të LSI, ndërsa në tekst falënderoi me emër Spartak Brahon si kreu i Komisionit të Sigurisë dhe ftoi për një lexim të saktë të raportit. Tahiri po ashtu aludoi, ndërsa përmendi një listë “armiqsh” të Policisë së Shtetit, për “rolin e hienave të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e Partisë Socialiste, përgjigjen e merituar e kanë marrë tre vjet e gjysmë nga puna jonë e përbashkët dhe do ta marrin nga populli i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë në 18 qershor”, -tha Tahiri.

Kjo nuk ishte hera e parë që LSI sulmonte Ministrinë e Brendshme. Saimir Tahiri edhe pse publikisht asnjëherë nuk është pranuar, ishte në shënjestër edhe më herët nga kolegë ministra, si Ylli Manjani që u shkarkua më pas nga Rama, apo Lefter Koka. Largimi i Tahirit nga Rama madje u lexua si një lëshim ndaj Metës dhe LSI.

Por ndërsa sulmi nuk është i pari, përgjigja nga PS me këtë gjuhë të ashpër është e para. Madje për herë të parë në një reagim ndaj LSI, socialistët përmendin “burgun”. “Edhe njëherë faleminderit të gjithëve për mbështetjen e pakursyer ndaj Policisë së Shtetit dhe për shpërfilljen e merituar ndaj atyre që janë gati t’i rivënë zjarrin Shqipërisë, për të mos përfunduar prapa hekurave ku e kanë vendin prej kohësh”, shkroi Tahiri. Kryeministri po ashtu reagoi për raportin, por pa iu përgjigjur askujt: “Raporti i Departamentit të Shtetit provon sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. Shumë mbetet për t’u bërë dhe do të bëhet se s’bën”, shkroi Rama. Ndërkohë Gramoz Ruçi në një takim në Fier foli për padurim të socialistëve dhe skepticizëm ndaj ngurrimit të LSI për të ndarë mendjen për koalicionin.

Ky vendim i fundit shihet prej shumë analistësh si zgjidhja e situatës politike në vend. Ndërsa PD duket se rrit çdo ditë barrën e pretendimeve të saj, pasi tashmë kërkon me gjasë edhe shtyrje të zgjedhjeve, vendimi i LSI do i bënte mjaft më të qarta qëndrimet e palëve dhe po ashtu edhe rrugëzgjidhjet. “Kjo krizë mund të zgjidhet nga Ilir Meta dhe LSI, pasi ajo çadër mbahet gjallë prej tyre. Është e qartë se LSI është në një gjatësi vale me PD dhe shumë herë më e sinkronizuar në veprime të saj, se sa me Partinë Socialiste”, shkruante Mero Baze në editorialin e përditshëm duke iu referuar kryesisht Reformës në Drejtësi. Baze po ashtu fton LSI të rrëzojë qeverinë në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të ketë garë reale mes palëve, duke aluduar edhe për garim vetëm të secilës forcë. Baze ndërkohë pranon, përndryshe nga pak javë më parë dhe që koalicioni mes PS dhe LSI ka rënë. “Është koha kur Edi Rama dhe Ilir Meta nuk duhet të gënjejnë më njëri-tjetrin, duke bërë sikur janë aleatë. T’i japin fund kësaj hipokrizie dhe le ta vendosin shqiptarët më 18 qershor se kush do qeverisë”, shkruan ai.

