Negociatat mund t’i hapin vetëm organet e reja të Reformës në Drejtësi

Nga Ervis Iljazaj – Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian është tema që do të mbajë pezull politikën shqiptare deri më Qershor. Deri atëherë, është e vështirë që politika shqiptare mund të prodhojë ndonjë ngjarje domethënëse, për faktin se, është i vetmi zhvillim politik që mund të ndikojë dialektikën politikë në vendin tonë.

Me siguri që, pas takimit të Edi Ramës me Kancelaren Merkel, politika shqiptare dhe fatet e saj nuk do të jenë njësoj, dhe nga vendimi në Qershor do të varen shumë zhvillime.

Nga vizita e Ramës në Gjermani, u kuptua se, hapja e negociatave nuk është kaq e sigurt, ashtu sikurse u pretendua pas rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian, por, Shqipëria duhet të plotësojë disa nga to.

Në fakt, i vetmi kusht që duhet të plotësojë Shqipëria për të marrë vendim pozitiv, është vetëm një. Dhe ky është zbatimi i Reformës në Drejtësi, i cili nënkupton ndërtimin e organeve të reja të drejtësisë si KLP, SPAK dhe Byronë e Hetimit Kombëtar.

Janë këto organe, të vetmet që mund të bëjnë të mundur realizmin e kushtit të vetëm që BE pret nga Shqipëria, ndërtimin e një drejtësie të re, e cila do të ketë pavarësinë dhe guximin të hetojë pushtetarët e lartë politikë. Sepse, duhet ta themi, që asgjë tjetër nuk pret nga ne përveçse ndarjen e politikës nga drejtësia dhe hetimin e korrupsionit politik.

U diskutua shumë në fakt, edhe çështja e Tahirit, në këtë aspekt, si në Shqipëri, por, edhe në takimin në Gjermani. Deputetë gjermanë i kërkuan llogari Ramës për këtë çështje dhe kjo u interpretua si një kërkesë për arrestimin e tij si monedhë shkëmbimi për hapjen e negociatave.

Ky është një absurditet pasi, Gjermania dhe vendet europiane në përgjithësi, me siguri që nuk janë kaq dritëshkurtër, për të bërë një kërkesë të tillë. Pranimi ose jo në Bashkimin Europian nuk varet nga arrestimi i një personi, por nga vullneti politik për të krijuar një drejtësi të pavarur. Pikërisht për ketë vullnet u vu Rama në Gjermani në bankën e akuzuarve. Nuk bëhet fjalë për një person, por, për shprehjen e vullnetit të një Kryeministri për të treguar besim tek aleatët europianë se vërtet ka një vullnet përtej çështjes Tahiri, për të vazhduar me zbatimin e Reformës në Drejtësi, me të gjitha ata hapa që ajo nënkupton.

Ajo që Merkel i kërkoi Ramës në thelb, ishte shprehja e vullnetit se politika shqiptare nuk do bëhet pengesë për zbatimin e plotë të kësaj Reforme, sepse europianët e dinë fare mirë se një Kryeministër nuk bën as akuza dhe as arrestime, thjesht është pro apo kundër pavarësisë së drejtësisë.

Përtej këtij debati, çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian është kthyer në një nga çështjet thelbësore të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe procesit të saj të integrimit, por efektet kryesore të saj do të ndihen sidomos në politikën e brendshme.

Padyshim që në procesin e integrimit të Shqipërisë është luajtur një betejë politike e fortë këtu te ne, nga njëra apo nga tjetra palë.

Edhe vizita e Ramës në Berlin, dhe kushtet që u vendosën nga Gjermania për hapjen e negociatave u diskutuan më shumë në ndikimin që do kenë ato brenda politikës shqiptare se sa rëndësinë që kanë ato për procesin e integrimit. Madje, diskutimet shkuan edhe më larg, deri aty sa nga kushtet e Merkelit vareshin fati politik i kësaj mazhorance dhe i Edi Ramës. Kjo është deri në një farë pike e vërtetë, pasi ky proces është shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe dështimi apo suksesi i tij mund të ndikojë në fatin politik të një Kryeministri, por kjo as nuk u intereson aspak vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në të vërtetë nuk duhet të na interesojë as neve, pasi e vetmja gjë e rëndësishme është rruga drejt BE, e vetmja shpresë dhe rrugë, që ka Shqipëria për të ndjekur.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rihanna pret ditëlindjen e 30-të me “Unë e urrej Rihanna” !

    Vajza e ditëlindjes Rihanna kaloi ditën e fundit të viteve...
Read More