Negociatat: Kriza në fotofinish

Java që vjen i vë palët politike para afateve që nëse kapërcehen mund ta thellojnë krizën, ndërkohë presioni ndërkombëtar për negociatë dhe kompromis politik pritet të rritet me vizitën e zëvendëskancelarit të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, agjendën për presidentin e ri dhe zgjidhjen e  fatit të koalicionit të majtë

Nga Vladimir Karaj

Cicmicet politike të javëve të fundit kanë vijuar me të njëjtën monotoni. Asnjë prej palëve nuk është tërhequr nga pozicionet fillestare, ndërsa kanë shkëmbyer në distancë të njëjtat mesazhe. Edi Rama këmbëngul se pret prej Lulzim Bashës një orë dhe një vend, kurse ky i fundit këmbëngul se ende nuk ka një negociator nga qeveria. Dje për një ndryshim Basha i tha Ramës se ia linte atij vendin dhe orën. Në mes LSI, pozicioni i të cilës mund të anojë peshën elektorale në një krah apo tjetrin, mbetet po aq enigmatik sa në fillim. Ai në fjalën që mbajti para KDK (Komitetit Drejtues Kombëtar) të LSI, edhe tha se “nuk kërkonte dorëheqjen e Ramës” edhe këmbënguli se ky i fundit nuk mund të mjaftohej me ftesa formale ndaj opozitës, duke e mbajtur përgjegjës për mungesën e dialogut. Vendimi i LSI dhe PS për koalicionin, që po trajtohet sërish si i kryer, do ishte zgjidhje e një pjese të enigmës. Në krahun e PS, Edi Rama bëri apel bashkimi kur tha se e majta e ndarë humbet, kurse Gramoz Ruçi tha në Fier se ata që shpresonin në ndarje të koalicionit do të zhgënjeheshin. Po ashtu, edhe Meta u duk sikur konfirmoi koalicionin kur tha se dy partitë kishin fituar edhe në situatë të vështirë në 2013 dhe do fitonin lehtësisht në një palë zgjedhje të qeta.

Të tjerët në këtë histori nuk duket se po luajnë rol domethënës. Shpëtim Idrizi ka marrë po ashtu një pozicion në mes, duke futur në lojë presidentin që duhet të thërriste takim krerësh politikë, për të normalizuar situatën. Por edhe kjo përpjekje përfundoi në replika virtuale, ku zyra e presidencës sulmoi atë të qeverisë e kryeministri u përgjigj duke akuzuar presidencën për njëanshmëri. E megjithatë palët kanë kohë deri në 19 prill. Afati i fundit për të regjistruar koalicionet në zgjedhje dhe seanca e parë për zgjedhjen e presidentit të ri, duket se është data kyçe për zgjidhje të ngërçit. Kjo mund të përshpejtojë negociatat ose përndryshe të dërgojë krizën në një fazë të re.  Ndërkohë duket se ndërhyrja nga jashtë pas mesazheve të forta nga Bashkimi Europian do jetë në nivele më të rëndësishme. Të premeten Xhon McCain vizitoi Tiranën dhe  takoi të gjithë drejtuesit e forcave politike, ndërkohë të hënën pritet vizita e Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, roli i të cilit mund të jetë vendimtarë.

Koalicioni i të majtës

Të shtunën pritet që LSI dhe PS të kenë ndërkohë një vendim për koalicionin e tyre para zgjedhor. Situata edhe këtu mbetet po aq e nderë edhe pse sipas Top Channel koalicioni është arritur. Sipas TCH aleanca e majtë organizon të shtunën paradite takimin e parë zyrtar për rikonfirmimin e koalicionit për “Shqipërinë Europiane” edhe për katër vitet e ardhshme. Nëse ky lajm konfirmohet, situata do kishte të paktën një prej enigmave të zgjidhura. Mes PS dhe LSI kanë vijuar edhe ditët e fundit përplasjet publike me deklarata dhe kundërdeklarata, por nga ana tjetër, qoftë Rama qoftë Meta kanë lëshuar sinjale të një dakordësie të arritur. “Ata s’kanë fituar kurrë përveçse kur ne kemi qenë të ndarë. Kanë përfituar nga ndarja jonë. Kanë përçarë dhe kanë fituar, por ajo kohë ka ikur”, u shpreh Rama përpara të rinjve të qarkut të Tiranës, të cilët më 18 qershor votojnë për herë të parë, duke nënkuptuar se PS dhe LSI mund të vijojnë bashkë.

Meta po ashtu ishte pozitiv. “Kështu që në këtë situatë, duke qenë të bindur se koalicioni PS-LSI, që fitoi përpara 4 vitesh në kushte shumë të vështira bindshëm…unë besoj që sot një koalicion i tillë e ka akoma më të thjeshtë për të fituar”, -tha kreu i LSI, duke dhënë edhe arsye pse ky koalicion duhej të lëshonte pe ndaj opozitës.

