Nëse reforma administrative zvarritet, më mirë mos të fillojë

Nga Ervis Iljazaj

Një nga problemet më të mëdha që ka patur Shqipëria gjatë tranzicionit, është padyshim mungesa e një administrate publike efikase, e cila ka qenë një nga pengesat e zhvillimit ekonomik. Është e kotë të flasim për sistem fiskal progresiv apo të sheshtë nëse një vend i caktuar nuk ka një administratë efikase që të kthejë taksat e qytetarëve në shërbime që i nevojiten komunitetit.

Një nga gjërat pozitive të qeverisë Rama 2, është pikërisht reforma administrative që ajo ka shpallur si objektivin kryesor të saj. Në fakt, reforma e administratës publike ishte i vetmi premtim elektoral i Ramës në zgjedhjet e 25 qershorit dhe, në këtë kuptim është i detyruar ta çojë deri në fund atë.

Formimi i një qeverie të vogël, si dhe shkurtimi drastik i numrit të agjencive publike janë hap i parë i mbarë me qëllim lehtësimin e procedurave burokratike që janë kthyer në një makth të vërtetë për qytetarët dhe biznesin.

Mirëpo, nëse vërtet në këtë mandat të Ramës do të kemi një shtet të vogël dhe efikas mbetet për t’u parë, pasi numri i vogël i ministrive dhe agjencive administrative nuk përkthehet automatikisht në një shtet të tillë, sepse mund të kesh një qeveri të vogël dhe rritje shpenzimesh apo procedurash. Shtet i vogël është koncept dhe kulturë në marrëdhëniet midis pushtetit dhe qytetarëve.

Megjithatë, le të shpresojmë që qeveria Rama do ta çojë deri në fund idenë e saj të një shteti të vogël.

E rëndësishme në këtë proces të reformës administrative që ka nisur, është çështja e kohës. Që ajo mos të kthehet në një proces të stërgjatur i cili do të dëmtonte shërbimet që ofron shteti ka nevojë për një fazë tranzite relativisht të shkurtër. Nëse kjo fazë do të jetë zvarritëse, siç ndodh shpesh me reformat shqiptare, kostot në ekonomi dhe shoqëri janë më të mëdha sesa lënia e saj në gjendjen që është sot.

Sigurisht, që një transformim i tillë rrënjësor për shërbimet publike, ka nevojë për kohën e tij, por zakonisht ajo që e dëmton çdo proces të tillë është vullneti dhe siguria politike me gjithë koniunkturat e saj.

Në këtë rast është e udhës një vendimmarrje e fortë politike për të çuar sa më shpejt drejt realizimit përfundimtar reformën administrative.

Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për aprovimin e një ligji të punonjësit civil, por reduktimin e agjencive administrative që kërkon vullnet politik të hekurt, pasi Shqipëria asnjëherë nuk ka vuajtur nga ligjet, por nga vullneti i mirë politik për të çuar gjërat deri në fund dhe, me sa duket vullneti këtë herë nuk mungon.

Por, ngadalësia e kësaj reforme duhet evituar me çdo kusht. Një gjë e tillë do të çorientonte raportet midis shërbimeve, qytetarëve dhe biznesit. Në këtë kuptim paqartësia e tyre do të ishte një kosto shumë e madhe ekonomike. Kështu që, qeveria e re duhet të fokusohet së pari, te rindërtimi i gjithë administratës publike dhe, më pas në objektivat e tjerë të saj.

Përtej kohës teknike që kërkon reforma, nuk duhet humbur asnjë minutë në aplikimin e saj të plotë. Vetëm nëse ndërtojmë një administratë publike, e cila të jetë e aftë të dëgjojë dhe shikojë nevojat e shoqërisë dhe t’iu përgjigjet atyre në kohën dhe mënyrën e duhur, do të kemi mundësi të mendojmë për raportin e ri që duhet të ekzistojë midis shtetit dhe shoqërisë, i cili duhet të futet në një dimension të ri në funksion të zhvillimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Seanca për betimin e Metës, PS-LSI, debat juridik për “shkarkimin”

Kreu aktual i Shtetit, Bujar Nishani, ka dekretuar datën e mbajtjes së...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.