Nëpër rrathët e mbijetesës së qenies shqiptare

 

Nga Behar Gjoka – Teksti Të ftuar në rrethin e dhjetë, shënon romanin e gjashtë të autores Flutura Açka. Ky roman për polisemantikën e sugjeruar, rrafshet ligjërimore, shprishjen e caqeve kohore, sidomos për grishjen për të depërtuar prapa ferrit, ku gjallon qenia shqiptare, përfaqëson një cak shkrimor të romanit në letrat shqipe. Shpesh njeriu modern, në jerm, kredhur në makabritet, ku njeriu, simbas B. Kroçes, shihet si pengesë për t’u kapërcyer. Romani, sugjeron disa nivele leximi:

A – Jemi në njërin prej rrathëve të projektuar nga Dante, të cilët ende lëshojnë valë. Në lidhje me amën e qenies shqiptare, gjendemi në njërin prej rrathëve të Camajt, plazmuar te romani Rrathët.

B – Posaçërisht, sikur jemi në rrethin e dhjetë, me gjasë rreth i shtuar, krahas rrathëve danteskë. Një rreth tjetër, i hidhur, më i zi se gjithë rrathët. Në këtë shtjellë rrëfimore, ku diktatura dhe demokracia, përleshen dhe kacafyten, e prandaj jemi në rrethin e pushtimit nga vetvetja, si rrethi i dhjetë. Është një ngasje dhe aureolë, trumpirëse për të mbetur në të djeshmen.

C – Një ftesë për të çelur sytë e mendjes, për të prekur rrathët, rrethin e dhjetë, ku ndeshim pushtimin nga vetvetja, në një pezulli, as në demokraci, e as në diktaturë.

Hetimi i këtyre rrafsheve, të inspirimeve autoriale, lidhur me receptimin, është mënyra për të vështruar prapa perdes letrare, në kufijtë e groteskut dhe tragjikes shpërfytyruese të qenies.

Hapësira paratekstuale dhe ndërtekstuale

Prania e Dantes, si liri dhe shenjëzim artistik, shpaloset përmes dy rrugësh:

Së pari: Rrathët e Ferrit, si një paratekst i rrethit të dhjetë, një situatë që ende shpërndahet në rruzull, është forca përtrimëse e qenies, shenja estetike, që përshkon letërsinë e përbotshme.

Së dyti: Prania e shprehjeve të rrathëve e Ferrit, të cilat shoqërojnë linjëzime paralele të papërputhura. Përfshirja e qindra stilemave artistike, shkëputur nga Komedia Hyjnore, integruar në sekuencat autoriale, mundëson situimin e ndërlikuar të huamarrjes. Rimarrja e shprehjeve dhe vendosja në tekstin e romanit Të ftuar në rrethin e dhjetë, mundëson endjen ndërtekstuale.

Situata paratekstuale, shënimet në fillim, hipotetika paratekstuale e Ferrit, titulli, bartja e një morie frazash, si parashtresë ndërtekstuale, ka endur romanin palimpsest, e pati sugjeruar Borhes, të librit që gjithherët rishkruhet. Po ashtu ka shqiptuar përmasën postmoderne, duke e risemantizuar kohën si pakohësi, simbas Umberto Eco.

Një parabolë mbi natyrën e pushtetit, që bartet nga njëri tekst te tjetri. Në faqet e romanit, jemi në shenjim të rrethit të dhjetë, rrethit të kohërave moderne, i cili materializohet, kuptimësohet nga rrethana e palimpsestit. Në dialogun që këmbejnë protagonistët e romanit, një element artistik identifikues dhe portretizues, ndeshim edhe këtë situatë: -Rrethi që Dantja nuk e kishte menduar kurrë, shtatë shekuj më pas ka njerëz që nuk i nxë asnjë rreth i tij,që kanë tashmë një kompleks të tillë fajesh, të paparashikuara nga Dante. , që shqiptojnë makabritetin.

 Struktura e rrathëve dhe “kronikat” brenda ngjarjeve

Prania e dhjetë rrathëve, pra e një rrethi më shumë se Ferri, ose e një rrethi të vetëm, që shpërfaq të nëntë rrathët, qarkëzohet: – Nga situata e paratekstuale, që përcjell falenderimin e autores, që vijon me copëzën Fillesë, e cila ngre siparin e tekstit; – Mbyllja e romanit ose situata pastekstuale, e cila emërtohet Mbaresë që e zbulon makthin e përjetuar, në Rrethin e Dhjetë.