Por është e paqartë nëse këto janë lojëra të ngjashme me ato të ditëve të kaluara. PS dhe LSI nuk kanë qenë në muaj mjalti prej dy vjetësh dhe konflikti mes tyre mbetet i hapur, por njëkohësisht është e lexueshme se asnjë prej të dyjave nuk do të marrë përsipër prishjen e koalicionit dhe me gjasë llogaritë politike i afrojnë palët. Sipas Top Channel në takimin që pritet të mbahet në Hotel Tirana, dy kryetarët Rama dhe Meta do të shoqërohen edhe nga dy pjesëtarë secili, po ende është e paqartë axhenda e takimit.

Negociatorë nga larg

Senatori i SHBA Xhon McCain bëri një tur Ballkanik  dhe ndaloi dje në Tiranë. McCain është një prej senatorëve më të rëndësishëm dhe ardhja e tij duket se është e lidhur me krizën politike në vend. Në fakt McCain është një prej zërave më të fortë anti-Moskë në Uashington. Ai ishte mbrojtës i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe bëri presion publik për këtë. Më herët McCain takoi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë një vizite të këtij të fundit në SHBA. Vizita e tij në Tiranë erdhi menjëherë pas këtij takimi. Ndërkohë palët përcollën vetëm mesazhet që i kishin dhënë senatorit. Lulzim Basha i cili disa ditë më parë akuzoi qeverinë se po përdorte “paratë naftës për lobing”, e njoftoi në Facebook takimin me McCain si atë me  “Heroin amerikan, që ka sakrifikuar për kauzën e lirisë, ka qenë përherë një zë i fuqishëm në krah të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim në botën euroatlantike”. Basha njoftoi ato që ai i kishte paraqitur senatorit duke folur për një situatë dramatike në vend. Në anën e tij Ilir Meta njoftoi se i kishte folur për përgjegjësinë që duhej të tregonte klasa politike shqiptare. Edi Rama shpalli takimin si “120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet”. Ambasada e SHBA njoftoi se McCain ishte fokusuar te Reforma në Drejtësi dhe partneriteti ushtarak mes dy vendeve. “Senatori i SHBA John McCain vizitoi Shqipërinë të premten, ku theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e Reformës në Drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS”, njoftoi ambasada. Vendosja e theksit te Reforma në Drejtësi është në fakt një element që nuk i ka pëlqyer fort opozitës, e cila edhe pse flet për mbështetje të reformës, e ka sulmuar këtë të fundit si produkt i Soros për t’i dhënë drejtësinë Ramës.

Vizita tjetër që mund të jetë më domethënëse për krizën është ajo e Sigmar Gabriel. Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskancelari i Gjermanisë do jetë në Tiranë në fillim të javës që vjen. Gabriel është përmendur si negociator në distancë i një marrëveshjeje mes palëve, por pa ndonjë sukses. Vizita e tij vjen pasi qëndrimi i BE ndaj krizës u ashpërsua, ndërsa gjuha e opozitës ndaj zyrtarëve të BE është përshkallëzuar në akuza të ashpra për zyrtarë të ndryshëm. Opozita dhe kryesisht ish-kryeministri Sali Berisha prej muajsh në fakt sulmojnë përfaqësinë e BE në Tiranë, po ashtu akuza ka pasur edhe ndaj Frederic Mongherint dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të BE, përfshi Knut Fleckenstein. Një rezolutë e Partive Popullore, ku PD bën pjesë, për Ballkanin në Maltë që linte jashtë zgjedhjet dhe theksonte Reformën në Drejtësi ishte shenjë e përshkallëzimit të kësaj situate. Zëra pranë shumicës thonë se ndëhyrja e Gjermanisë këtë radhë mund të jetë e ashpër.

19 prilli duket se është afati i fundit për palët, por duket se historia do të shtjellohet gjatë gjithë javës, duke filluar nga dita e sotme që mund të përcaktojë koalicionin. Kjo mund të hapë rrugë për negocimin mes PS dhe PD në kushte më të qarta politike. Kjo mund të përfshijë një president konsensual, një kod të ri zgjedhor, por edhe avancim të Reformës në Drejtësi. Por është e paqartë mbi cilët terma palët mund të bien dakord. Kryeministri thotë se nuk ka ndërmend të japë një qeveri teknike, ndërkohë PD nuk duket se do të pranojë më pak se kaq.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Postmortum nga Shqipëria: Vepra e Kelmendit, një dalje nga qelia jonë kulturore, plot errësirë

Shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave...
Read More