Ngatërrimi me Demarkacionin

Z.Pacolli, me dëshirën e mirë për të dalë nga situata me demarkacionin, në të cilën kemi hyrë me naivitet, si dhe për t’i nxjerrë me fytyrë institucionet e Kosovës, ngatërroi punë edhe më shumë.

Nga Baton Haxhiu

E pashë dhe e dëgjova me kokëdhimbje sinqeritetin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, në Podgoricë. U mundua që të ndërtojë një narracion me disa parime, duke shpresuar se mirësia e fjalive shkon me principet e munguara. Por, ishte e panevojshme dhe me rrezikshmëri politike që disa çështje – të cilat do të duhej të mbeteshin vetëm në tavolinën e takimit ndërmjet shteteve – të barten edhe në konference për media. Ato, shpeshherë, në përvoja të shumë shteteve dhe situatave të ngjashme, kanë pasoja të pakthyeshme në marrëdhënie ndërmjet vendeve.

Desha që në fillim ta kem një qëndrim të paluhatshëm për Kryeministrin Ramush Haradinaj, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Ministrin Behgjet Pacolli.

Vendimet shtetërore nuk janë mendime dhe as qëndrime personale. Sepse, duke përdorur fjalitë që – nuk jemi gati për demarkacionin e nënshkruar nga institucionet, po shërojmë ambicie personale tonat. E vërteta nuk do jetë ndryshe nga ajo që është nënshkruar. Mund të ndodhë edhe më keq, që një ditë, NATO, fjalitë e Ministrit të Jashtëm të Kosovës t’i quajë pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër. Duhet të dallohet qartësisht vendimi dhe qëndrimi shtetëror prej atij opozitar. Vendimi shtetëror ka parime dhe pasoja ndërshtetërore, ndërkombëtare dhe diplomatike. Pasojat për opozitën kanë një dimension tjetër – kanë të bëjnë vetëm me votën dhe zgjedhjet, dhe natyrisht edhe presionin që u bëhet organeve shtetërore, që në çfarëdo negociate të nxirret maksimumi për çështje të caktuara.

Pas nënshkrimit dhe aprovimit, duhen respektuar vendimet që kanë marrë organet shtetërore, e të cilat njëkohësisht janë edhe obligim ndërkombëtar. Kështu nuk ishte në konferencën për media, as me gjuhën e thënë, e as me përfundimin kësaj konference, të z. Pacolli dhe z. Darmanovic. Po ndalem te kjo konferencë e Ministrit Pacolli në Podgoricë. Njeriu i parë i diplomacisë kosovare shkoi në Podgoricë për të kërkuar shtyrje të demarkacionit dhe për të ndërtuar parime të reja. Por, kishte harruar se për të tregtuar me principe, fillimisht duhet t’i bëjmë të mundura ato. Ai shkoi ne Podgoricë me dëshirën më të mirë për të sugjeruar diçka. Por, me qëndrimin e tij vuri ne pikëpyetje institucionet dhe vendimet e nënshkruara nga liderë institucionesh. Bile, tregoi se duke mos qenë të gatshme për demarkacionin, institucionet tona lanë shenja që kërkojnë territor ndaj një shteti tjetër. Gjithashtu, Pacolli i vuri në pikëpyetje institucionet tona. Harroi faktin se për t’i vënë në pikëpyetje institucionet, fillimisht duhet t’i krijojmë ato, të jenë stabile ato, e vetëm pastaj mund të hyhet në bisedime për të ndryshuar paqartësitë që lindin me shtetin tjetër. Në konferencën për media në Podgoricë u dha një mesazh që pa dashje mbart disa elemente të rënda.

Gjatë procesit të demarkacionit, sipas logjikës së ministrit të Jashtëm dhe dy liderëve të tjerë (Haradinaj e Veseli), shteti ynë, në procesin e demarkacionit ka pasur përfaqësues me veprime dhe elemente tradhtie dhe ka pasur një grup ekspertësh me padijeni të theksuar. Këtë padijeni e dërgoi edhe te grupet ndërkombëtare, që ishin monitorues dhe aprovues të këtij procesi. Gjatë deklarimit, këto elemente të konferencës për media nuk janë marrë seriozisht. Zoti Pacolli, me dëshirën e mirë për të dalë nga situata në të cilën kemi ngecur, e në të cilën kemi hyrë me naivitet politik e personal, me dëshirën e mirë për t’i nxjerrë me fytyrë edhe institucionet e Kosovës, ka ngatërruar punë edhe më shumë. Ai konkretizoi dyshimet që i kanë të tjerët për ne, sepse tregoi se ende pa filluar mirë ndërtimi i shtetit, vetë ai dhe të tjerët si ai, kanë filluar të dyshojnë në të dhe në njerëzit që përfaqësojnë shtetin e Kosovës.

