Nëse mbijetesa e NATO-s është në rrezik: A ka Shqipëria një plan “B”?

Nga Kristaq Xharo

Deklarata ‘bombë’ e drejtuesit më të lartë të NATO-s për mbijetesën e aleancës nuk duket se arriti të tërheqë vëmendjen në të dy anët e Atlantikut. Ndoshta kjo për arsye se disa ngjarje të tjera kapën axhendën e brendshme dhe ditore në perëndim. Ndërsa në SHBA veprimet e presidentit Trump kapin titujt kryesorë të lajmeve, në anën tjetër të Atlantikut në Evropën Perëndimore, lufta tregtare, e kriza e refugjatëve mjegulluan çdo lajm tjetër. Në të vërtetë lajmi tronditës i lëshuar nga Stoltenberg, kreu i NATO-s dallohet për tri elemente specifike: koha, vendi, mënyra.

Së pari, koha lidhet me samitin e NATO-s që do të zhvillohet pas pak ditësh në Bruksel dhe askush nuk e parashikon rrjedhën e samitit, që padyshim do të dominohet nga Trump. Do të jetë ky samit vazhdim i G7 që vlerësohet se ishte një dështim spektakular apo ‘gardianet’ në kabinetin e Trump (Mattis, Pompeu, Kelly e gjeneralë të tjerë) do ta ‘inkurajojnë’ presidentin duke i kujtuar që NATO është po aq e rëndësishme për amerikanët sa edhe për evropianët. Pavarësisht prej kësaj, situata e përgjithshme nuk është aspak premtuese. Nuk është thjesht barra financiare që pjesa më e madhe e vendeve të NATO-s nuk kanë arritur të plotësojnë, por e gjithë situata e tensionuar që ekziston midis aleateve të mëdhenj perëndimorë. Tërheqja nga marrëveshja e klimës, tërheqja nga marrëveshja nukleare me Iranin dhe shpallja e luftës tregtare me Evropën janë shkëmbinj të rëndë në rrugën për në samit. Për më tepër komunikimet midis SHBA dhe Gjermanisë pas deklarimeve të Trump për emigracionin në Evropë janë në pikë nevralgjike.

Së dyti, Stoltenberg zgjodhi si vend Mbretërinë e Bashkuar për ta lëshuar mesazhin. MB përfaqëson vendin themelues të NATO-s, dhe fuqinë më të madhe pas SHBA në Aleancë. Ajo përfaqëson gjithashtu aleatin më të ngushtë të SHBA në Evropë dhe në botë. Pozicioni i Britanisë, tashmë më shumë si fuqi e madhe jashtë BE, ka vlerën e përcjelljes më të fuqishme të mesazheve për aleancën sesa çdo anëtar tjetër i NATO-s. Gjithashtu Britania, edhe si fuqi nukleare, është një nga tetë vendet që ka plotësuar angazhimin për të mbështetur buxhetin e mbrojtjes me mbi 2% të GDP.

Së treti, drejtuesi më i lartë i NATO-s, asnjëherë nuk ka qenë më i drejtpërdrejtë se në këtë moment. Në thelb, ai tha se NATO është përballë rrezikut më të madh të ekzistencës. Këtë ai nuk nguroi ta thoshte në një mënyrë aspak diplomatike duke lënë të nënkuptohet se të gjitha mjetet e tjera janë konsumuar. Në të kundërt, ai nuk anashkaloi edhe shkaqet e krisjes së madhe midis SHBA dhe aleatëve të tjerë perëndimore. Kur Stoltenberg shprehet se “nuk është shkruar në gurë që lidhja transatlantike do të mbijetojë përgjithnjë…” duket se sekretari i përgjithshëm i NATO-s i ka hedhur të gjitha kartat në tavolinë. Samiti do të tregojë nëse do të jetë një histori kthese në ‘krisjen e madhe’ apo një vazhdim i asaj që ndodhi gjatë G7.

Dhe Shqipëria… Alarmi i Stoltenberg për NATO është kambana më e rëndë që më së tepërmi prek vendet e vogla, anëtare të NATO-s, të cilat gjithë politikën e tyre të sigurisë dhe të mbrojtjes e kanë lidhur me ombrellën e NATO-s. Pa këtë ombrellë, vendet, më shumë ata të vegjël do të humbasin në dilemat e sigurisë, pamundur që të rigjejnë veten në balancat e fuqisë. Megjithëse një analizë më e plotë do të jetë e kërkuar, ajo që mund të konstatohet në këtë fazë është se e ardhmja e Aleancës është më shumë se jetike për vendin tonë. Vendi ynë nuk ka asnjë variant për strategji alternative, plan ‘B’ që të bazohej në vlerësim jo vetëm të integrimit në aleancë, por edhe në kapacitetet e veta të fuqisë. Vendi ynë, që nga zotimi i tij, në kohën e pranimit në NATO (2009), në buxhetin e mbrojtjes nuk e ka arritur asnjëherë nivelin e 2%, pavarësisht ngjyrës së qeverive. Në të njëjtën kohë, ‘me shumë guxim’ vendi ynë ka vazhduar të reduktojë numrin e forcave të armatosura e mjeteve të luftimit në rekorde historike, që nga koha e krijimit si shtet. Aktualisht FA numëron jo më shumë se 8 500 trupa dhe ndodhet nën minimumin e nevojshëm. Nga 12 mijë që vlerësohej në 1912, në rreth 15.500 në kohën e mbretit Zog, në 60 mijë në periudhën e pasluftës e tashmë në 8.500 forca. Aktualisht ky numër është edhe më i vogël nga çfarë vetë NATO na kërkoi të kishim. Ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër, NATO është konsideruar nga elitat tona qeverisëse dhe jo vetëm nga ato, si zgjidhja e vetme dhe përfundimtare, ku për mbrojtjen e vendit tonë mendojnë të tjerët, përgjigjet aleanca.

Ne jemi një hallkë e zinxhirit që formojnë vendet anëtarë të NATO-s. Pa SHBA, ky zinxhir është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët. Sa më shpejt që të kuptojmë se në NATO, por edhe më tej duhet të mendojmë edhe veçmas për sigurinë dhe mbrojtjen, aq më mirë do të jetë për vendin dhe aq më të vlefshëm për një Aleancë më të fortë. Artikulli ‘5’ i NATO-s është bazë e aleancës, por më parë duhet rivlerësuar artikulli ‘3’ mbi të cilën ngrihet dhe funksionon aleanca i cili bën thirrje për kapacitete individuale kombëtare. Nuk është paradoksale nëse mendojmë, për një plan “B”, pra, që një ditë NATO mund të mos ekzistojë, siç shprehet edhe shefi i NATO-s Stoltenberg. E kundërta po. Për më tepër, si një vend i vogël nuk e kemi komoditetin për të mos menduar. Rreziku i cenimit të sigurisë së një kombi përmes kërcënimit (luftës) dhe shantazhit (agresionit) nga kombet e tjera konsiderohet gjithmonë si një mundësi e veçantë, por jo e lënë mënjanë apo e harruar, ndaj çdo komb i jep përparësi të parë sigurisë së tij. Edhe kur të tjerët harrojnë, Ballkani është vendi i kujtesës…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për opozitën buxheti duhet të jetë më i rëndësishëm sesa çështja Tahiri

Nga Ervis Iljazaj Dje ka mbërritur në komisionin e ekonomisë projektbuxheti për...
Read More