Nevila Nika: Si polemizohej në vitet ’30-’40, të panjohur në Arkiva

UET ka promovuar dje librin “Larg dhe Afër”, me autor Ismet Toto, një nga intelektualët më në zë i viteve ’30, i dënuar me vdekje nga Zogu për organizimin e një kryengritjeje të armatosur. Libri, një përmbledhje me artikuj dhe shkrime që Toto ka lënë pas, botohet nën kujdesin e mbesës së tij,  Prof.dr.Nevila Nika, arkiviste dhe pedagoge në UET.

Të lexosh se dikush në vitet ’30-të mendon që Shqipërisë i duhet një nënpunës shembullor, i pakorruptuar, i ndershëm që vetëm i shërben vendit të vetë,  në një kohë kur sot dëgjojmë gjëra që janë të pabesueshme, që mund të ndodhin, mendon ky njeri çfarë kërkoi? Kërkoi vetëm që Shqipëria të ecte përpara. Ta ndante nga një perandori që e kishte mbajtur dhunshëm për shekuj. Historiania dhe arkivistja Nevila Nika e ka fjalën për një zë, Ismet Toton më të riun e plejadës së mendimit të viteve ’30- ‘40, brezi i neoshqiptarizmës, të cilëve emrat u janë përmendur, por mbetur  në Arkiva, e jashtë teksteve shkollore e universiteteve.

Me këtë shqetësim, pothuaj pesëvjeçar, Nika ka plotësuar amanetin e familjes së saj, dinastisë Toto, duke botuar librin “Larg dhe afër” të Ismet Totos, të cilit ndarja nga jeta si edhe ky 80 vjetor, i kujtohet me historinë e bujshme të ekzekutimit në litar nga Mbreti Zog, të cilin e kishte kundërshtuar jo me armë, por me fjalë e penë.

Botuar nga UETPress, libri është përmbledhje artikujsh, shënimesh politike, sociale, ekonomike, kulturore që marrin një dimension trashëgimie duke dëshmuar intelektualin, filozofin, mendimtarin, polemizuesin, rebelin që ngrihet në kohën më të vështirë për Shqipërinë, praglufte dhe më pas degjenerimin e pushtetit nga ideologjia komuniste.

Duke u nxitur nga biografi që shkroi në të gjallë të Mustafa Qemalit, Ismet Toto propozon idealin e tij për një shtet të fortë, që të bëjë përpara, të zhvillohet; ishte ideja për një diktaturë të ndritur, thotë Nika, jo në shembullin e  diktaturës hitleriane, as asaj të Musolinit por asaj të Mustafa Qemalit.