Kjo Qeveri e re duhet ta ketë parasysh se për të dyshuar në shtetin dhe në njerëzit që përfaqësojnë shtetin, fillimisht duhet ta kemi shtetin të formuar në kuptimin e plotë të fjalës. Krejt në fund, ka një hendek të madh ndërmjet nesh dhe BE-së. Në vend që të merremi me parimet e BE-së karshi Kosovës, duke i sfiduar me qëndrime dhe veprime shtetërore, institucionet tona ndërtojnë logjikën e mungesës së principeve dhe japin shembull se sfidohet gjithçka që është ndërtuar me pjesëmarrjen e BE-së dhe SHBA-së. Merremi për tre vjet me radhë me demarkacionin, duke besuar në njerëz aventurierë që në pleqërinë e tyre, para se të ikin në botën tjetër, të shënohen si patriotë, sepse në kohën e tyre ose s’kanë pasur fare, ose kanë pasur deficit të theksuar të patriotizmit. Dallimet tona me Europën sot janë shumë më të vogla sesa para shumë vjetësh. Ose, të gjitha dallimet që kemi pasur, janë reduktuar në një: ligji, ose më saktë, mungesa e zbatimit të ligjit. Institucionet tona dhe ministri i Jashtëm i saj duhet të dalin jashtë kësaj lëkure të kotë, duke i thënë Europës – ka edhe diçka që na dallon ndjeshëm ne dhe vende të tjera në Ballkan. Komuniteti i BE-së di si të ofrojë shërbime për shtetndërtim, por ajo që nuk di është si të krijojë institucione vendëse të vetëqëndrueshme.

Ka edhe diçka që na dallon te shtetndërtimi dhe te të kuptuarit e shtetit. Në mesin e anëtarëve të BE-së nuk ka dakordim se çka është shteti i ri dhe si bëhet njohja dhe përcaktimi për jetën e tij.

Këto duhet të jenë kërkesat tona. Këtu e kam fjalën, para së gjithash, për BE-në, e cila dëshiron të bëhet faktor përcaktues në ndërtimin e Kosovës dhe marrëdhënieve ballkanike dhe europiane; për BE-në që dëshiron të na mësojë për principalitetin e shtetndërtimit, ndërsa në mesin e anëtarëve të saj nuk mund të merren vesh se çka është shteti, edhe atë pikërisht në rastin e Kosovës. Mainstreami politik, shtetndërtues, në momentet e krijimit të Kosovës, është parimor në qëllimet, programet e vizionet për ta ndërtuar një shtet të pranuar, integruar dhe krenar në të njëjtën kohë. Ky ka qenë një princip i qartë. Por, kjo elitë europiane është po aq e gatshme në dyluftimin e mendjemadhësisë brenda anëtarësisë së saj dhe oportunizmit politik, duke i reduktuar këto principe në pakufi, e duke e çuar paqartësinë e saj deri të kufijtë e durimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne kemi probleme serioze në këtë proces, që ministri i Jashtëm duhet ta adresojë. Qytetarët serbë të Kosovës me konsistencë mohojnë legjitimitetin e institucioneve të shtetit të Kosovës, deri në momentin kur duhen marrë vendet kryesore në këto institucione. Këtu, principi ia lëshon vendin pagës shtetërore.

Shkojmë tutje. Lëvizja anti-establishment e Albin Kurtit, Vetëvendosje, dhe Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj në kohën sa ishin opozitarë, ishin principielë në mohimin e pakufishëm të çdo gjëje në emër të qytetarëve të pafuqishëm dhe të varfër. Ishin principielë në atë masë sa luajtën rolin e “terroristit” për të siguruar një shoqëri më të mirë dhe me mundësi të barabarta për votuesit e tyre – përmes rrënimit dhe mohimit të institucioneve. Menjëherë në këtë logjikë vihet dyshimi mbi qëllimin e tyre, sepse njëkohësisht luajtën edhe pengjet e sistemit të cilin duan ta rrënojnë.

Demarkacioni i spektaklit nga realiteti bëhet çdo herë e më i pamundur në këto kohë të fake news. Megjithatë, njëkohësisht nuk mund të jenë edhe “terroristë”, edhe pengje. Jo tash kur Ramush Haradinaj është Kryeministër dhe Fatmir Limaj Zëvendëskryeministër. Kosova, tash në këtë moment, nuk mund t’ia lejojë vetës këtë luks. Para së gjithash, nuk mundet për shkak të gjendjes në Ballkan, e cila përsëri këtë regjion e bën vatër zjarri gjatë themelimit të rendit të ri të forcave ndërmjet fuqive të mëdha. Ashtu si edhe vendet e tjera në regjion, Kosova është në situatë të bëhet fitues ose humbëse në këtë lojë të interesave ndërkombëtare, të cilat thyhen në mënyra që do të përkufizojnë dekadat para nesh. Në analizën përfundimtare secili shtet që merret me ne e ka një konstatim të gatshëm; kufijtë janë në funksion të pushtetit. Nëse nuk i mbroni ato, ato janë vetëm vija më pika. Ne së shpejti do zbulojmë nëse llogaritja ishte e saktë. Nëse po, dhe pastaj krijojmë melodramë politike, do të kthehemi në shekullin e 19-të kur fuqitë e mëdha do të luajnë lojën e tyre të madhe me kufijtë e të tjerëve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Agim Faja, piktori emblemë i një qyteti të vogël

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.