Ky duket si një ndryshim i ditëve të fundit, ndërkohë që më parë mediat pranë qeverisë e vunë në lojë PD-në se kërkonte praktikisht të njëjtën gjë. Nga ana tjetër një pjesë e mbështetësve të protestës nuk janë shumë dakord me një lëvizje të tillë. Ata nuk do donin të shihnin PD sërish në koalicion me LSI, ndërsa kjo do ta zhbënte retorikën për “Republikë të re”, që Lulzim Basha ka ngritur nga çadra. Ky i fundit duket se po refuzon çdo qasje për negocim, nëse nuk merr maksimalen e asaj që kërkon. I frymëzuar me gjasë edhe nga një letër e 6 senatorëve në SHBA për Departamentin e Shtetit, Basha rriti ditët e fundit kërkesat, duke  shtuar edhe shtyrjen e zgjedhjeve, kohë që siç shpjegoi ai do ishte e nevojshme për plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira. Por nuk është e qartë nëse vetëm kjo do të mjaftonte. E lobuar nga opozita në disa takime në Uashington, letra e senatorëve të SHBA nuk e vinte theksin në fakt te zgjedhjet, ato përmendeshin në letër si diçka që pritej të ndodhte, përndryshe letra fliste për ‘reformë kontroverse në drejtësi’ dhe ndërhyrje të Xhorxh Soros në punët e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Negociatat mes dy partive kryesore duket se po bëhen tërthorazi me ambasadorë që herë takojnë njërën palë, herë tjetrën. Ndërkohë nga protesta e opozitës vetëm Kreshnik Spahiu ka folur për situatën në shumicë, duke riftuar Metën të rrëzoi qeverinë, por nuk është e qartë sa mund të jetë kjo një ftesë e PD.

Nga ana tjetër, ndërsa deri dje kërkesat e opozitës ishin vlerësuar si ultimatume nga kreu i LSI, kjo e fundit i ka zbutur tonet. Petrit Vasili duke folur në Arena të Dritan Hilës tha se kërkesat ishin maksimale. Megjithatë Vasili, ndryshe nga sa ka bërë shumica deri dje, ishte mjaft më i butë me opozitën, madje ai sugjeroi se mazhoranca duhej të ofronte kompromis. “Të hulumtojmë çdo rrugë për të arritur tek kompromisi, duke përjashtuar ekstremizmat, nga do që të vijnë”, -tha Vasili.

Faqja 360grade.al, e drejtuar nga Artur Zheji, ndërkohë kishte një lajm përtej kësaj deklarate. Sipas faqes një takim mes Ramës dhe Metës ishte anuluar dje dhe se kjo ishte shenjë e qartë se mes palëve kishte marrë fund. Faqja sugjeron se është Rama ai që po kërkon përfundimin e koalicionit, duke e fajësuar atë edhe për një fushatë ndaj Ilir Metës nisur nga shkrimi i Baton Haxhiut dy ditë më parë. 360grade.al thotë se “Rama është këshilluar që ta çojë në ekstrem vetë krizën, duke përgatitur përplasjen me LSI, që mendohet se është realisht çështje ditësh”.

Haxhiu ndërkohë thotë përkundër kësaj PS dhe LSI e kanë arritur marrëveshjen për zgjedhjet e qershorit edhe pse ai është i ashpër ndaj saj. “Unë e di se marrëveshja mes Ramës dhe Metës është arritur tashmë për zgjedhjet e ardhshme. Por besoj se ky koalicion është i pistë”, tha Haxhiu në një emision në “News 24”. Për Haxhiun, Partia Socialiste duhet të shkojë vetëm në zgjedhje dhe jo me LSI-në. Këtë qëndrim ai e kishte edhe në një shkrim të gjatë botuar te Lapsi.al, ku këshillonte Ramën për këtë zgjidhje. Fundi i historisë nuk duket edhe pse mund të jetë i afërt. Lajmet menjëherë pas intervistës në Top Story e analizuan si përgjigje pozitive atë të Ramës për koalicionin, por ngritja e duarve mund të ketë qenë edhe gjesti i kryeministrit për të thënë se ai nuk e di në fakt se çfarë do të bëjë Meta. E sigurt për momentin është vetëm që palët kanë shumë për të humbur dhe fituar në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa fati i Reformës në Drejtësi është po ashtu pjesë e këtyre zgjidhjeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Paradoksi i taksave liberale dhe shpenzimeve puniste të Bashës

Nga Ervis Iljazaj Lulzim Basha duket se ka vetëm një kalë beteje...
Read More