Në këtë qerthullim të Fillesës dhe Mbaresës, me gjasë të prologut dhe epilogut, endet realiteti letrar, që përbëhet: – Rrethi i parë, me katër episode, ku i pari nuk ka emërtim, pjesa tjetër, shënon tre kapitujt e parë. Këtu njohim personazhet kryesorë, çastin që ata kanë zgjedhur, për të festuar, se si e zbulojnë pamjen tronditëse, ku noton politika dhe shoqëria shqiptare, e kapluar nga hashashi dhe korrupsioni; – Rrethi i dytë, ku përfshihen episodet katër, pesë dhe gjashtë, krahas episodit pa shënim.

Në këtë hapësirë teksti, nisur nga biseda e personazheve, të dhënat tërthore, të rimarra në kujtesën e kohës, kuptojmë se çfarë ka ngjarë me qenien shqiptare nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe në diktaturë; – Rrethi i tretë, hyjnë episodet shtatë, tetë dhe nëntë, si dhe fragmenti pa numër. Në këtë pasazh, ka hyrë në zemër të shpërfytyrimit të skenës politike, madje teksti ndërfutet në marrëdhënie nëntekstuale me fraza nga Ferri i Dantes. Vënia përballë ferrit shqiptar, në kapërcyell të shekullit të njëzet e një, me Ferrin universal të Dantes, krijon situimin e ecjes metaforike paralele, e cila mundëson endjen e premisave për të kuptuar se mëkatet dhe mëkatarët e Shqipërisë, të kësaj kohe, e tejkalojnë edhe errësirën e ferrit, në hapësirat e komedisë hyjnore; – Rrethi i katërt, ku përveç episodit pa numër, janë shtjelluar kapitujt dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë.

Pasazhet zbulojnë marrëdhëniet njerëzore, një shëtitje në botën librore, e cila vjen si situatë e ngjashme me tekstet dramatike dhe, mbi të gjitha aty shpalosen pasojat e shkujdesjes kryeministrore, për të lejuar kanabizimin e gjithë vendit; – Rrethi i pestë, me kapitujt trembëdhjetë, katërmbëdhjetë, përveç episodit paraprirës. Në këtë rreth, kamera ka depërtuar në thellësi të ferrit, në jetën politike, shoqërore dhe individuale.

Theksimi i mozaikut fetar, si dhe plasimi i fytyrës së ashpër, të ferrit mbitokësor, e shpërfaqin si një tablo-akuzë e shpërfytyrimit, ku shprehja: … të jem larg çorbës demokratike me tharm diktature…(2017: 256); – Rrethi i gjashtë, ku krahas episodit pa numër, janë kapitujt gjashtëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë. Figurimi i pasojave të ferrit, të murtajës së braktisjes së atdheut, i ankthit për të gjetur një atdhe të dytë, që nuk e shpërfytyron qenien shqiptare, nëpërmjet asimilimit të butë dhe të ashpër, zë vendin kryesor; – Rrethi i shtatë, hapet me episodin pa numër, një kronikë e vitit 1997: 

Tani shkërmoqja e shtetit, e kishte anuar kombin dhe asaj i përziheshin kujtimet e asaj dite kur marrëzia kishte marrë në dorë çelësat e qytetit…(2017: 343). Përballë kësaj marrëzie, në kapitullin e njëzet vihet “epoka” e përballjes së kështjellës së pamposhtur të socializmit me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik, si dhe në kapitullin njëzet e një, shqiptimi i heroizmit të timonierit të tepsisë; – Rrethi i tetë, përbëhet nga episodet, njëzet e dy, njëzet e tre dhe njëzet e katër, krahas pasazhit fillimtar.