Duke besuar te djalëria, brezi i ri, por dhe të një forcë burrërore për të drejtuar vendin, Toto do ndalej, ashtu si gjithë brezi i neoshqiptarizmës, në edukimin dhe zgjimin e tyre. Një gjuhë e thjeshtë, por që kalon nëpër labirinte të mendimit, e pa përsëritur deri më sot nga publicisitika shqiptare. Hendek që krijoi diktatura duke u shkëputur totalisht nga lulëzimi i këtij brezi, sidomos në mendim e filozofi. Për ta kuptuar këtë ndjesi shkëputjeje, mjaftojnë disa vështrime të ideve, që koha duket se i ka ndalur, se sa pak bota e mendimit shqiptar ka ecur, e është çliruar nga mentaliteti: “Virtuti dhe vesi mu këtu e kanë kyçin e rrugës që i ndante në dy drejtime të kundërta. “Masa” është gjithnjë “masë”, kurse “ajka” qëndron më lart dhe drejtohet prej atyre që, duke qënë një pjesëtar i saj, ndjehet më lart, shijon dhe vuan nga efekte të pandjeshme prej “masës”; shkurtaz  jeton në një sferë morali të lartë dhe intelekti, ndërsa turma, e dhënë mbas fitimit të jetës dhe qejfeve, s’jep asnjë shenjë ndjesie për punët, që nuk efektojnë atë vetëm si individ. Pikërisht këtu qëndron ndryshimi midis “masës” dhe “ajkës”. Nuk mohohet prej askujt se çdo Atdhe i sotëm, sado i qytetëruar qoftë, edhe më i qytetëruari, ka “masën” që nuk shikon gjë tjetër, veçse jetës së saj materiale dhe seksuale. Por në anën tjetër, ka dhe një grup shumë herë shumë të madh, që ndjen përgjegjësira dhe me kujdes e mendje e drejton turmën nga rrugët e sigurta të lumturisë., shkruante Toto. Në tekstin “Neoshqiptarët dhe skeptikët”, ndan mendimin se “Në çdo vepër, në çdo iniciativë tonën duhet të kemi për bazë sinqeritetin. Në formën më empirike këto janë tri nga urdhënimet që imponon dogma e re Neoshqiptare. Këto janë tre blloqe të mëdha prej mermeri të pastër, që bëjnë pjesë të ndërtesës së re që po ngrehin Shqiptarët e rij. Tre blloqe të pacënueshëm, limpidë  në çdo pikëpamje. Të mbështetur në këto tre parime të amëshuara, Neoshqiptarët udhëtojnë në rrugën e tyre të ndershme dhe të lumtur për të mbështjellë në këtë frymë të re gjithçka është e mirë dhe e pastër midis Shqiptarëve. Për të krijuar një elitë, një klasë drejtonjëse, të fuqishme, të njëjtë në mendime dhe ndjenja, për të punuar me shpirt e me zemër në ngritjen e ndërtesës së re Shqiptare.”

Nuk kursen Ismet Toto të ironizojë mbi kuptimin e kulturës, e perceptimin e saj ndër intelektualë të Shqipërisë së ’30-ës duke thënë: Ata që midis nesh kanë studiuar në Europë gabimisht pandehin se kanë prurë këtu kulturën e vëndeve ku kanë mbaruar një shkollë. E vërteta është se këta prunë vetëm Qytetërim dhe bile një pjesë të Qytetërimit. Kanë prurë petka të reja, nevojat e reja të jetesës. Kaq dhe vetëm kaq! Kultura nuk importohet. Importimi i Kulturës, d.m.th. importimi i një sundimi, i një skllavërimi. Kulturë në Shqipëri, qoftë edhe në një shkallë primitive ka më tepër Malësori se sa Intelektuali që ka studiuar në një Universitet të Europës. Intelektuali shqiptar që të fitojë një kulturë duhet të jetojë mbrenda  jetës shqiptare. Dhe të jetojë jo vetëm me trupin e vet, por edhe me shpirtin dhe me mendjen e tij. Dhe të ndjejë thellë fizionominë e veçantë të kësaj jete. Në Shqipëri nuk është e vërtetë se kemi, p.sh. një “Deutche Kultur”, një “Culture française” ose një “Cultura italiana”. Kulturat që janë të gjalla në Shqipëri sot janë Kulturat orientale. E gjithë lufta, luftë në mënyrën e ndjenjës dhe mënyrën e mendimit, nuk ka kapërcyer edhe sot nivelin e Epokës mesjetare! Në shpirtin tonë sundon fryma aziatike”.

