Nga shahu te lojërat e rrezikshme të luftërave

Nga Arjan Ҫuri

Në një status të tij, kryeministri Rama, e quajti politikën jo lojë boksi, po lojë shahu. Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhafa, përforcoi qëndrimin e kreut të qeverisë, se kishin të dhëna të besueshme se grupe të mbështetura nga opozita, do të shkaktonin trazira në Kavajë. Sigurisht, edhe pse u tha se mazhoranca tërhoqi kandidatin e saj për vazhdimin e negociatave, është e qartë se bëhet fjalë për një mbulim politik të faktit që trazirat në Kavajë, mund të kishin sjellë një precedent të rrezikshëm që mund të cenonte edhe sigurinë e zgjedhjeve kombëtare, ose ngjarjet destabilizuese mund të intimidonin zgjedhësit. Në lojën e shahut të kryeministrit, kjo lëvizje tërheqjeje, ishte sërish një element i paparashikueshëm, si të gjitha lëvizjet e papritura që ka bërë përgjatë këtyre muajve të protestës, duke treguar edhe njëherë që mund ta befasojë kundërshtarin, aty ku ai nuk e pret.

Por pasi KQZ-ja miratoi listat e partive dhe i radhiti ato në fletën e re të votimit, sipas shortit të hedhur, të parashikuar në Kodin Zgjedhor, negociatat duket se kanë shënuar fundin e tyre, veçse nëse mblidhet sërish Parlamenti dhe ndryshon ligjin zgjedhor dhe arrihet shtyrja e zgjedhjeve. Por me shumë gjasa, këtë gjë tashmë, asnjë nga palët nuk është e interesuar ta arrijë si shprehje e dëshirës së gjithanshme që kësaj historie të paprecedentë, ku opozita tërhiqet për herë të parë nga zgjedhjet, t’i shkohet deri në fund.

Kështu, loja e shahut, nuk po luhet më në zyrat e shtetit, por ka zbritur në terren dhe të vetmen mënyrë që i ngelet të zhvillohet është ajo që ushtarët e skakierës të zëvendësohen me ushtarë njerëzorë, ku nga njëra anë janë të rreshtuar gjithë institucionet ligjzbatuese, që kanë detyrimin ligjor të garantojnë rendin dhe zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe nga ana tjetër, për fat të keq, janë mbështetësit e opozitës, brenda ose jashtë strukturave të saj, që nëse do iu besonim të dhënave të inteligjencës, do të tentojnë me çdo mjet të prishin zgjedhjet dhe t’i kthejnë ato në fushëbetejë dhune.

Dhe nëse ndonjë prej ndjekësve të politikës do të më kundërshtonte me faktin se kreu i opozitës ka deklaruar thjesht se revolucioni është paqësor, apo ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet, pasi zgjedhje nuk do të ketë apo deklarata të tipit që mbas 18 qershorit, Kushtetuta bie dhe shteti dhe qeveria nuk do të ekzistojnë më, mund t’i merrnim thjesht si paqësore dhe të parrezikshme, atëherë do t’i thosha se në pikën ku kemi arritur, skenari i vetëm është ai i daljes së situatës nga kontrolli.

Natyrisht që opozita nuk do të rrijë duarkryq, ku e vetmja mundësi për të patur një pjesë të karrigeve të kuvendit, iu dogj. Dhe nëse rruga e zgjedhjeve përjashtohet, për të arritur faktorizimin në politikë, i cili të çon me kohën në marrjen e pushtetit, e vetmja mënyrë tjetër për të detyruar mazhorancat të tërhiqen ose të bien nga pushteti janë protestat gjithëpërfshirëse dhe paralizuese ose destabilizim dhe përmbushje e pushtetit me dhunë.

Sido që të jetë, pas shumë pak kohe, shqiptarët do ta vërtetojnë ipso facto, nëse strukturat shtetërore janë të sakta në dhënien e alarmit për planifikimin e destabilizimit nga ana e opozitës apo nëse kjo e fundit ka si qëllim paralizimin e jetës publike dhe politike të vendit, me anë të mosbindjes civile, e cila nuk dihet se deri në ç’shkallë do të aplikohet.