Këtu ndeshim situatën: – Rrethi që Dantja nuk e kishte menduar kurrë, shtatë shekuj më pas ka njerëz që nuk i nxe asnjë rreth i tij, që nuk i nxe asnjë pisëhane, që kanë aq shumë mëkate e faje bashkë, që kanë tashmë një kompleks të tillë fajesh të paparashikuara nga Dantja…(2017: 431). Në këtë rreth makabër sugjeron autorja, të futen: Spiunët, Operativët, Tradhtarët, Besëthyerit, Dosjebërësit, Hetuesit, Prokurorët, Gjykatësit: Gardianët, Ekzekutorët, vrasësit, varrmihësit; – Rreth i nëntë, ku ndeshim situatën: 

Ata janë tani qenie me një të tashme të shkokluar, të zënë në lakun e pabesisë së të shkuarës, të helmuar nga fati i të qenit shqiptarë…(2017: 451). Po aty:… mbase një ditë të ardhme do të mudn të shpjegohen në zonat pendimtare të Rrethit të Dhjetë të Ferrit njerëzor, diku në mosqenie ku kërkohet shpagim nga shpirtrat për shpitrat.

Hapësira e lirë e përcaktimit të romanit si zhanër i hapur, simbas teorisë dhe praktikës së shkrimit, është dinamika e strukturës kompozicionale. Romani Të ftuar në rrethin e dhjetë, përbëhet nga dymbëdhjetë njësi kryesore, të fillimit, të zhvillimit të ngjarjeve, e shtrirë në një atmosferë njëshekullore. Rrathët, lënda kryesore, përbëhet nga nëntë episode, që u paraprijnë njëzet e katër kapituj, të cilët emërtohen me numra, ku rrethi i nëntë ka vetëm episodin pa numër. Përmasa e plotë, përbëhet nga tridhjetë e pesë njësi strukturore e rrëfimore.

Krahas njësive kryesore, ndarjeve me dhe pa numra, në roman, ndeshim gjendje letrare, siç e pati emërtuar I. Kalvino, që e përmbysin rrjedhën strukturore. Është fjala për episode të ndërfutura nëpër kapituj, si ndodhi brenda ngjarjeve. Në Rrethin e Tretë, në mesin e kapitullit shtatë, futet historia Shënime mbi jetën e kapitenit Gerard Malinkord, e cila nis në krye të faqes 130-135. Paraqitja e historisë së kapitenit holandez, që ishte takuar me Edit Durham, histori që të shpie te luftërat ballkanike.

Po ashtu, në Rrethin e Pestë, kapitullin trembëdhjetë, në fundin e faqes 241-244, ndërfutet episodi Sëmundja e Babait e Jan Von Andel, e cila ofron atmosferën e Luftës së Dytë Botërore. Në Rrethin e Gjashtë, kapitulli tetëmbëdhjetë, mesi i faqes 319-322, kemi një situatë të pasojave nga droga.

Në pjesën “Mbaresë” në mesin e faqes 459-461, ndërfutet një episod nga viti 1976, kur festohej dhjetëvjetori i Majlit, si ndërprerje e ëndrrës së saj. Në një kuptim, ndonëse janë integruar në tekst, janë katër kronika, që hedhin vështrimin në të kaluarën, e qenies shqiptare, dhe vlen sjellja në vëmendje e pohimit të Ernesto Sabato: Detyra kryesore e romanit sot është të gërmojë njeriun, çka do të thotë të gërmojë të Keqen.

Njeriu real ekziston qysh nga rënia. Nuk ekziston pa Djallin: Zoti nuk mjafton.Episodet e rimarra, që shpalosen si digresione, të ndërfutura në roman, duke anësuar nga kronika, dhënia e informacionit, ndikojnë të përmbushet aspekti i vërtetësisë së tablosë, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, që zbulojnë kalvarin e shqiptarit, në shekullit e kaluar dhe në kapërcyellin e shekullit të njëzet e një.

Ndërthurjet kohore dhe hapësinore

Ngjarjet, që shpalosin një tablo shumështresore, si kohë dhe semantikë, që mundëson endjen e substancës letrare, ngjizjen e një rebusi letrar, janë vendosur në dy hapësira reale:

– Në atdheun e parë, që lëngon nga pesha e politikës, që lëviz në Skampis, ose qyteti i lindjes. Megjithatë, shpesh kamera shëtit nëpër Shqipëri, me një kohë më të zgjeruar në Tiranë.

