Netët e letërsisë austriake: Lexuesit dhe shkrimtarët si një repertor ëndrrash kolektive

Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri, IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake organizuan për publikun “mik” të librit, “Netët e Letërsisë Austriake”, tre net leximesh nga autorë të njohur austriake, ku u zhvilluan biseda dhe lexime me autorët e njohur austriakë Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl

Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri, IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake organizuan për publikun “mik” të librit, “Netët e Letërsisë Austriake”, tre net leximesh nga autorë të njohur austriake, ku u zhvilluan biseda dhe lexime me autorët e njohur austriakë Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl. Në të tre netët, autorët diskutuan rreth qyteteve, kulturave nga vijnë, dilemave ekzistenciale dhe tematikave të ndryshme të përditshmërisë, që janë aktuale edhe sot në shoqërinë tonë. I pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishte Ambasadori Austriak në vendin tonë Z. Johann Sattler, i cili mbajti në fillim një fjalim përshëndetës për të pranishmit, ku ndër të tjera vuri theksin në sinergjinë e krijuar nga shkëmbimi i këndvështrimeve të autorëve austriakë dhe autorëve e përkthyesve shqiptarë. Lexime nga gjuha origjinale, dhe befasi të tingëllimit të shqipes në poezinë e autores Andrea Grill. Krahas autorëve të huaj nuk munguan as autorët, kritikët e gazetarë si Agron Tufa, Jonila Godole, Lazër Stani, Agim Baçi, Lili Sula dhe Alda Bardhyli.

Në mbrëmjen e parë, kur u bë hapja e aktivitetit “Netët e Letërsisë Austriake”, drejtoresha e IDMC-së, dr. Jonila Godole përshëndeti të pranishmit duke rrëfyer qëllimin e këtij aktiviteti, e ngritur mjaft pikëpyetje rreth asaj çfarë vlen të diskutohet sot me të rinjtë, krizës së letërsisë, faktorëve të transformimit të saj ndër vite, ndikimit të lëvizjes së autorëve në vende të ndryshme te letërsia e tyre, tek ajo që ata sjellin përpara publikut. Të ftuar prezentë ishin tre autorët e huaj Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl, dhe autori shqiptar Agron Tufa.

Në fjalën e tij shkrimtari Agron Tufa u shpreh se sot përpiqet të bëhet një letërsi e njeriut nga strukturat totalitare. “Shkrimtari shqiptar është shumë kokëfortë dhe i lidhur fort me rrënjët, qoftë edhe kur eksperimenton me fjalë, dhe nëse ka diçka që e bën të ngjashëm me shkrimtarët e popujve të tjerë, ai është një repertor ëndrrash kolektive” -shtoi ai.

Autorja Andrea Grill u ndal në raportin e shkrimit me lexuesin, duke u shprehur se “kur shkruaj, mendoj për një tip publiku të cilit dua t’i drejtohem sepse nuk mund të mendoj për të gjithë”.

Grill shtoi ndër të tjera se teknologjia do ta ndryshojë letërsinë e këtij fundshekulli, ashtu siç po ndryshon gjithçka tjetër në sfera të ndryshme. Në pjesën e dytë të aktivitetit autori Klemens Renoldner lexoi për të rinjtë pjesëmarrës një fragment nga libri i tij më i ri që pritet të publikohet në 2019-ën, romani “Kepi i Shpresës së Mirë”, në të cilin rrëfehen kujtimet e një fëmije për gjyshin e tij, flitet për edukatën dhe moralin e dy poleve, po-ja dhe jo-ja, toleranca dhe autoriteti etj. Po me të njëjtën energji dhe prezencë të shumë të rinjve u përmbyll edhe nata e dytë. Pjesa e parë iu dedikua autores mjaft të dashur Andrea Grill e cila erdhi “më shqiptare” se vetë shqiptarët duke përcjellë përpara të pranishmëve pjesë nga vepra e saj. Me moderimin e shkrimtarit të njohur Lazër Stani, autorja Grill tregoi përpara publikut për ndikimin që ka patur kontakti i saj me Shqipërinë, me shkrimtarët tanë, në krijimtarinë e saj artistike brenda dhe jashtë vendit. Andrea, përkthyese dhe promovuese e kulturës shqiptare në Austri, tregoi mbështetjen që kishte marrë nga ata, të cilët ndër të tjera e kishin ndihmuar për të njohur gjuhën shqipe, të cilën ajo e flet mjaft mirë, madje është edhe përkthyese e disa materialeve në disa vepra shqiptare.