Ç’kërkojmë? – Në vitin 1929, Toto sjell këtë përgjigje të vështirë për të, e retorikë njëhershëm:  Na që jemi armiq të fjalëve të shumta dhe përgjithësisht të retorikës sot jemi të detyruar të flasim; por folja jonë s’ka asnjë stoli, është lakuriqe, është shprehja e shpirtrave neoshqiptarë që, duke krijuar një frymë të re mbi sipërfaqen e vendit tonë, kërkon të zgjojë ata që janë në gjumë, t’u japë dorën vëllazërore inoçentëve dhe të shqelmojë hipokrizinë dhe ndryshkun. Na nuk mund të kuptojmë se si mund të ndodhen njerëz  jo neoshqiptarë midis atyre që, sido kudo, janë rritur e frymëzuar me mendime e parime të botës perëndimore. Vetëm ai që s’ka shpirt, që gëzimin e tij nuk e gjen në madhështinë e kolektivitetit shqiptar dhe që në të katër anët i duket se gjendet përpara “pamundësirave” në jetë, vetëm ai ka të drejtë të thotë “s’jam neoshqiptar”. Dhe ne do ta lëmë rehat këtë kreaturë të dobët, sikundër burrat që shkojnë në luftë lënë fëmijët e vegjël në shtëpi. Të vegjëlit s’janë për luftë…”

Në mendimin filozofik, Toto ashtu si shumë të brezit të tij, kërkonin zgjimin e arsyes së shqiptarëve përballë prapambetjes e injorancës së arsyes, duke e shqyrtuar në shkrimin e ’29, “Kundrejt mbretërisë së mendimit dhe të arsyes”, ku ndër të tjera thotë: Edhe të paarsyeshmit po e përqafojnë arsyen si Armë, fillojnë duke pohuar se Shqipëria e kaloi periodën që prevalonte “grushti i fuqisë” së injorancës përmbi “arsyen”. Në jetën e ditës kemi një grumbull dëshmira përpara syve që na bindin se “arsyeja” dhe “forca e mendimit” janë duke iu afruar vëndit që meritojmë në jetën e të qytetëruarve… Mentaliteti i njerëzve të pjekur mund të pësojë ndryshime të pjesshme por, shumë rrallë dhe shumë i zorshëm është rasti që një i tillë të ndërrojë majë e fund.”

Intervista me Nevila Nikën 

A mendoni se keni përmbushur misionin ndaj dinastisë Toto, duke qenë një pasardhëse e tyre, me botimin “Larg dhe afër”?

Gjykoj se, kam plotësuar një amanet të tezës sime, sepse ajo në rininë e saj ka qenë e para që nisi të shtypte nën diktimin e xhaxhait, Selaudin Totos, të gjitha shkrimet e të jatit. Aso kohe i kishim të gjitha koleksionet në shtëpi, ku ai kishte publikuar. Vëllai i vogël, në vitet ’45 u mor me grumbullimin e tyre. Tezja ime i shtypi të gjitha, libri u bë gati edhe me parathënie, por nuk e pa dritën e botimit për shkak të ngjarjeve që rrodhën në politikë që, do të thotë arrestimit të tij, e të tjerëve. Bastisja që iu bë shtëpisë rezultoi fatale për arkivin tonë familjar; letra, fotografi, koleksione të revistave, gazetave të viteve ’20-’30, libra…gjithçka që kishte të bënte me të kaluarën e kësaj familjeje u zhduk. Fatkeqësisht unë kam arritur të gjej shumë pak nga këto shkrimet e grumbulluara nga tezja, e cila ka ndërruar jetë para tre vitesh dhe unë nuk arrita t’ia plotësoj këtë amanet sa qe gjallë. Për arsye objektive m’u desh një pesëvjeçar i mirë për të realizuar amanetin. Me këtë botim ishte dhe një detyrë që kam plotësuar ndaj nënës sime që jeton ende, ndaj të gjithë të afërmëve të mi, familjes Toto ishte një detyrim. Përpos ndaj familjes, është një detyrim që gjykoj se e kam përmbushur ndaj shoqërisë shqiptare, sidomos brezave të rinj dhe atyre pak jo më, të rinj, pasi kjo dinasti, kjo familje, kjo vëllezëri përcjell një mesazh shumë të fortë: që vendit duhet t’i shërbesh me të gjitha sa ke mundësi, në të gjitha mënyrat. Janë tre vëllezër krejt të ndryshëm, por nëse Ismet Toto ka qenë personifikim i shtetarit, nëpunësit ekzemplar që do ta kishte zili ku në çdo kohë, çdo shtet, qeveri ta kishte në gjirin e vet, për ndershmërinë dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm. Ka dokumenta, por e kanë dëshmuar: Ismeti polemisti, gazetari, rebeli në një farë mënyre që i vlonte gjaku, që kishte ide, tërhiqte prapa tij ajkën e elitës, që ishte një plejadë personalitetesh.