–  Në anën tjetër të detit, qyteti i Firences dhe Dantes, që ka endur magjinë e rrathëve të Ferrit, si dhe në Hollandë, që në një kuptim është adheu i dytë i autores, aty ku liria preket, nuk përjetohet si ëndërr. Kjo rrethanë pezullie, e ikjes së detyruar prej atdheut tënd, sepse të vret po kërkove lirinë, e ikjes në anën tjetër të detit, ku nuk ta dhuron askush lirinë, por atje nuk ka pengojca për ta kërkuar atë. Situimi letrar, i braktisjes fizike të atdheut të parë, por dhe një peng shpirtëror, i gjetjes së adhteut të dytë, që të jep gjithçka, por nuk ta shuan mallin, për atdheun parak, përbën thelbin e mesazhit të dyzuar, midis dy hapësirash.

Fati i autores dhe teksteve letrare, tashmë e ka brakstisur “ishullin” e vetmisë dhe endet në hapësirat e lirisë. Përthyerjes së fatit të qenies, që endet në dy atdhe, i avitet hapësira e komunikimit në dy a më shumë gjuhë. Parashtrimet gjuhësore, përftesat e huamarra nga gjuhët e tjera, të krijojnë ndjesinë se letërsia shqipe, po shkëputet prej “gardhimit të letrave shqipe”, që komunikimi absurd me vetveten, vetëmsa vonon integrimin e kulturës, letërsisë dhe të vetë qenies. Vendosur në këtë udhëkryq, jetësor dhe kulturor, të identifikimit të atdheut, si ura e komunikimit me horizontin e qytetërimit, i jep librit përmasën e një tabloje të fatit të shqiptarëve, në të dyja anët e detit, në shekullin e njëzetë, në epokën e esktremeve, siç e pati përcaktuar më herët Eric Hobsbaum.

Teksti, në përmasën kohore, sugjeron pakohësinë, ose kohën që ngërthen kapërcyellin e dy shekujve. Megjithatë, në hapësirën tekstologjike, në situimin e kohës letrare, si dhëniemarrje ndërkohore, ravijëzohen dy fibratura: – Koha e pamatshme hipotetike e artit, e konceptuar si kohë letrare, e cila paralajmërohet nga prania hipotetike e rrathëve të Ferrit të Dantes, si një magmë tektonike letrare; –

Koha reale, që ka të bëjë me rrafshet jetësore, e fatit të qenies shqiptare, në vitet e diktaturës dhe demokracisë, ose në praninë hibride të saj, që ndryshe quhet demokraturë. Shpërfytyrimi i djeshëm vrastar, e sotmja e mjegullt, vjen e shpaluar në hipotetikën e sendërtimit estetik, që ndërthur realitetet e kohëve të ndryshme. Dykohësia e realitetit letrar, e cila gjellon në rrathët e ferrit dantesk, në anën tjetër, sjellja e pamjeve konkrete të qenies shqiptare, nën shembëllimin e dy sistemeve, të diktaturës dhe demokracisë, që ngjajnë si dy pika uji, e prandaj janë të kapërthyera, në një situatë të komplikuar shpërfytyrimi të plotë.

Kapërthimi i linjave romanore

Për shtrirjen dhe ndërthurjen kohore, gjerësinë e hapësirave, sugjeron një situatë të rrokjes së realitetit, në pjesën e dytë të shekullit të kaluar dhe kapërcyellin e shekullit të ri. Për ta plasuar kohën letrare, si një realitet ndërkohor, në tekst ka shtjelluar shumë linja. Në këtë shkapërderdhje linjash, megjithatë nuk është bdarur fokusimi në piketat referenciale. Në morinë e linjave, më të vijëzuarat janë: E para: Në qendër është linja politike, e mishmashit ku noton demokracia allashqiptarçe. Prej viteve ’90, ka rënë sistemi diktatorial, por ka mbetur mendësia e përjashtimit.

Spiunët dhe komunistët, janë konvertuar në anëtarë partish, në demokratë e socialdemokratë, mbi të gjitha në socialistë, që dinë të vjedhin dhe sundojnë, të cilët përvojën e Lazaratit, krijesë e demokratëve, e kanë shndërruar Shqipërinë në kopsht të hashashit. E dyta: Pranë linjës politike, si e ndërthurur, është linja shoqërore, e cila dëshmon traumën e qenies shqiptare, peng i krimeve të së djeshmes, që endet si hije, nëpër theqafjet e ëndrrës dhe zhgjëndrrës. E treta: Pjesë e makthit politik dhe shoqëror, që vret shpresën, është jeta individuale. Festa miqësore, ditëlindja e Majlit, lektisja për ta shijuar dashurinë, që bëhet shkak për të prekur vrasjen e të dy dashurive, duke e patur shkakun te rrënjët e së djeshmes, që vjen nga krimi dhe mbijeton prej kriminalitetit.