Andrea lexoi për të pranishmit edhe një pjesë të tregimit të saj “Daja i verdhun”, një tregim që bazohej në një histori të vërtetë e mjaft frymëzuese. Diskutimi me autoren Grill u bë edhe më i gjallë, dhe interaktiv nga pyetjet e shumta të të rinjve në sallë, dhe sigurisht edhe përgjigjeve e saj tejet interesante, dhe jo pa humor. E veçanta e kësaj nate ishte “Kuarteti i Leximit”, atë që ideatorja Jonila Godole e kishte konceptuar si një tavoline rrumbullake ku në të u ulën 4 autorë, kritikë të njohur në vendin tonë, të cilët me anë të diskutimit shkëmbyen këndvështrimet e tyre, shpesh të kundërta, mbi këto vepra të letërsisë bashkëkohore që janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Ndërsa në natën e tretë, pjesa e parë e aktivitetit iu dedikua autores mysafire në këtë aktivitet, Christina Maria Landerl e cila ndau me publikun momente të jetës dhe veprës së saj. Landerl e cila vonë i ishte futur botës së letërsisë, të shkruarit, tregoi në një bashkëbisedim me përkthyesen Edlira Agolli se ky pasion i saj i madh vinte si frymëzim nga vendi i lindjes Austria, nga historitë apo ndodhitë e përditshme aty, ndaj jo më kot një prej tregimeve me titull “Braktisni Qytetin” i dedikohej pikërisht asaj. Me tregime të shkurtra, një gjuhë të thjeshtë dhe lineare, të shkruar në vetën e parë dhe të tretë, Landerl kënaq gjithmonë publikun e saj. Ajo lexoi për publikun në sallë disa fragmente nga vepra e saj, të cilat ngjallën jo pak kureshtje nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët i drejtuan asaj disa pyetje. Ndërsa pjesa e dytë iu dedikua dramaturgut dhe gazetarit të njohur Stefan Zweig. Një panoramë të gjithë jetës së tij, krijimtarisë, mesazheve që përçon, ndikimit të tij nga autorë të tjerë, përhapja e ideve të tij për filozofinë e jetës, marrëdhënieve shoqërore apo rolit të letërsisë në shoqëri u përcollën nga drejtori i qendrës së Zweigut në Salzburg, z. Klemens Renoldner, nën moderimin e gazetarit e kritikut, Agim Baçi. Pyetje të shumta zbuluan mbi të gjitha karakterin e krijimtarisë së vet Zweigut, i cili me veprat e tij, duke filluar nga novelat e famshme e deri te letrat apo dorëshkrimet e tij ka pushtuar botën. Gjatë diskutimit, ndër të tjera u theksua se Franca është vendi ku Zweig është botuar më shumë, por nuk u la pa përmendur fakti se edhe në vendin tonë librat e tij janë përkthyer herët duke zënë kështu vend edhe në bibliotekat tona. Rikujtojmë që “Netët e Letërsisë Austriake” treguan edhe njëherë këtë vit kujdesin e veçantë ndaj veprave të njohura të letërsisë botërore, duke i sjellë ato në vëmendjen e publikut. Me mesazhin se libri kur kalon kufijtë merr shumë me vete dhe i përjetëson ato në realitetin ku ndodhet u përmbyll ky aktivitet që vinte në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për çështjen e teatrit duhet të mbështesim artistët!

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit Debati mbi godinën e Teatrit Kombëtar...
Read More