Negociatat: Shqipëria “përçan” veten dhe BE-në, kulisat dhe 5 kushtet e orëve të fundit

Prapaskenat në Luksemburg dhe Bruksel që përçanë BE-në, Franca “armiqësohet” me Gjermaninë dhe në fund gjendet një zgjidhje e mesme. Shqipërisë iu la një vit kohë që të plotësojë pesë kritere. Politika në vend drejt konflikteve të ashpra. Basha bën përgjegjës qeverinë dhe ambasadorët e huaj në Tiranë, Rama quan “tradhtarë” opozitën.

Nga Sebi Alla

Lajmi i keq se Shqipërisë nuk iu hapën negociatat si vend kandidat për në BE, duke e shtyrë vendimin për në qershor të vitit 2019, nuk është më vetëm një proces kriteresh (të cilat qëndrojnë), por edhe “ego” brenda BE-së. Çështja Shqipëri u bë shkak për një rikompozim të ri të vendeve anëtare, që duan të tregojnë rëndësinë e tyre në bllokun e madh. Pozicionimi i prerë i Francës, Danimarkës dhe Holandës kundër hapjes së negociatave dhe për më shumë as caktimit të një date, futën në konflikt vendet e tjera, ku Italia, Gjermania dhe 23 shtetet e tjera që mbështesnin negociatat u përballën me murin e pakalueshëm me në krye Francën. Hapja e negociatave për Shqipërinë i ngjante një mbledhjeje të orëve të fundit për nga rëndësia, çka ndikoi që Gjermania deri në ato momente gati neutrale, të bënte një përpjekje të fundit për të bindur vendet skeptike që Shqipëria të merrte një datë, të paktën në dhjetor për hapjen e negociatave. Takimi i Luksemburgut këtë të hënë dështoi, pa mundur të nxjerrë një tekst për tryezën e liderëve të Bashkimit Europian dhe kjo më pas u pasua edhe në Bruksel, ku Franca dhe Holanda, si për të nënçmuar bisedimet, nuk u përfaqësuan me ministrat e tyre të jashtëm, por vetëm me ambasadorët. Në këtë rast, “Jo” e Francës ishte e prerë, e bashkë me të Danimarka dhe Holanda përbënë trion që nuk do lëshonte në këtë pikë, duke refuzuar çdo datë. Në kushte të tilla, për të mos thelluar “ndarjen” brenda BE-së, Gjermania bëri lëvizjen e radhës, pasi kuptoi se dështimi për hapjen e negociatave ishte i garantuar, ndaj në këto kushte, Presidentit Donald Tusk iu kërkua që të mos vendoste këtë çështje në agjendën e 28 Qershorit, si pikë diskutimi mes liderëve. Si një lider në “rritje”, presidenti francez Emannuel Macron tenton të lëshojë diçka, duke ofruar një tekst të ri, me një afat njëvjeçar, por me pranimin e vënies në lëvizje të mekanizmit përgatitor, që zakonisht zbatohet jo përpara, po pas datës së përcaktuar. Për të mos dalë si “dele e zezë” në tufën e madhe dhe gjithashtu, mos krijonte dualizëm me Gjermaninë, që është shtylla kryesore e BE-së, Franca propozoi një variant të ndërmjetëm, duke i lënë disa kritere Shqipërisë dhe një mbledhje të vendeve anëtare të BE-së në qershor të vitit 2019. Në këtë mënyrë është “shpëtuar” BE si grup historikisht unitar, e bashkë me të edhe Shqipëria, që ka ende shpresë për një vit më vonë…

Kushtet që BE i vendosi Shqipërisë

Shqipëria tashmë ka një listë prej pesë kriteresh kyçe të cilat duhet t’i plotësojë brenda një viti, në mënyrë që në qershor të 2019-ës, BE të vendosë pro hapjes së negociatave. Këshilli pajtohet që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të Shqipërisë, por ka kërkuar më shumë punë dhe rezultate konkrete kryesisht në Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër trafikut të drogës dhe reformën zgjedhore. Në dokument thuhet se: “Avancimi më tej në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe duke finalizuar krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese; finalizimin e themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimeve dhe Gjykatës; forcimin e procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë”. Gjithashtu, Këshilli i bën thirrje Komisionit që të vëzhgojë nga afër përpjekjet e mësipërme të reformës nga Shqipëria dhe do të vlerësojë progresin në bazë të raportit vjetor të Komisionit. E parë në këtë formë, ngjan një miks mes hapjes së negociatave me disa kritere, por edhe një notë jo kaluese që Shqipëria ka marrë në plotësimin e pesë kushteve kyçe. Këshilli kujton që vendimi për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë, do t’i nënshtrohet përfundimit të procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimit nga Këshilli Europian dhe do të pasohet me shpejtësi nga Konferenca e parë Ndërqeveritare deri në fund të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë. Dy pikat e tjera të rëndësishme mbesin vijimi i reformës zgjedhore dhe angazhimi që duhet të ketë vendi ynë në uljen e numrit të azilkërkuesve. Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës mbi reformat e lidhura me BE, mbetet thelbësor për të avancuar në agjendën e reformës në dobi të qytetarëve dhe për të afruar vendin më pranë BE-së. Por pikërisht në këtë pikë ka diçka që nuk shkon… Vendi pritet të kalojë në konfliktualitet të theksuar politik, duke shtuar më shumë dozat e përplasjeve mes pozitës dhe opozitës.