Në këtë pamje për lëvizjen e viteve ’30-’40, duke qenë se jeni edhe arkiviste, a mendoni që është dhënë mjaftueshëm informacioni mbi këtë plejadë, dokumentacioni në arkiv si paraqitet? Sepse kur flasim për Ismet Toton duhet t’i referohemi gjithë atij brezi, të cilët diktatura i fshiu nga historia dhe ende ka mungesë njohjeje.

Informacioni që është në Arkiv, dokumentacioni për sa i takon kësaj plejade, përfshirë dhe vëllezërit Toto, është mjaftueshëm për të na dhënë një ide se çfarë ka qenë ajo kohë. Nuk janë shkrimet e tyre, sepse natyrisht janë objekt i Bibliotekës Kombëtare. Mund të ishin, por efektivisht nuk janë. Por është pjesa ku, mund të flasim për atë që konsiderohet si marrëdhënia e medias me shtetin, institucionet shtetërore, respektivisht Ministrinë e Brendshme, apo Ministrinë e Oborrit Mbretëror – gjë që është shumë e rëndësishme për t’u evidentuar, dhe kuptohet më pas pasoja që të çonte në arsimin, shkollimin, programet se çfarë mësojnë shkollat. Kjo pjesë është shumë interesante dhe i takon Arkivit. Sa informacion ka publiku? Fatkeqësisht informacioni është shumë i pakët. Këtu unë kam ndjerë një dëshpërim, jo se nuk kanë njohur Ismetin apo Selaudinin, por janë dhe shumë të tjerë që njihen shumë pak, sidomos në kontaktet që kam patur me universitarë apo shkollarë, të shkollave të mesme. Ata dijnë shumë pak. Dijnë ndonjë emër, nëse e kanë kapur kalimthi në tekstet e shkollës, por është ndryshe se sa e shikon, sa e studion atë emër. Fatmirësisht sot janë emrat siç ishte At Gjergj Fishta, që janë anatemuar, por që ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Vjet Biblioteka Kombëtare organizoi një konferencë mbi këto polemika, dhe kjo është një formë shumë e mirë, për të parë se çfarë është shkruar apo debatuar, e polemizuar. Ismet Toto ka polemikën e famshme me klerin, grindjen me të, sa me kujdes polemizohet pa fyer tjetrin, pa hyrë në hullira që e ulin nivelin. Në këtë drejtim ka shumë për të bërë ende, dhe gjykoj se Arkivat nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Arkivi ka qenë deri më ’91 i mbyllur, po aq edhe Biblioteka. Unë e kuptoj këtë kohë. Fondi i librave sekret apo rezervat ka qenë shumë më i madh nga ato që ti mund të shikoje. Por duhet të pranojmë dhe të themi se prej ’92, deri më 2003 Arkivi ka punuar me përkushtim për ta çelur, duke kapur elementë të ligjit në fuqi, duke shfrytëzuar maksimalisht për ta hapur, apo për të joshur fillimisht gazetarët. Nga 2003 deri më 2013 ka qenë hapja e madhe e Arkivit, bazuar në ligjin e ri për Akrivat, që i lejon çdo qytetari pa asnjë lloj arsyetimi, ndryshe nga përpara ku kërkohej pse do të vish, çfarë do të studiosh përkundrejt një letërnjoftimi, për qytetarë shqiptarë e të huaj që donin të hynin në sallë. Ka qenë një liri për ta bërë këtë gjë. Gjykoj se kjo ishte një bum, por dua të theksoj se  nga kjo e shfrytëzuar shumë mirë, nga media, e shkruar e audiovizive, janë realizuar dokumentarë, libra, reportazhe etj, por e shfrytëzuar jo sa duhet sepse kanë qenë sa gishtat e dorës studiuesit e mirëfilltë që e kanë parë derën e sallës së leximit në Arkiv.

