Nestor Jonuzi: Kur kritika e quante nën zë, piktori i “shkollës së Vlorës”

Nga Josif Papagjoni

Piktori Nestor Jonuzi dikur ka qenë në përkatësinë e atyre piktorëve që kritika e kohës, gjysmë në pabëzajë dhe gjysmë shqiptuar haptazi, e quajti “Shkolla e Vlorës”. Në fakt, arti vetëshfaqet si qenësi pikërisht në atë çka e dallon dhe mëvetëson atë: te vetjakësia, tek origjinaliteti. Prandaj dhe një artist i madh është, njëherazi, dhe një “shkollë” më vete, një stil më vete. Dhe prandaj iu tha diku në vitet ’70-80 “Treshja Kadare-Agolli-Harapi”, “Poetët e Tepelenës”, “Poetët e Lezhës”, paçka se doktrinës nuk ia kishte qejfi përveçime e tubime shkrimtarësh e artistësh në rrethe të identifikuara, që i bashkonte diçka “ndryshe”, sikurse dhe i dallonte diçka nga e tërësishmja, nga “kopeja”, nga parimi, nga  ajo që quhej metoda e realizmit socialist. Mirëpo artisti i shquar s’ka nevojë për të qenë pjesë e një Grupimi, Lidhjeje, Shkolle, Metode, sepse ai vetë, me fuqinë e talentit të tij, përbën në një kuptim, edhe estetik madje, një grup, një lidhje, një shkollë, një metodë krijuese më vete. Nestor Jonuzi, si rrallë sivëllezër të tij në artin e pikturës, e ka brenda vetes “hipotekën” e kësaj çka thamë më sipër. Ai është në ardhen e piktorëve më të shquar shqiptarë dhe, padyshim, sipas meje, ndër koloristët e mrekullueshëm dhe peizazhistët ku syri ngulet në atë hapësirë telajo tek buis si i harbuar imazhi dhe vështirë të largohet prej andej. Artisti hapi një ekspozitë këtu në galerinë e arteve pamore në Sarandë dhe unë, si djalë vendi, në dy-tre replika shakatore me njëri-tjetrin, i thashë se do rrekesha hullive të emocionit të tij estetik derdhur nëpër peizazhe, portrete, akuarele dhe përtej dyshimit të tij se ndjeshmëria e artistit është e vështirë të dekodohet përmes fjalës dhe gjithë ligjërimeve filologjike, në mos e pamundur, pasi ajo është imanencë, si të thuash, imazhiniste që plasohet brenda qenësisë së artistit; është diçka që lind dhe vdes në çastin e fundmë të perceptimit piktorik, gjithsesi unë do të thosha atë që do ndieja vetëmevet, pra atë vallëzim mes qenies së piktorit, natyrës, shkrepëtimës që dilte jashtë tij nga përbrenda tij; do të rrekesha udhës së imazhit dhe lojës së ngjyrës, diçka shpesh e pashpjegueshme me fjalë, por e ndjerë në trekëndëshin sy-zemër-tru.

Po pse të stërhollohem ende kaq gjatë në mistikën se si dhe se ku buis imazhi brenda qenies së piktorit?! S’kam për ta gjetur. Ndoshta dhe vetë N. Jonuzin, po ta pyesësh hollë e hollë, mund të ngatërrohet dhe s’do arrij ta shpjegojë deri në fund atë çka syri i tij estetik, subkoshienti, intuita dhe ndjeshmëria e çastit inspirues patën prodhuar atij caku kohor teksa kjo apo ajo vepër bëhej. Kjo fenomenologji është e njohur. Mjaft të sillja ndërmend këtu përcaktimin brilant të Ismail Kadaresë në esenë e tij të njohur “Ftesë në studio”, që laboratorin krijues të shkrimtarit, ca me shumë të një piktori, i cili s’ka si lëndë fjalën por imazhin, e krahason me Zanën që ia mori atij gojën (gjuhën) për mos ta shpjeguar dot atë çka mistika e shpirtit e “tha”, aty thellë, në humbellat ku llava krijuese gllugon dhe zjarritet. Çfarë gjëje një sy si i imi, shpresoj dhe i mijëra të tjerëve, shquan në pikturat e Nestorit? Mua më rrëmbeu paleta vallëzuese e ngjyrave, ato shkrirje nuancash të së kuqes, portokallisë, të verdhës, kafes, të plumbtës, të argjendtës, krejt ai horizont gati kozmik si në një yllësi a galaksi ku përflakja vjen nga tutje, ose nga sipër, duke më dhënë ndjesinë e adhurimit gati religjioz, ndjesinë e përlëvdimit, më pastaj dimensionin që asociohet nga madhështia dhe potenca, diçka si e përtejme, numinoze, ekstologjike, një lumnajë drite, harmoni mes ajrit, detit, gjësendeve, e shoqëruar e gjitha nga një këndellje thellësisht estetike. E dyta, paçka se çaste të ndryshme në segmente kohore, rrjedhimisht edhe në ngjyra, paçka se këndvështrime të ndryshme, tek e tëra ka diçka që ngjan se i bashkon peizazhet e Jonuzit, si ato me dimensione më të vogla, ashtu dhe ato me dimensione më të mëdha. Kjo është ndjenja e ngazëllimit. Po, unë e shoh, e ndjej atë gjithkah: në përmasën dhe pushtetin e të madhërishmes më së pari, në atë sipëri ndjenje që artisti provon teksa përjeton dimensionin kozmik të natyrës, i konvertuar si një Perëndi a Zot që sheh nga lart, paçka se i padukshëm, pa emër, pa shenjë. Shpesh natyra është brenda vetvetes, pra si e dhënë apo realitet ontologjik, i vetëmjaftueshëm, ndërsa njeriu fshihet pikërisht te syri soditës dhe i mrekulluar i artistit. Por ndonjëherë piktori ka qejf të vendos edhe njerëz diku shkëmbinjve të bregdetit nën përflakjen e një dielli që digjet e përgjaket tutje; ose shenja të tjera të tij si ndonjë shtëpi mes pemësh, ndonjë anije e lëbyrur nga drita e argjendtë e diellit, fshatra si të tretura në relieve, gjer dhe një qytet si Vlora ndën një dritë “perandorake” mes okrës, të bardhës, të murrmes dhe të hirtës.