Thënë kjo, sigurisht që nuk mund të mos shkojmë në rrugët e zgjidhjes së kësaj situate, ku secili ka për detyrë të bëjë pjesën që i takon si qytetar i përgjegjshëm përpara ligjit dhe shtetit, i cili sipas kontratës sociale të firmosur nga secili prej nesh, mund të përdorë edhe forcën për të na garantuar rendin dhe qetësinë. Kryeministri ka dy rrugë; ose të tërhiqet sërish siç bëri me Kavajën dhe t’i japë opozitës qeverinë teknike ose t’i shkojë deri në fund zbatimit dhe garantimit të dekretit presidencial për zgjedhje në 18 qershor. Duke marrë parasysh, paparashikueshmërinë e tij, por edhe faktin që ndërkombëtarët kanë ndikim maksimal tek ai, duket se kësaj radhe, siç edhe paralajmëroi ai, nuk do të tërhiqet më.

Së dyti, qytetarët, nëse janë të lodhur dhe të neveritur nga kjo situatë, mund dhe duhet ta ndëshkojnë atë me pjesëmarrje masive në zgjedhje, pasi kjo është e vetmja mënyrë që arroganca dhe ultimatumet e çdo lloji me çadra, mosbindje apo destabilitet të pushojnë njëherë e përgjithmonë. Sigurisht, nëse janë të pakënaqur nga kjo qeveri, qytetarët kanë mundësinë të emërojnë një opozitë të re apo më mirë akoma edhe një të majtë të re, si një mazhorancë të re. Qytetarët kësaj here, duhet ta kthejnë 18 qershorin në ndëshkimin e arrogancave politike, nga çdo anë që ato mund të shfaqen.

Së treti, simpatizantët e opozitës, edhe pse me zemër të thyer, që nuk iu dha mundësia të shpreheshin me votë për partinë së cilës i janë përkushtuar idealisht, të distancohen nga çdo lloj organizimi zyrtar dhe gjysmëzyrtar që i tubon ata në turma që kanë tendencë dhune. Duhet të kuptojmë të gjithë, se edhe nëse ditën e zgjedhjeve rrëmbehemi nga instinkte të dhunshme apo nga psikologjia e turmës, çdo gjë do të jetë e monitoruar dhe drejtësia mund të procedojë gjithsecilin në çdo kohë, edhe në çdo rrethanë.

Së katërti, nëse ndërkombëtarët do t’i jepnin mbështetje kryeministrit që t’i shkojë kësaj historie deri në fund, siç duket nga deklaratat e tyre për njohjen e zgjedhjeve edhe pa opozitën, duhet të jenë të gatshëm të kontribuojnë edhe me mjetë të sigurisë, me inteligjencë apo edhe me forca ligjzbatuese dhe të ruajtjes së rendit, nëse kjo u kërkohet nga qeveria shqiptare. Nga ana tjetër, le ta ngrenë presionin ndaj liderëve që do të synojnë shkeljen e ligjit në mënyra që vetëm ata mund të dinë t’i bëjnë, siç kanë bërë kur i rreshtojnë politikanët në votime unanime.

Si përfundim, ka ardhur koha që shteti dhe demokracia shqiptare të testohet ndoshta me sprovën me të vështirë në historinë e pluralizmit modern të pasdiktaturës. Historitë me ultimatume, kërcënime dhe përmbysje të republikave duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Nëse politikanët duan të luajnë shah, këtë le ta bëjnë brenda institucioneve dhe jo në rrugë, duke çuar njerëzit idealistë, sërish në llogore të dhunshme, ku historia me të rënë apo dëshmorë të bërë kurban për tranzicione pushteti është akoma e freskët në mendjen e publikut. Nëse kryeministri ynë shahist, do të ishte sërish në gjendje të shmangte gjakderdhje të reja apo viktima njerëzore ditën e zgjedhjeve, me anë të veprimeve të tij të paparashikueshme, do të merrte vlerësimin e duhur si një njeri, strategjia e të cilit, gjithmonë synon jo mbajtjen e pushtetit, por ruajtjen e jetës së qytetarëve, që i kanë besuar drejtimin e shtetit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Darka e “Pazarit të ri”

Nga Vladimir Karaj Pak rëndësi ka çfarë është gatuar dhe çfarë është...
Read More