Nesër Rama do të shpallë qeverinë, po planin për ekonominë?

Nga Ervis Iljazaj

Brenda dy apo tri ditëve Edi Rama do të shpallë emrat e ministrave që do të përbëjnë qeverinë në mandatin e tij të dytë. Kështu do të qetësohen të gjithë ata që me padurim kanë pritur, janë kuriozuar dhe kanë spekuluar mbi emrat e ministrave. Të gjithë do të jemi më të qetë.

Mbas zgjedhjeve të 25 Qershorit u fol për gjithçka. Duke filluar që nga ideja e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike, te bashkëqeverisja me popullin e deri te gara se cila nga mediat zbulonte emrat e ministrave të rinj. Vetëm për gjënë më të rëndësishme nuk foli askush, atë të vizionit ekonomik dhe zhvillimit të saj nga ana e Partisë Socialiste.

Aq më tepër në një situatë ku ka të gjitha mundësitë , duke qenë se do të qeverisë e vetme në katër vitet e ardhme, për të shpalosur idetë e saj mbi ekonominë.

Ndoshta gazetat shesin më shumë kur bëhet fjalë për emra ministrash se sa për idetë ekonomike, por në një vend normal, në pritje të qeverisë të re, tema kryesore do të ishte se ç’do të bëjë ajo me ekonominë, si do të përmirësojë jetën e shqiptarëve?

Askush nuk u shqetësua se çfarë e pret ekonominë shqiptare në mandatin e dytë të qeverisë Rama. E gjithë vëmendja në këto kohë u fokusua tek emrat e ministrave të rinj. Sigurisht, që emrat e ministrave janë të rëndësishëm dhe, përbëjnë lajm për jetën politike, por nga qeveria e re duhet më shumë vëmendje për planin e saj të zhvillimit ekonomik se sa për emra të caktuar.

Max Weber, në librin e tij “Ekonomia dhe Shoqëria”, shprehet se “Nëse në një vend nuk flitet për ekonominë, ajo po shkon keq”.

A ndodhet ekonomia shqiptare në vështirësi për shkak se nuk flitet për të?

Në mandatin e tij të parë Rama ndërmori një seri reformash të domosdoshme, për të formalizuar ekonominë shqiptare, të cilat kanë filluar të japin efektet e tyre pozitiv. Mirëpo, dihet që kur ka rregullime ekonomia fillon e tkurret. Gjithashtu, një pjesë të rëndësishme të mandatit të tij të parë, e zuri politika estetike, gjithashtu e domosdoshme, në një vend ku hyrjet e qyteteve ngjanin si të një shteti në gjendje lufte.

Tashmë është koha që qeveria të fokusohet tek ekonomia.

Si do të rriten investimet e huaja?

Kjo ishte një nga akuzat që Rama iu drejtoi ambasadorëve tanë, për shkak se nuk kishin bërë aq sa duhet në këtë drejtim, ndoshta, me të drejtë. Megjithatë tërheqja e investimeve të huaja kërkon një strategji më të madhe se sa kaq. Për të qenë konkurrent me vendet fqinje kërkohen kushte ekonomike, duke filluar që nga krahu i punës, jo thjesht i lirë, por i specializuar e deri te taksat e favorshme.

Gjithashtu, kërkohen kushte institucionale të përshtatshme, që nga administrata efikase e deri te një drejtësi jo e korruptuar. Për të gjitha këto arsye mungojnë ende në Shqipëri korporatat e mëdha ndërkombëtare që kanë një ndikim thelbësor në zhvillimin ekonomik.

Investimet e huaja janë një nga problematikat që përballet ekonomia shqiptare.

Ka çështje të rëndësishme në këtë drejtim që askush nuk kërkon t’i kthejë në qendër të opinionit publik. Si për shembull, a ka një plan për rritjen ekonomike qeveria e re? A do të përmirësohet indeksi i mirëqenies dhe si?

Të gjitha këto janë temat ku duhet të fokusohet debati publik për qeverinë e re. Emrat e ministrave do të dalin, por ende jemi në pritje të planit për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Katerina e Madhe e Rusisë: Pa dashuruar, zemra ime nuk mund të jetë e lumtur

  Ajo është një nga femrat më të njohura të historisë, dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.