Nga një vajzë partizane në majat e diktaturës e, deri në kampet e internimit

Vdiq në moshën 92-vjeçare Liri Belishova, ish-sekretare e Komitetit Qendror të Partisë së Punës në diktaturë dhe ish-anëtare e Byrosë politike të kësaj partie. Belishova ka qenë ish-bashkëshortja e Nako Spirut, i cili u detyrua të vetëvritej në vitin 1946, e më pas u martua me Maqo Çomon, ministër i Bujqësisë për disa vite në regjimin diktatorial. Gruaja që idealizoi ideologjinë komuniste, një sistem që ia mori të gjitha, bashkëshortin dhe vajzën e vetme, Drita Çomon…

Ndër vajzat e para që printe çdo demonstratë, e nga një partizane u ngjit në majat e nomenklaturës komuniste, e më pas kaloi jetën në kampet e internimit. Sakrifikoi dhe idealizoi një sistem që ia mori të gjitha, bashkëshortin dhe vajzën e vetme, Drita Çomon në moshën 20-vjeçare. Kjo ishte Liri Belishova e cila u nda dje nga jeta në moshën 92-vjeçare. Një nga personazhet e historisë shqiptare komuniste përmes së cilës, si në mjaft raste të tjera, shpjegojnë mekanizmin se si u ngrit e funksionoi sistemi diktatorial në Shqipëri për 45 vite. Ndërsa pas ’90-ës, me ardhjen e demokracisë, ajo mbetet e vetmja figurë e lartë e Partisë Komuniste që ka kërkuar falje për krimet e kryera në Shqipëri gjatë diktaturës. “Falje duhet t’i kërkojnë popullit të gjithë ata që kanë qenë anëtarë të Partisë e sidomos udhëheqësit e saj. Veçanërisht ata që personalisht janë përgjegjës për faje të renda e krime. Unë gjej rastin edhe njëherë të kërkoj ndjesë, t’u kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim, sepse duke u nisur t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme”, është shprehur Belishova kur është pyetur për krimet e komunizmit dhe qëndrimit ndaj atij regjimi.

Me një jetë aktive, me daljet publike, në media e televizione, Belishova dëshmoi nga historia e saj, por edhe të lidhjes së drejtpërdrejtë me diktatorin.

Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së ka qenë një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste që nga vitet e para të krijimit të saj. Ajo lindi në Belishovë të krahinës së Mallakastrës në një familje të kamur të zonës, e bija e Kamber Belishovës, përfaqësues i krahinës në Kongresin e Durrësit. Shkollën fillore pesëvjeçare e mbaroi më 1937 në Ballsh. Më 1938 fitoi bursë që të ndiqte studimet në Institutin “Nana Mbretneshë” në kryeqytetin e mbretërisë. Kontaktet me idetë dhe materialet komuniste i pati prej kushëririt të saj, Besimit, student në Normalen e Elbasanit. Belishova u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe humbi një sy. Gjatë viteve 1946 dhe 1947 ajo ishte kryetare e Shqipërisë e Rinisë Popullore (Rinia Popullore). Vdekja e bashkëshortit të saj, Nako Spiru, në vitin 1946, një vetëvrasje e supozuar, çoi në shkarkimin e saj nga roli i saj dhe ajo u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim. Pas rehabilitimit të Nako Spirus, si rezultat i ndarjes Jugosllave-Shqiptare, më 1948, Belishova u rehabilitua gjithashtu dhe u bë anëtar i Politbyrove të Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1948 deri më 1960. Në 90-vjetorin e lindjes së saj, historiania Ana Lalaj duke folur për jetën e Belishovës bazuar në dokumente, është shprehur se ajo është gjetur në drekën e gabuar: “Deklaratat e shakatë e saj, si edhe dollitë e asaj darke me rusët u bënë akuza. Hoxha e përdori vlerësimin e rusëve ndaj Belishovës. Ajo u bë çështja kryesore e diskutimit në katër muaj dhe u akuzua për nxjerrjen e sekretit dhe deri tek akuza e Hoxhës se Belishova donte të nxinte vendin para të huajve”. Ndërsa, edhe vetë Belishova në një rrëfim për jetën e saj, ka treguar të njëjtën gjë, pse u dënua: “Unë jam dënuar në shtator 1960, pasi kur u ktheva nga vizita në Kinë, Vietnam, Kore, Mongoli. Në vajtje edhe në ardhje, bënim një ditë pushim në Moskë për çështje të kombinimit të avionëve. U bë në korrik një Plenum, ku u raportua nga Hysni Kapua për qëndrimin e delegacionit tonë ne mbledhjen e Bukureshtit dhe aty diskutova dhe unë. Diskutimi im u keqprit nga Enver Hoxha. Ne mbledhjet e Byrose, çdo fjalë që thoja unë kthehej në të kundërt. “Nuk ke mbrojtur interesat e partisë, as në darkën që u shtrua në Moskë”. Po ju bie një shembull. Në atë darkën që ata dhanë për nder të Haxhi Lleshit si President, ishte Presidenti Breshnjev dhe Sekretari i Komitetit Qendror Kozllov. Ai, pa përmendur kinezët, filloi të thotë që shokët që nënvleftësojnë rrezikun e luftës termobërthamore, nuk janë koshientë për këtë rrezik, atje ku ishte bërë prova e bombës së parë atomike, edhe pas 12 vjetësh nuk kishte jetë, asnjë fije bari, asnjë mikroorganizëm. Po bombat e atëhershme, janë si kokërr dardhe, se një nga bombat që disponojmë tani ne dhe amerikanet, mjafton për të shfarosur qytete të mëdha, si Tokio, Moska, Nju Jorku, Londra etj. ose shtete të vegjël si Belgjika, Holanda, Shqipëria, Gruzia etj. Sipas Enver Hoxhës, ky ishte një kërcenim i hapur për partinë tonë, që nëse ju nuk jeni dakord, me një bombë ju shfarosim! Kurse problemi duhej parë seriozisht. Nuk duhej shkuar pas kinezëve, që na thane se nuk duhet të kemi frikë nga Lufta III Botërore atomike, se do vriteshin 300-500 milionë, por punë e madhe, do fitonte revolucioni socialist në tërë botën. Pas Luftës I fitoi në Rusi, pas Luftës II në tërë këto vende dhe III do ishte fitorja e përbotshme. Ishte diçka që më ka tronditur jashtëzakonisht, sepse ne thoshim që luftën e duan imperialistet, ne luftojmë për paqe, kurse këtu dilte që komunistët janë të interesuar për luftë”. Po cili është vend dhe roli i Liri Belishovës në historinë e Shqipërisë historiani i njohur Paskal Milo e ka përcaktuar: Liri Belishova është produkt i historisë së trazuar shqiptare, një personalitet politik që ka përjetuar kalvarin e politikës shqiptare në mënyrën ekstreme, në përfundim të kësaj beteje me sfidat e historisë, por edhe me jetën, ajo në perëndim të jetës biologjike të saj mund të themi se është një heroinë”. Por, gruaja që e idealizoi komunizmin dhe mbeti e zhgënjyer, duke u dënuar, më ’83 i shkruan një letër Enver Hoxhës, ku thotë:

