Nëse do isha De Biasi!

Vladimir KarajNga Vladimir Karaj

Shqipëria është e fundit në listën e pretendenteve për të fituar Europianin. Shqipëria madje ka arritur, përtej asaj që shumëkush mendonte, kualifikimin. “Ky ishte suksesi”, i tha Armando Duka Revistës Mapo, në numrin që do publikohet së shpejti. Në Europian lojtarët kanë porosi vetëm të kënaqen me lojën dhe se askush nuk duhet t’i vërë nën presion ata që tashmë kanë vendosur një gur në historinë e futbollit të vogël, të një vendi të vogël. Gjithçka më shumë sipas kreut të FSHF-së, qoftë edhe një barazim është një plus.

Por ne sigurisht duam të fitojmë Europianin. E nëse nuk e fitojmë atë në fushë, me skemat, formacionet dhe analizat që mediat, kryesisht online, kanë prodhuar së fundmi, ne do të fitojmë së paku Botërorin.

Një javë më parë, faqet e shtypit ishin plot polemika se pse ishte ftuar ky apo ai lojtar. Se një vend i takonte “atij” dhe jo atij “tjetrit”. Dje, ato shpërthyen me “skandale” e “prapaskena” për largimin e Rashicës e Gjimshitit, Rrahmanit e Shalës. Gianni de Biasi, trajneri që fitoi me këtë kombëtare atë që nuk e kishin bërë kurrë, u kryqëzua. Në një konferencë për shtyp, ai u largua i nervozuar pasi edhe pse kishte dhënë argumentet e tij mbi listën me 23 lojtarë, gazetari nuk shqitej pa mësuar nëse kishte qarë.

Dhe problemi nuk mbaron këtu. Mediat, portalet online, supozojnë se kanë info të brendshme dhe ngrenë teori konspiracioni, përpiqen ashtu siç bëhet normalisht me çdo ngjarje në vend, të gjejnë një arsye përtej arsyes. Me herët, për hatër të klikimeve, një tufë e këtyre mediave publikuan një listë të kombëtares që nuk qe e tillë. Lista nuk ishte ndonjë rrjedhje informacioni, ajo me gjasë ishte një sajesë ashtu siç po sajohet një histori me prapaskena dhe bërryla jo sportivë, luftë dhe lot pas daljes së listës së vërtetë.

Analistët e portaleve, që maksimumi dinë për lojtarët atë që kanë parë në video YouTube, kanë për borxh të ta japin në pjatë Evropianin dhe Botërorin fundja. Trajnerët, ata që e dinë si bëhet një selektim dhe sa dilema ka pas tij, nuk do futeshin kurrë në këto gjykime. As Astrit Hafizi dhe as Shpëtim Duro nuk e gjykuan trajnerin për vendimet e tij, sepse me gjasë e dinë që pas tyre ka një mori motivesh, përfshi ato subjektive, se kë do i pëlqente trajnerit të kishte në ekip. Kjo është tek e fundit arsyeja pse kemi një trajner, i cili para se të vendoste, ka parë nga brenda skuadrën, pa folur pastaj se ai është i pari i interesuar për të marrë më të mirën e grupit.

Vetëm Joachim Loew e di pse duhej të linte jashtë Bellarabin e Leverkusen, vendi i tretë në Bundesligë dhe të merrte Podolskin e Gallatasarait. De Biasi është përpjekur të bëjë të qartë diçka të ngjashme. Pak ditë më parë, ai tha se i duheshin lojtarë që mund të rrinin në stol pa varur turinjtë dhe ndërsa për mua si tifoz, Milot Rashica do bënte namin, në modulin e lojës së trajnerit që i kemi besuar këtë punë dhe na e ka shpërblyer mjaft mirë, ai mund të mos jetë i duhuri.

Si tifoz, askujt nuk i hiqet e drejta të ketë më shumë preferencë për një lojtar se një tjetër. Dikush mund të pëlqejë Veselin dhe dikush Gjimshitin, dikujt i pëlqen Rashica e dikush mendon që Roshi do ta bëjë atë punë edhe më mirë. Cilido që të largohej prej kombëtares apo të mos ftohej do kishim një arsye për t’u mërzitur dhe po ashtu për të sharë si tifozë të njërit apo tjetrit, por askush nuk e njeh ekipin më mirë se trajneri dhe ndihmësit e tij dhe askush veç tij nuk e di pse Veseli është më i domosdoshëm se Gjimshiti.

E nëse ky lloj gjykimi iu falet tifozëve, media nuk duhet të bënte tifozllëk. Kjo me gjasë është e vështirë t’iu kërkohet. Një javë më parë, të njëjtët kryqëzuan Mërgim Mavrajn për shkak të besimit të tij. Një lojtar, që luajti me brinjë të thyer, për të përmbysur Armeninë në Elbasan e pa të cilin sot do ishim duke pritur fitoret e Gjermanisë, Italisë apo Anglisë.

Ajo që ne dimë është se Gianni de Biasi dëshiron të fitojë dhe është duke planifikuar pikërisht këtë, pavarësisht nëse do ja dalë apo jo. Portalet ndërkohë kanë fituar Botërorin dhe kanë rrahur Brazilin në finale. Asgjë s’e ndryshon këtë fabrikim nga gjithë të tjerët…

Shkruar Nga
More from revista mapo

Bombaj: Ja ushqimet që garantojnë pleqëri të shëndetshme

Për moshën e tretë, rekomandohet një dietë e pasur me ushqime të...
Read More