Ngërçi i Reformës në Drejtësi: Ja letra e Metës për Kuvendin

Presidenti i Republikës kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë qartësimin e situatës ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Për shkak të moskrijimit të KLGJ-së dhe KLP-së, ndodhemi qartazi përpara një ngërçi faktik institucional, por edhe të një vakumi ligjor. Vakumi ligjor është krijuar, pasi nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese apo parashikim ligjor që krijon mekanizmin e përshtatshëm që zgjidh këtë situatë të krijuar”, thuhet në letrën që Presidenca i dërgon Kuvendit.

Reforma në Drejtësi është futur në një rreth vicioz që rrezikon të gjitha institucionet e drejtësisë së re. Ngërçit të krijuar deri tani i shtohet edhe një tjetër institucion i bllokuar, që gjithashtu krijon pengesa për gjithë sistemin.

Ndërkohë që nuk janë krijuar Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një tjetër institucion i rëndësishëm rrezikon të mos konstituohet. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është një ndër institucionet e reja dhe më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi.

Ky këshill përbëhet nga anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe prokurorë të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Ky Këshill funksionin me mandat 1-vjeçar dhe ka për detyrë që të zgjedhë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në mungesë të dy institucioneve, KLGJ dhe KLP krijohet një ngërç i ri në sistemin e drejtësisë, pasi nuk mund të propozohen kandidaturat për KED-në nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për këtë ngërç ka shprehur shqetësim edhe institucioni i Presidentit të Republikës, i cili i kërkon kuvendit interpretim ligjor për situatën e krijuar, pasi ky institucion është në pamundësinë ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KED.

Në shkurt 2017 u konstituua Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Drejtësi, të cilit i përfundon funksioni në Janar 2017.

Për këtë Këshill të Përkohshëm, Kushtetuta kishte parashikuar dispozita tranzitore. Sipas këtyre dispozitave, vetëm për Këshillin tranzitor, kandidaturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të propozoheshin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Pra, Kushtetuta e kishte parashikuar që KLD dhe Prokurori i Përgjithshëm do të investoheshin vetëm një herë, në zgjedhjen e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.

Më tej, kandidatët do të propozoheshin nga KLGJ dhe KLP, të cilat nuk janë krijuar ende. Ndërkohë, sot situata është tërësisht e bllokuar, pikërisht se mungojnë Këshillat Gjyqësorë dhe të Prokurorisë.

Në bazë të Kushtetutës, shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së zhvillohet nga Presidenti i Republikës. Shorti duhet të zhvillohet çdo vit, në fillim të muajit Dhjetor.

Por, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka hequr dorë nga zhvillimi i shortit, për shkak të vakumit ligjor që ekziston për krijimin e këtij institucioni. Këtë shqetësim Presidenti ia ka përcjellë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet një shkrese ku argumenton pamundësinë ligjore për të zhvilluar shortin për anëtarët e KED-së, si edhe kërkon nga Parlamenti që të menaxhojë situatën e krijuar. Presidenti i Republikës, në shkresën e tij, konstaton se: ….Për shkak të moskrijimit të KLGJ-së dhe KLP-së, ndodhemi qartazi përpara një ngërçi faktik institucional, por edhe të një vakumi ligjor… Presidenca argumenton në vijim se vakumi ligjor është krijuar, pasi nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese apo parashikim ligjor që krijon mekanizmin e përshtatshëm që zgjidh këtë situatë të krijuar….

Duke renditur dispozitat ligjore në mënyrë të plotë, kreu i shtetit arrin në konkluzionin se …Në këto kushte, Presidenti i Republikës nuk do të mund të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese (për hedhjen e shortit për KED), pasi nuk ekziston një situatë e qartë ligjore…. Duke u gjendur në këto kushte, Presidenti i Republikës vlerëson se interpretimi (për këtë situatë) i takon Kuvendit të Shqipërisë, si organi që ka mundësinë e interpretimit autentik, duke qenë edhe ai autor i miratimit të dispozitave ligjore.

Pra, Presidenti i Republikës kërkon angazhimin e institucionit ligjvënës për të qartësuar ngërçin ligjor. Duke interpretuar qëndrimin e Presidentit të Republikës, Parlamenti duhet të zhvillojë seancë të posaçme, ku deputetët të shprehen me votë për rregullimin e nevojshëm ligjor. Por, kjo kërkesë e Presidentit është lexuar ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Zyra juridike e parlamentit e ka interpretuar se Presidenti i Republikës ka hequr dorë nga shorti, duke ia kaluar këtë kompetencë administratës së Kuvendit. Në bazë të këtij interpretimi, Parlamenti ka përcaktuar datën 7 Dhjetor për t’u zhvilluar shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kuvendi ka kërkuar propozimet për kandidatë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, ndërkohë që këto dy institucione nuk kanë mundësi ligjore për t’u angazhuar në këtë drejtim.

Pra, ngërçi faktik i përmendur nga Presidenti i Republikës ka vënë në përplasje kreun e shtetit me Parlamentin, duke krijuar një situatë absurde institucionale. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të zgjidhet në 7 Dhjetor, ndërkohë që është tërësisht e paqartë kushtetutshmëria e tij.

Kjo çështje pritet të rikthejë edhe një herë debatin jo vetëm për ligjshmërinë e shortit, por edhe për kandidatët që do i nënshtrohen këtij procesi, nëse do të ketë të tillë. Për rreth një vit, Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Drejtësi nuk mundi të mblidhej asnjëherë dhe nuk arriti të ushtrojë asnjë prej kompetencave që i parashikon ligji. Tashmë duhet të zgjidhet Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi, që gjithashtu do të kontestohet për shkak të vakumit ligjor dhe mungesës së interpretimit të këtij vakumi nga Parlamenti.

Njëlloj si KED janë edhe dy institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Edhe pse ligji për institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë është miratuar më shumë se një vit e gjysmë më parë, këto dy institucione nuk janë ngritur ende për disa arsye.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende pasi mungojnë kandidaturat nga shoqëria civile, ndërsa kandidatët nga radhët e prokurorëve dhe bota akademike nuk i janë nënshtruar ende procesit të vettingut. Ndërsa KLGJ nuk është ngritur ende për shkak të procesit të vettingut që nuk ka nisur ende ndaj kandidatëve për këtë institucion.

Por më shumë se vettingu, ekspertët thonë se problemet janë në formulimet kushtetuese të cilat përcaktojë data dhe afate, si kurrë më parë në një ligj themeltar të shtetit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Eno Peçi: Është koha ajo që gjithmonë luan me ne…

Kur krijoi “Exil” koreografi shkoi në ide e koncept në vitin 1997....
Read More