Janë përfshirë dhe disa poezi, që janë amatoreske, por kjo ka ngjarë edhe me të tjerë të atyre viteve duke na bërë të mendojmë se mos kjo ka qenë një sakrificë për t’iu kushtuar vendit, politikisht për të krijuar një lëvizje?

Po, e vërtetë janë shumë amatoreske. Poezitë janë nga fillimi. Është shpirti poetik i atij që mendon fillimisht se do t’i kushtohet botës së letrave dhe bën një poezi. Unë i kam vënë për të dëshmuar formimin dhe evoluimin e tyre, për të thënë se e nisin me një gjë të vogël, me një reportazh të thjeshtë, e më pas ecin. Prandaj dhe shkrimet i kam renditur në mënyrë kronologjike, jo sipas problematikës. Preferova t’i vë kështu për të kuptuar ngjitjet, zig- zaget që kanë sidomos Ismeti. Nuk pretendohet se kanë qenë poetë.

Ky brez na lajmëroi edhe diktaturën?! Ka një tezë Ismet Toto për këtë?

Ajo që nuk kam arritur të them deri tani, që kam ndjerë dhimbje ka qenë pjesa ku unë kam menduar në qetësinë e dhomës duke shtypur që, shkrimet e Ismet Totos janë lexuar shumë. Janë komentuar pafundësisht në të gjallë të tij. Edhe pasi ai ndërroi jetë. Por kam arritur në një përfundim, ideja e tij për një diktaturë të ndritur ka qenë shumë e bukur. Ka kërkuar një diktaturë të tipit alla Ataturk, që vendi të ecte përpara me një forcë, por nuk duhej tirani. Dhe gjykoj, që Hoxha, diktatori, ka marrë pjesën që atij i ka ardhur për shtat. Pjesën që ka menduar se do t’i mbajë këta njerëz të shtypur gjithë jetën. Por Ismeti ishte një shpirt i lirë, kërkoi diktaturën, kërkonte të merrte në dorë fatet e vendit djalëria, rinia, brezi i ri, por jo të kishte tirani. Pse e them këtë? Sepse ishte një njeri që tregonte dhembshuri për ata që nuk paguajnë dot taksat. Ka një njoftim që ua dërgon Ismeti, Financave që njerëzit nuk paguajnë dot t’jua falim, dhe t’i kërkojmë një shpërblim thotë, të na bëjnë një punë botore: të pastrojë një rrugë, e të quhet taksa e falur. Një ide e mendim i tillë tregon se ka shpirt të dhimbshëm për njerëzit. Diktatori më pas përdori idetë e Ismetit, por në sensin më të keq të mundshëm. Prandaj edhe vëllai i vogël, Selaudini u pushkatua, sepse ishte një vijimësi e kësaj natyre. Unë e kam ndjerë këtë. Kam mbyllur sytë dhe kam menduar se ai lexonte dhe me kënaqësinë e një sadisti, dhe zgjidhte se cilat elementë duhej të kapte për t’i përdorur.