Triniteti i linjave, ku veçuam linjat “rembrandiane”, ka ndikuar që qenia shqiptare, të skicohet me përthyerje, për të endur tablonë e absurdit, që lëviz në rrethin vicioz pa shtegdalje.

Gjithdija rrëfimore dhe personazhet

Struktura, e shtrirë në kohë dhe hapësirë, shpaloset përmes narrativës së gjithëdijes. Kundrimi i botës nga kjo pikë referenciale, ku mundësuar që diktatura, të vijë e risemantizuar, përmes groteskut, siç e pati formuluar Umberto Eco. Tipologjia e narrativës së gjithdijes, ka sendërtuar botë romanore, me disa aspekte: – Ndërthurja kohore, e djeshme e sotme, që ndikon për të kuptuar shëmtimin e diktaturës dhe shpërfytyrimin e demokracisë; – Kapërcimi i hapësirave të ngujuara në oborrin e mjerimit tonë, të krenarisë së marrëzisë dhe, dalja në botën e qytetëruar;

– Depërtimi në dritëhijet e qenies, më përtej spektrit bardhë e zi; – Evidentimin e kolizionit dramatik të qenies shqiptare, si projektim simbolik i rrethit të dhjetë. Mbizotërimi i narrativës së gjithdijes, vendosur në situim fiktiv, shpesh shpërndërrohet në rrëfim të personazhit. Përveç pranisë, si narrativë e gjithdijes, kjo tipologji ndërkaq evidenton rrëfimtaren-kronikane. Prania e rrëfimit të trefishtë, të tre protagonistëve, shqiptohet përmes kujtimeve, që përimtësojnë ngjarjet. Romani, Të ftuar në rrethin e dhjetë, spikat për figurimin e personazheve.

Tre miqtë e hershëm, janë mbledhur për të festuar ditëlindjen e Majlit. Në pritje të festës, me anë të dialogut të shpejtë dhe meditimit ata, zbërthejnë dykohësinë, në mes diktaturës dhe demokracisë së brishtë. Situatat në të cilat vendosen protagonistët, fati që i detyron që të jetojnë në dy atdhe, në dy realitete kulturore dhe mentale, mundëson zbulimin e tipareve, njerëzore, me dritëhije, si tipa dhe karaktere të skalitur. Tre personazhet janë gdhedur në detaje, të lidhur në kohë dhe hapësirë, në fatin e brishtë.

Genti, Majli dhe Gjeneza, enden në hapësirën që shënon dy atdhe, si hije dhe njerëz. Enden si hije në rrokopujën e shkatërrimit të qenies prej kontrollit ideologjik. Rreken, me shpresën e kotë, se kanë dalë nga tuneli, megjithatë, çdo ditë kuptojnë, se rreken më kot. Njerëz që e duan jetën, ndonëse lektisen në ëndrra dhe zhgjëndrra, sepse e djeshmja, nuk i lë ata, këmba-këmbës. Këto personazhe, ndonëse janë vendosur në dy kohë, në kohën e diktaturës, dhe në motet e demokracisë, përpos se në dy a më shumë atdhe, vijnë të plasuar si figura realiste, me dritëhije dhe pa shenja zbukurimore.

Romani i fundit i Flutra Açkës, e përçon jetën e qenies në gjithanshmëri, strukturuar në shumë rrafshe, derdhur me ngjyresa të ashpra, të jetës me shpresa dhe ëndrra të vrara, sendërtuar si një tablo, me ndarje dhe kapërthime, me përftesa gjuhësore dhe letrare të përveçme, të përkujton thënien “Ferri është bosh… Të gjithë djajtë janë këtu”( William Shakespeare), si një akuzë që zbulon shkaktarët, politikën dhe politikanët mashtrues të dherit tonë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Era Istrefi, Së shpejti në bashkëpunim me Will Smith dhe Nicky Jam!

  Era Istrefi renditet ndër shqiptaret më të suksesshme në botën e...
Read More