Nëse kulla është kali, stadiumi është Helena e Trojës

stadiumiNga Alfred Lela

Imagjinoni një kullë. E cila mund të jetë ajo që ne shqiptarëve na vjen në mend kur imagjinojmë një të tillë. Tipike e veriut: e bardhë, dykatëshe, me kulmin dërrasë në ngjyrë gri dhe frëngjitë e errët dhe të heshtur si sytë e një të verbri kaherë në agoninë (apo çlirimin?) e mungesës së dritës.

Tani imagjinoni një kullë tjetër, krejt të përkundërt me të parën: e gjatë, e hollë, shumëkatëshe, një gjirafë betoni e qelqi, që përndryshe quhet grataçelë apo qiellgërvishtës. Diskutimi për këtë kullë të dytë në Tiranën e vitit 2016 është po aq i zjarrtë sa dhe debati pro e kundër futjes së dhuratës greke (kalit), në një vit homerik që as kalendari s’e shënon. A është kulla e stadiumit dredhia e Edi Ramës për të futur në qytet ‘industrinë e ndërtimit’, këtë kalë që do ta djegë Trojën e Tiranës?

Një gjë duhet thënë në fillim: z. Rama është sjellës i ndërtimeve, nuk ka rëndësi, kur qeveris si kryetar bashkie apo kryeministër. Edhe pse e fillon me shkatërrime, ai shpejt shfaqet mbi kodrën e agorës publike si Francisko Pizzaro në majë të konkuitës, me skela, skica e epifaninë e ndërtimtarisë. Kur mori Bashkinë e Tiranës në fillim të viteve 2000, ia nisi punëve me shkatërrimin e kioskave në Parkun Rinia dhe në bregLanë; më pas iu fut ndërtimeve. Nëse Parku Rinia dhe Lana janë çliruar prej tij; po e tija është një Bathore urbane me emrin jakobin ‘Komuna e Parisit’.

Sa erdhi në krye të qeverisë, shtator 2013, ai iu fut edhe njëherë shkatërrimit, duke prishur ndërtime me e pa leje, në selektivitet apo në një bixhë politike të zgjedhjes e kuqja/bluja. Tani është radha e ndërtimtarisë.

Nëse themi këtë, nuk mund të mos vërejmë edhe atë tjetrën. Për t’iu kthyer parabolës së kullës së parë, asaj të veriut me frëngji, le ta pranojmë se nga një frëngji i shohin punët e Ramës një pjesë e mirë e atyre që kundërshtojnë stadiumin me kullë. Një ngushticë mospajtimi e kundërshtimi hakmarrës, e cila mund të përmblidhet te përbetimi: Ne jemi kundër kullës se po e bën Rama, dhe në çdo gjë që bën ai, kundër do të jemi!

Nuk mund të mos kujtojmë se pre e kësaj sindrome të kundërshtimit ka qenë edhe kryeministri paraardhës, Berisha. Apo se në zhganin e kundërshtuesve dallohen të njëjtat profile ku dalta e skulptorit mund të jepte si më zotëruesen shprehjen e një pakënaqësie të përhershme. Hidhini një sy aktivitetit publik të pjesës më të mirë të kundërshtuesve dhe do vini re se nuk kanë qenë pro asgjëje. Kalorës të Apokalipsit kanë qenë dhe janë.

Edi Rama, siç ndodh me të gjitha kurthet të cilat ua ngre të tjerëve, po bie edhe vetë brenda. Ai nuk ka çmuar asnjë punë të kundërshtarit dhe tani përballet me të njëjtin nënçmim e zulmë. Ai dhe ata pas tij kanë ngritur rreth Rrugës së Kombit apo rrugëve në përgjithësi, një re pluhuri e marrëzie, vetëm se ishin vepra publike, ideues dhe përçues kryeneç i të cilave ishte Sali Berisha. Tani mund të na thonë: A duket stadiumi mes përmes këtij pluhuri, reja e të cilit nuk është ulur?

Shqiptarët nuk dinë t’i thonë ‘të lumtë’ rivalit apo konkurrentit politik dhe kjo frëngji bihejvioriste është një shteruese energjish, besimi dhe kohezioni publik.

Kulla e dytë, në imagjinaren publike po ravijëzohet si kalë Troje nga kundërshtuesit dhe si Helenë nga mbrojtësit. Parimi mbi të cilin bazohet ky joint venture paradoksalisht kundërshtohet në vend që të mbështetej: Një sipërmarrës privat ofron një vepër publike në këmbim të një ndërtimi që do i lejonte kthimin e fitimit. Imagjinoni për një çast sikur makutëria e shtetit dhe privatit, të mos kish qenë e tillë (më e madhe se e Agamemnonit për Trojën), si do të dukej sot Tirana? Sikur, për çdo leje ndërtimi të një pallati, në shkëmbim të një lehtësimi çfarëdo, shteti t’i kish kërkuar ndërtuesit privat një vepër publike në komunitet. Çfarëdo: parkim, park, hapësirë të gjelbër, mjedis sportiv, rikonstruksion shkolle, e me radhë.

Nuk ka ndodhur sepse ai përfitimi imagjinar i komunitetit ka shkuar në xhepat e lejedhënësve. Nga të dyja anët politike. Pa dallim.

Kështu që lebetia antikullë dhe entuziazmi prostadium janë dy portrete të Janusit, që i kemi parë të rrotullohen në karuselin e debatit publik, kaq shpesh e sa fort. Këtë rast të fundit me një paradoks: të gjithë janë kujtuar për fasadën e stadiumit të arkitektit të kohës së fashizmit, duke kërkuar mbrojtjen, dhe asnjë për emrin. Të majtët nuk janë qarë për Qemal Stafën (një trim nga të malit), ndërsa të djathtët, ndoshta as janë kujtuar për t’u gëzuar në heshtje, se qytetit po i ikën një simbolikë e kundërshtarit ideologjik.

Në llogarinë e madhe të përfitim/mospërfitimeve, mejtime të tilla janë qindarka.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Studio virtuale UET: Fjala e fundit e Hollivudit në Shqipëri

Pedagogu Shpend Bengu dhe studentët e Dizajnit në UET ndërtojnë të parën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.