“Sh. Enver Hoxha, Ju drejtohem juve si udhëheqësit të Partisë e të popullit dhe si njeriut që e njeh mirë jetën time. Më 30 dhjetor dhe 12 janar, më ka thirrur zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe më ka akuzuar si pjesëmarrëse e komploteve armiqësore për përmbysjen tuaj, të partisë, të pushtetit. Më ka thënë se i ka të gjitha provat e dokumentet dhe se tani varet nga unë që të reflektoj dhe të tregoj këtë veprimtari armiqësore e të më lënë në shtëpi, apo ndryshe të më fusin në burg e dënojnë e të marr në qafë edhe djalin e gjithë të afërmit. Më kanë bërë dhe shumë pyetje që shihen në këtë prizëm. Kjo akuzë është e padrejtë dhe fakte që ta provojnë s’ka, gjersa unë s’kam bërë asgjë të tillë. Ju e dini mirë çështjen time, megjithatë ju them me përgjegjësi të plotë se kurrë nuk kam bërë asnjë veprim, bisedim etj. kundër jush, partisë, pushtetit. Njeriu nuk mund të mos e dijë ç’është dhe çka bërë. Me jugosllavët, me Koçi Xoxen etj., kurrë nuk kam bërë asnjë bisedë kundër jush e partisë. Përkundrazi, me sa kam pasur mundësi, i kam luftuar duke u përpjekur me jugosllavët që në pranverën e 1945-s, duke luftuar kundër sabotimeve në hekurudhë etj.

Ju e dini ç’fatkeqësi e vuajtje ka pësuar familja ime dhe unë nga jugosllavët dhe Koçi Xoxe. Nuk i kam fshehur partisë asgjë dhe për Nakon. Nuk di gjë për bisedat e Nakos me jugosllavët kundër partisë dhe jush, as për dhënie dokumentesh nga Nako. Në Berat unë kam qenë pak ditë, në plenum nuk mora pjesë dhe për konkluzionet e këtij dhe kritikat e Nakos nuk kam qenë në gjendje të thellohem, për shkak të moshës etj.

Por, me përgjegjësi të plotë ju them se Nako, i cili bënte shumë kritika për Koçin, Sejfullanë, Liri Gegën etj., nuk më ka thënë gjë të keqe për ju dhe unë nuk kam kuptuar gjë që ai t’ju ketë urryer dhe të ketë dashur t’ju përmbysë. Me M. Shehun, Fiqretin, Kadrinë etj., nuk kam bërë ndonjë bisedë armiqësore kundër jush apo partisë….”. Me gjithë jetën e vështirë të Belishovës pranohet se ajo bën pjesë të fatlumët që e jetuan jetën. Ajo ka pranuar bashkëfajësinë në atë regjim kriminal dhe ka kërkuar falje dhe ka qenë ndër zërat e vetme për të reflektuar historinë, të vërtetat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tahiri: Nuk pranoj pranga politike! Alibeaj: Shko pastrohu në gjykatë

Seanca e Këshillit të Mandateve u tensionua ndjeshëm kur avokati i Saimir...
Read More