Njeriu dhe natyra, më gjerë njeriu dhe kozmosi, – ja ç’është ajo që më grish në pikturën e Nestor Jonuzit. Ndërsa tjetra, më e tërësishmja, që vërtet më rrëqeth është, sikurse e thashë pak më sipër, madhështia, pushteti i natyrës, paanësia, si për të na thënë se ne, njerëzit, jemi aty, ashtu të vegjël-të vegjël, fizikisht kësisoj, por psikikisht, përkundrazi, të mëdhenj-të mëdhenj gati si një Zot, sepse syri i piktorit bëhet pikërisht i këtilli, i madh, shumë i madh, sa një Zot. Prandaj ne ndjehemi mirë me dimensionin e të madhërishmes. Ne ndjehemi mirë me horizontet, me ujanat e pafunda dhe paanësinë e detit, me relievet imponuese dhe malet e larta. Ne ndihemi mirë me dritën që na pushton e përqafon, herë e kuqe, herë e portokalltë, herë e verdhe dhe herë okër, e ndritshme si argjend, tok me konfigurime të bukura e harmonike nën një kromatikë tunduese, e përtej tyre, hapësira, reljeve, gjësende që ngjajnë si tinguj në një orkestër simfonike, një pentagram. Pikërisht, e treta gjë që më rrëmbeu në pikturën e Nestor Jonuzit është MUZIKA. Metaforikisht mund ta quash kështu, sepse kurrkund s’gjen aty qoftë dhe një grup polifonik me veshjet labe, dikush që i bie kitarës, që këndon, një “Vajzë e valëve” etj. Muzika është kompozimi. Muzika janë njollat, hapësirat, ngjyrat, reljevet, qielli, ujanat, gjithë çfarë peneli pikturon e pranëvendos në dritëhije e kontraste aq të bukura, sa vështirë e kam të gjejë qoftë dhe një vërejtje ta them këtu. Piktura e tij sikur të fton drejt një aventure, drejt një ikamendjeje. S’më ikën nga mendja përcaktimi se dimensioni i saj kolosal, i tërësishëm, është një dimension, sipas meje, thuajse religjioz, me një vesk mitologjik të nënkuptueshëm. Nuk e di, por tablotë ma dhanë këtë ndjesi të së jashtëzakonshmes, të së gjithëpushtetshmes (pantokratos). Piktori duket sikur s’është aty. Por në fakt, ai është i tëri aty. Këqyrja e tij është aty. Syri i tij është aty. Dy fjalë më në fund edhe për portretet. Katër gra e vajza, në pozicione të paqme, ku të mbreson syri, mënyra e vështrimit, atje ku thellë-thellë dekodohet bota delikate, e përmallshme, e bukur dhe fine e femrës. Këtu piktori i ikën përmasës, të madhërishmes, kozmikes. Këtu s’ka më mit. Këtu s’ka më Zot. Këtu është njeriu. Këtu është syri i bukur. Vetë bukuria njerëzore. Artisti bëhet tanimë fare intim, i ngrohtë, “shtëpiak”, dikush që rri aty, heshturazi, me paletën e ngjyrave, në paqen e vet duke vizatuar “paqen” e të tjerave. Janë më tutje edhe disa portrete fëmijësh në gazmendin, pafajësinë dhe sinqeritetin e syrit dhe buzëqeshjes së tyre.

Ekspozita i shkon për bukuri qytetit të bukur të Sarandës në këtë sezon turistik mbushur me njerëz, shqiptarë e të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë. Dhe s’kam përse mos ta them dhe një fjalë të ngrohtë vlerësuese për piktorin e njohur sarandit, Lefter Çeko, që përherë sjell në Sarandë piktorë të njohur dhe çel me ta ekspozita të bukura e interesante…

*Titulli është redaksional, origjinal: Nestor Jonuzi – ngjyra, dritë, madhështi, bukuri!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dokufest 2017: Marubi ‘sticker art’ në muret e Prizrenit

Prizreni si rrallë ndonjëherë është mbushur me fotografi të Marubëve. Një pjesë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *