Neo-komunistët shqiptarë në shërbim të kapitalizmit

Nga Klementin Mile

Neo-komunizmi në Shqipëri është stil jetese. Si i tillë, ai ka simbolet e veta që tërheqin dhe përbashkojnë kryesisht të rinjtë: protesta për thuajse çdo gjë që e konsiderojnë se është kundër idealeve të tyre, raki dhe hashash si pije të preferuara, libra marksistë, neo-marksistë dhe post-marksistë si ushqim ideologjik, dhe lokale me emra nostalgjikë. Organizimi i neo-komunistëve shqiptarë është tejet serioz. Ata nuk bëjnë pushim as në verë, kur edhe qeveria merr pushimet. Të krijohet përshtypja se po të kishin më shumë njerëz me vete, kapitalizmi do i kishte ditët të numëruara.

Por, në fakt, asgjë nuk është më larg së vërtetës se kjo. Ndoshta pa e kuptuar as vetë, neo-komunistët shqiptarë po i bëjnë një shërbim të madh kapitalizmit. Ata po e ndihmojnë kapitalizmin të riprodhohet në ata sektorë ku performanca e sistemit është e dobët. Në ndihmë të kapitalizmit, ata kanë krijuar tashmë një treg neo-komunist; çka vetë kapitalizmi nuk do mund ta krijonte dot pa kontributin e tyre.

Protestat e tyre, në vend që të ndryshojnë gjendjen ekzistuese, në fakt ndihmojnë riprodhimin e medieve kapitaliste me lajme interesante për publikun, duke rritur vëmendjen publike ndaj programeve të këtyre medieve dhe, natyrisht, reklamave. Të njëjtin efekt prodhon edhe pjesëmarrja e neo-komunistëve në emisionet mediatike, pavarësisht patosit dhe cinizmit me të cilin flasin kundër tregut dhe kapitalizmit. Jo vetëm kaq. Protestat dhe angazhimet mediatike të neo-komunistëve shërbejnë edhe për ta legjitimuar kapitalizmin (dhe demokracinë liberale si fytyrën politike të tij) si një sistem tolerant, i aftë të përfshijë paqësisht brenda vetes opinione, vlera dhe interesa të ndryshëm, madje edhe ata kundër tij.

Sa i përket rakisë dhe hashashit, pavarësisht efektit emancipues (?) që mund të kenë në mendjen e të rinjve neo-komunistë, konsumi i tyre thjesht riprodhon ekonominë e ligjshme dhe të paligjshme kapitaliste. Ndoshta neo-komunistët përdorin raki dhe hashash si pjesë e një strategjie për të tërhequr sa më shumë të rinj pranë vetes. Por kjo strategji, edhe nëse ka sukses, vetëm sa do të ndihmonte më tepër tregun kapitalist të shitblerjes së këtyre mallrave. Ajo çka vihet re, në fakt, është se neo-komunistët e kanë braktisur materializmin. Ata besojnë te fuqia çudibërëse e shenjave, e simboleve, e domethënies së gjërave, por jo te forcat materiale. Siç do të shprehej filozofi amerikan Levi Bryant, në vend të një politike termodinamike, e cila merr në shqyrtim mënyrën se si lidhen gjërat në kapitalizëm dhe përpiqet t’i ndërpresë këto lidhje (bie fjala përmes grevës), ata ushtrojnë një politikë semiotike, e cila synon ndërgjegjësim për gjendjen e gjërave, por jo veprim direkt mbi to.

Neo-komunistët janë njerëz që lexojnë. Shumë madje. Por edhe ky aktivitet i tyre nuk e rrezikon aspak kapitalizmin. Tek individi neo-komunist leximi ka prodhuar mbi të gjitha cinizëm, ashtu siç e gjen te pjesa dërmuese e shqiptarëve që nuk kanë kapur libër me dorë gjatë jetës së tyre, por thjesht kanë jetuar në këtë vend. Te sistemi kapitalist leximi i literaturës marksiste ka prodhuar fitim. Vlen të përmendim që askush nuk e riprodhon më mirë kapitalizmin se mendimtari post-marksist slloven Zizek, idhull i shumë prej neo-komunistëve shqiptarë. Sa më shumë interes ngjallin idetë anti-kapitaliste të Zizek, aq më shumë shiten librat e tij dhe aq më shumë fitim monetar ka ai vetë dhe shtëpitë botuese që tregtojnë librat e tij.

Neo-komunistët mbase nuk janë hipokritë. Mbase vërtet besojnë tek idealet që shprehin, apo edhe te mënyra e realizimit të tyre. Veçse ata duhet ta kuptojnë se komunizmi nuk është tjetër veçse një lëvizje proteste, një pozicion prej nga mund ta kritikosh kapitalizmin, por jo ta përmbysësh. Kapitalizmi, ashtu si koncepti i Hegelit, ka treguar se është i aftë të përmbajë edhe të kundërtën brenda vetes. Nëse ndokush do të kishte shpikur recetën e përmbysjes së kapitalizmit, dikush tjetër do ia kishte blerë patentën e shpikjes e do ia kishte shitur më shtrenjtë një të treti.

Rubrika Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria e vogël, fillimi i mbarë i mandatit të dytë

Nga Ervis Iljazaj Tashmë që Partia Socialiste ka fituar e vetme zgjedhjet...
Read More