Rama e quan sukses, Basha dështim

Në konferencën e parë publike, kryeministri Edi Rama është munduar që ta shohë me optimizëm vendimin e BE-së, ndërsa ka treguar “peripecitë” e tij dhe të ministrit Bushati, nuk ka nguruar të dalë në fushën që e njeh më mirë, atë të batutave. “Së bashku me Ditmirin, qysh se Shqipëria mori rekomandimin e pastër, na është dashur të kryejmë një numër rekord komunikimesh me nivelet më të larta në shtetet anëtare. Jemi parë e dëgjuar edhe gjëra që askush nuk do ta besonte. Nëse do vazhdoja të shkruaja vijimin e “Kurbanit”, do të dilnin dy vëllime ‘Europë m’u bëfsh kurban’, dhe ‘Europë t’u bëfsha kurban’”-tha Rama. Por në një situatë të tillë politike, kryeministri gjen “shkaktarin”, ndoshta aty ku nuk duhet, pasi një dozë të fortë ndaj këtij dështimi ia kërkon opozitës. “Të huajt pyesnin, po si ka mundësi që opozita juaj të paguajë media në vendet tona për të shpërfytyruar vendin tuaj, e duke mos lënë deputet pa kapur e për të ndërsyer kë të mundet në ato vende ku ka erëra antieuropiane. Si ka mundësi? Ja pra që ka mundësi se kjo është fryma e vetme e opozitës që në frymë ka Esat Pashën, Sali Efendiun dhe në fytyrë ka Babale Veliun”-deklaroi Rama. Sipas tij, tashmë vendit i del për detyrë për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve. “Data për çeljen e negociatave në Këshillin e Bashkimit Europian, nuk është imediate, por ka një hapësirë kohore ndërmjet”, u shpreh kryeministri. Nga ana e tij kryeopozitari Lulzim Basha, mos hapjen e negociatave e konsideron një dështim të qeverisë për shkak të krimit, trafikut të drogës dhe korrupsionit, por gjithashtu edhe një ‘dështim’ të diplomatëve të huaj, veçanërisht ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin. “Nuk komentoj fare deklaratat e diplomatëve në Tiranë. Dështimi i sotëm është dështim edhe i atyre që dhanë dëshmi të rreme, u bën njësh me propagandën e Edi Ramës. Nuk panë drogën, nuk panë krimin, nuk panë korrupsionin. Por siç e kemi thënë, në Europë nuk hyhet me mashtrime, nuk hyhet me gënjeshtra, nuk hyhet me fasada dhe ky është realiteti me të cilin përballemi sot. Kjo është fatura e gënjeshtrave dhe mashtrimeve me të cilat përballemi sot, pavarësisht nga vijnë dhe kush i bën”, – u shpreh Basha për gazetarët. Më herët ambasadori amerikan në Tiranë përgëzoi Shqipërinë, për vendimin pozitiv sipas tij. “Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”-deklaroi Lu. Nuk mund të mungonte edhe qëndrimi i ambasadores së BE-së në largim Romana Vlahutin, që e sheh këtë proces si sukses. “Shqipëria ka marrë 3 gjëra shumë të rëndësishme pozitive. E para, njohja e rekomandimit e të gjithë reformave, e dyta një kalendar i qartë, një datë shumë të qartë për konferencën ndërqeveritare dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe ndërkohë, Këshilli i Përgjithshëm ka pranuar që Komisioni të nisë punën përgatitore. Kjo punë përgatitore është mjaft e madhe. Kur bëhet fjalë për detajet, do t’i ndajë me ju më vonë”-tha ajo. Ndonëse interpretimet dhe qëndrimet do jenë të ndryshme edhe në vijim, fakt është që Shqipëria do të presë një vit për të mësuar fatin e mëtejshëm të saj në rrugëtimin drejt BE-së, ndërsa kjo e fundit do të duhet të sheshojë edhe pozicionin brenda vetes. U nevojit çështja Shqipëri, që të dukeshin edhe ndarjet brenda BE-së.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

DHAT: Mbani premtimin, ulni në 18% tatimin për pagën

Ndërkohë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, propozoi që...
Read More