Nga çizmja te toleranca, çfarë po ndodh me Monën?

Nga Ervis Iljazaj

Monika Kryemadhi ka komentuar ditën e djeshme largimin e disa këshilltarëve të saj bashkiakë në disa bashki të vendit, duke u shprehur se, anëtarët e LSI janë të lirë të shkojnë ku të duan.

Në fakt është një deklaratë sa e papritur po aq edhe për t’u habitur duke njohur temperamentin e zonjës Kryemadhi dhe aksionin e saj opozitar të deritanishëm. Nga Kryemadhi, më së paku, pritej një deklaratë e tipit, largimet e këshilltarëve janë si pasojë e blerjes nga Partia Socialiste, apo e vetë Edi Ramës. E megjithatë kjo nuk ndodhi, përkundrazi, reagimi fliste për liri dhe për të drejtën e gjithkujt për të bërë zgjedhjet politike që mendon.

Çfarë ka ndodhur me aksionin opozitar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Monika Kryemadhit, që ka ndryshuar nga hedhja e çizmes drejt Kryeministrit te toleranca politike?

Gjithkush mund ta ketë vënë re mungesën publike të kohëve të fundit të Monika Kryemadhit, ose ta shohim ashtu sikurse na ka mësuar në këta muajt e parë që ndodhet në krye të LSI, me deklarata politike dhe denoncime të forta.

Mos vallë ky ndryshim kursi i aksionit opozitar duhet lexuar si një derë e hapur për bashkëpunimin në të ardhmen me familjen origjinale politike të LSI, atë të Partisë Socialiste?

Kjo mbetet për t’u parë në ditën në vazhdim, por askush nuk mund ta mohojë që ndryshimi i kursit opozitar të Lëvizjes Socialiste për Integrimit apo të kryetares së saj është i dukshëm në raport me mazhorancën.

Lëvizja Socialiste për Integrim ndodhet në një moment ekzistencial për fatet e saj politike në sistemin politik shqiptar për disa arsye dhe dilema, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

E para, LSI ka një ndryshim lidershipi, dhe, të zëvendësosh Ilir Metën nuk është aspak e lehtë, pasi fati politik i kësaj partie, ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me historinë politike të tij, histori e cila kulmoi me zgjedhjen e Metës si President i Republikës së Shqipërisë.

E dyta, LSI në këtë moment që po flasim ende nuk ka aleanca të qarta politike. Edhe pse ndodhet në opozitë, asnjëherë nuk ka shprehur në mënyrë të qartë dhe të sigurt mbështetjen e saj të plotë për kandidaturën e Lulzim Bashës për Kryeministër të Shqipërisë. Përkundrazi, të dyja palët evitojnë gjithmonë të flasin për këtë gjë. Mirëpo, aleancat e qarta politike janë kusht thelbësor për një parti për të ndërtuar strategjinë dhe aksionin e tyre politik.

E treta, largimet e shumë këshilltarëve bashkiakë, nuk janë aspak për t’u nënvlerësuar, edhe pse Kryemadhi i konsideroi si një e drejtë për këdo të shkojë ku të dojë. Nëse ato bëhen përsëritëse, tregojnë pafuqinë e një force politike për të kontrolluar strukturat dhe të zgjedhurit e saj.

Për të gjitha këto arsye, Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të rigjejë sa nuk është vonë ekzistencën e saj politike, ose motivin e saj politik. Duhet t’iu tregojë shqiptarëve se përse sot LSI, është e rëndësishme ende në sistemin politik shqiptar, dhe çfarë përfaqëson ndryshe nga dy forcat e tjera të mëdha politike, PS dhe PD.

Deri tani ka hasur vështirësi, ose më së paku, nuk ka arritur ende ta komunikojë siç duhet. Mirëpo, luhatje të tilla të aksionit opozitar vetëm sa shtojnë paqartësinë në anëtarësinë e saj, dhe vështirësinë për të rigjetur forcat politike për të ardhmen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dakordësi për “korrigjimin” e kufirit Kosovë–Serbi

Nga Blendi Lami Jemi përpara një mundësie për një marrëveshje mes Kosovës...
Read More