Nga partia-shtet, te shteti i partive



Ervis IljazajNga Ervis Iljazaj* 

Partitë politike në Shqipëri janë shndërruar në institucionet më të pushtetshme. Përmes tyre, ushtrohet gati i gjithë pushteti politik. Transformimi i pritshëm demokratik i vendit nga sistemi i partisë-shtet, duket sikur ka përfunduar sot në shtetin e partive. Iljazaj shkruan se kjo është sindromë e njohur dhe e rrezikshme.

“Mortaja italiane”, titullohet një libër i botuar nga radikalët e majtë italianë në vitet ‘70-80. Që nga titulli, kuptohet fare mirë që kemi të bëjmë me një sëmundje, të rëndë madje. Partitokracia, ishte sëmundja për të cilën fliste ky libër. Aty kritikohej ashpër jeta politike e Italisë në ato vite, për shkak të një kulturë politike, e cila bazohej te forca e madhe që partitë politike kishin në të gjitha sferat e shoqërisë. Këto të fundit kishin uzurpuar çdo gjë: Ekonominë, shoqërinë, shtetin dhe jetën kulturore, në një vend, i cili ka mbijetuar vetëm në saje të kulturës. Forca e tyre e madhe ishte përhapur si një sëmundje infektive dhe kontaminuese, deri në zyrat më të parëndësishme të shtetit italian. Një sistem partitokratik, që në pjesën më të madhe të funksionimit të shtetit ishte kthyer në një forcë arbitrare.

Shqipëria sot, ka të njëjtin problem, pikërisht si Italia e viteve ‘70-80. Përtej partive politike nuk ekziston asgjë. Ato janë kthyer pothuajse në institucione fetare. Nga liderët e tyre presim mrekullitë që s’do të arrijnë kurrë. Vetë ata, kanë marrë rolin e një profeti ku duhet me patjetër të besojmë. Duhet të përqafohet pa kusht dogma e tyre, në të kundërtën je duke kryer një herezi, e cila ndëshkohet rëndë.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik, ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona.

Lufta midis partive dhe institucioneve të “pavarura’’ shpesh herë na serviret si një e mirë që forcon ndarjen e pushteteve. Ky është një keqkuptim i madh që na është krijuar, sepse në të vërtetë, ky është një konflikt midis pushteteve për interesa të mirëfillta politikë dhe jo ndarje pushtetesh, që forcon shtetin e së drejtës dhe liritë tona individuale.

Ekziston një moment shumë i rëndësishëm për të kuptuar nëse institucionet janë të pavarura apo jo në një shtet të caktuar, është pikërisht momenti kur politika është në krizë. Krizave politike në vendet me pushtete të ndara i japin zgjidhje organet e pavarura, të cilat kanë pikërisht këtë si detyrën kryesore. Nëse partitë politike dhe sistemi politik funksionon në rregull, përtej “luftës” normale të ideve, atëherë institucionet e shtetit kthehen në zyra formale. Nëse jo, atëherë roli i tyre është thelbësor.

Politika shqiptare, në më të shumtën e rasteve, funksionon si tension i vazhdueshëm midis forcave që e përbëjnë atë. Jo në pak raste, ky tension kthehet në konflikt të ashpër dhe bllokues për gjithë jetën politike dhe institucionale, dhe si pasojë krijon një rreth vicioz të vazhdueshëm nga ku, vështirë se dalim dot më.

Në momentet që politika shqiptare është në krizë, dhe kjo ndodh jo rrallë herë, gjëja e parë që vërehet është sulmi politik që zhvillohet ndaj institucioneve. Presidentë të Republikës, të akuzuar si të një pale politike apo të një tjetre, vendime gjyqësore si të njëanshme deri edhe në protesta ndaj tyre, janë bërë tashmë pjesë normale e ligjërimit politik. Kjo është një shenjë e qartë sesa pak besim kemi tek ato, për faktin se pjesa më e madhe e tyre është kthyer si organ i një partie të caktuar. Jo vetëm që këto institucione nuk u japin zgjidhje krizave politike, por ato vetë kalojnë në krizë si pasojë e saj.

Të kuptohemi, partitë politikë janë të vetmet instrumente, nëpërmjet të cilave mund të funksionojë demokracia. Thënë ndryshe, janë një e keqe e domosdoshme. Të gjithë ata që kanë pasur si qëllim eliminimin e tyre, kanë përfunduar në diktatorë. Por, pikërisht për faktin se janë kaq të domosdoshme, është shumë e rëndësishme që debatet për funksionimin e tyre nuk duhet të rreshtin asnjëherë.

Partitë politike janë çështje e të gjithëve, përtej faktit nëse i përkasim një ideologjie apo një tjetre. Demokracia e tyre e brendshme duhet të na shqetësojë pa dallim bindjesh politike. Në fund të fundit, nga ato buron çdo gjë, politikat kombëtare, pushtetet e tjera të shtetit, strategjitë e zhvillimit ekonomik etj. Këto funksione ia jep vetë Kushtetua jonë.

Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis partisë-shtet në kohën e komunizmit dhe shtetit të partive që kemi krijuar sot, prandaj, ato duhen mbajtur gjithmonë nën kontroll. Kemi nevojë urgjente për t’i reformuar, duke u nisur që nga organizimi i tyre, funksionimi dhe financimi. Sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një ligj organik, i cili të përforcojë principet demokratike që konstituentët tanë kanë vendosur jo pa qëllim për funksionimin e tyre. Është një paradoks që ato kanë funksione publike dhe funksionojnë me logjikë private. Le t’i kthejmë në institucione publike, që nënkupton hapjen e tyre ndaj opinionit dhe mekanizmave të fortë kontrollues. Vetëm kështu, shteti i partive do të ishte i pranueshëm.

*pedagog, UET

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Natasha Lako: Tani ka ardhur radha e stoicizmit tim

Prej më shumë se 30 vjetësh, poete dhe skenariste, Natasha Lako ka...
Read More