Ka qenë ekzekutimi  i bujshëm që i bëri Mbreti Zog, Ismet Totos, janë dy letra në fund të librit që tregojnë gjendjen e rënduar psikologjike, dhe gjithë historia e tij nis nga kjo ngjarje

Ka qenë ekzekutim me litar. Historia e Ismet Totos nis nga kjo ngjarje sepse ka qenë 80 vjetori i ndarjes nga jeta. Një vdekje tragjike. Mbreti e kishte momentin të tregonte se është mbret. Një mbret, një i parë, i cili ka momente që kalon mbi çdo gjë, i kalon të gjitha. Në familjen Toto kishte pllakosur tashmë zija. Ishin tre burra të vrarë: Ethemi, Tahsimi dhe xhaxhai i tyre, Arifi. Tre të vrarë, ky ishte i katërti. Edhe pse sipas kohës thuhej se nëse tre burrave të një familjeje i merrej jeta, të katërtit i falej. Mbreti Zog kishte mundësi t’i falte jetën, sepse në fund të fundit Ismeti nuk kishte ngritur dorë me pushkë, por kishte ngritur dorën me penë, fjalë për një ndryshim. Ai nuk e bëri këtë, dhe ndërpreu një jetë tragjikisht. Ndoshta nuk do të kalonte shumë kohë dhe tragjikisht do të vdiste sepse, erdhi lufta, ideologjia…por Mbreti nuk e bëri këtë. U mendua dhe vuri firmën, duke dëgjuar dikë që i pëshpëriti, e tha dhe publikisht; ai me elokuencën e tij, oratorinë e tij ngre peshë njerëzit, i shkojnë pas… dhe në këto kushte meriton litarin.

Intervistoi: Violeta Murati

INTELEKTUALËT

Gjithë Shqipëria i ka drejtuar sytë nga Tirana, se në këtë qytet të ri rrihen të gjitha çështjet që interesojnë shqiptarët. Tirana sot ka nji kuptim abstrakt sepse në të simbolizohet gjithë qënia e jonë kombëtare, sepse në Tiranë ka qëndrën Lartmadhëria e Tij Mbreti, qeveria Mbretnore dhe gjithë autoritetet e larta që drejtojnë punët. Në Tiranë ndodhen të gjithë personalitetet që përfaqësojnë kombet e huaja. Në Tiranë, më tepër se kudo në Shqipëri, ka nji klasë të madhe intelektualësh që sot merret me probleme të shoqërisë shqiptare. Është e natyrshme që shqiptari i krahinave të tjera të pyesë në çdo rast se ç’bëhet në Tiranë, sidomos kur çështja e ditës është ndonji punë me interes të përgjithshëm. Mirëpo gjer tashti klasa intelektuale e Tiranës – po të heqim nga mesi disa raste fare të rralla – nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë një puls drejtonjës klasës shqiptare që mendon dhe merret me punët kolektive. Asnjë organizatë intelektuale! Asnjë lëvizje kulturore nga ana e të zgjedhurve të vendit tonë dhe asnjë mbledhje, vepër ose shfaqje mendimesh! Inercia e intelektualizmës është aq e madhe sa edhe kur ndonjë me shpirt merr nisjativën për organizimin e saj, zëri i tij humbet në apathinë e përgjithshme. Gjithë kjo klasë e madhe intelektualësh që banon në Tiranë a nuk mund t’i përvishet punës së organizimit të saj, gjë të cilën e imponon e mira e njeriut si individ si edhe ajo e kolektivitetit? Ku janë nisjatorët tonë? A po mos u mësuam që çdo gjë të na e organizojnë të tjerët dhe ne të shtrohemi në sofër të gatitur?  Si do që të jetë puna, Tirana e sotme është e detyruar t’i përgjigjet nevojës së një organizate intelektuale. Veç kësaj, besimit që ka populli shqiptar në intelektualizmën e të zgjedhurve të kryeqytetit, këta të fundit nuk janë duke u përgjigjur. Ata kanë përgjegjësi për këtë indiferencë kundrejt popullit. Nga kjo indiferencë nuk do të shpëtojmë kurrë, po nuk filluan intelektualët të bashkohen më parë në një “klub”.

“Rilindja e Arbënis”, 9 shtator 1930

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shuhet regjisori Mihallaq Luarasi: I dënuar në diktaturë për dramën e parë, pa perde…

Dje në mbrëmje është ndarë nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi, në moshën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.