Ngërçi, opiumi i intelektualëve…

“Çadra” dhe ngërçi politik i tri muajve të fundit ka nxitur një ‘luftë’ mes intelektualëve, analistëve dhe figurave publike: pozicionime të forta, pro e kundër ‘çadrës’ dhe bojkotit të zgjedhjeve nga Basha apo mbështetjes së ciklit reformist të kryeministrit Rama dhe aplikimit të Reformës në Drejtësi. Një debat dhe pozicionime radikale dhe shpesh personale në 3 muajt e ngërçit politik

Nga Vladimir Karaj

Një debat i fundit mes Mustafa Nanos dhe Andi Bushatit është vetëm një prej pikave të shpërthimit, të përplasjeve politike në vend që kanë ndarë fort jo vetëm militantët dhe politikanët e secilit krah, por edhe intelektualët e analistët. Pro dhe kundër, i shitur dhe i blerë, nxitës dhune dhe përkrahës stabiliteti, janë epitetet që kërcejnë nga një krah në tjetrin. Prej fillimit Andi Bushati, Armand Shkullaku, Fatos Lubonja, Artan Fuga, Preç Zogaj dhe të tjerë u rreshtuan në krah të PD-së. Një pjesë duke e sjellë atë si shpresë të vetme të vendit, të tjerë duke i besuar asaj (njërës bandë) rrëzimin e Edi Ramës (bandës tjetër) dhe të tjerë duke parë mundësitë e ndryshimeve reale. Në krahun tjetër Spartak Ngjela, Mentor Nazarko, Skënder Minxhozi, Lorenc Vangjeli, Mero Baze, Mustafa Nano dhe të tjerë, të pozicionuar o në krah të qeverisë, o për stabilitetin, o thjesht kundër opozitës dhe qëllimeve të supozuara të saj. Anshmëria është bërë aq e fortë sa jo në pak raste çdo gërvishtje ndaj njërit apo tjetrit, çdo përmendje është kthyer në një debat të ashpër mes vetë këtyre personave, që teknikisht kanë në lojë vetëm mendimet e tyre. I tillë ishte debati mes Andi Bushatit dhe Mustafa Nanos. Të tilla përplasje ka pasur në studiot televizive ku shpesh nervat kanë qenë më të ashpra sesa situata. Për t’i ndihmuar kësaj ka shërbyer edhe qasja e politikës ndaj qëndrimeve jashtë saj. Partitë politike po luajnë prej kohësh lojën e denoncuesit. Edi Rama në disa raste dhe Lulzim Basha në krahun tjetër e kanë bërë rrugë t’i sulmojnë opinionshkruesit si të paguar apo “nën zotërim” të njërit dhe të tjetrit.

Majtas këmbëngulje për stabilitet

“Vërtet mendon ky qesharak se mund të trembë politikën amerikane me destabilitet të Shqipërisë? Naivitet fëminor”, shkruante dje Spartak Ngjela. Avokati është një prej zërave më të ashpër kundër protestës. Ai e ka cilësuar atë që prej fillimit një maskë për të mbuluar pengimin e Reformës në Drejtësi, të cilën ai e sheh si kërcënim për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ngjela në një status të posaçëm vë në dukje se përkundër asaj që duket PD nuk mund të cenojë stabilitetin e vendit dhe as të rrezikojë reformën që sipas tij do të zbatohet. I ashpër me PD Ngjela shkruante: “Trazirat e Saliut duan të trembin politikën amerikane që kjo t’i bëjë lëshime: t’i lërë të paprekura paratë dhe plaçkën e vjedhur prej tij dhe familjes së tij.

Asgjë. Saliu është pushtuar nga hiçi psikologjik vetjak: askush nuk ka shpëtuar ndonjëherë me anë të “forcës” së këtij hiçi. Askush dhe askurrë… Të gjithë historikisht kanë rënë në humnerën që vetë e kanë ndjellë”. Por nga ky pozicion Ngjela nuk ka qenë dhe aq miqësor me kryeministrin Rama të cilin e akuzon për naivitet dhe për lidhjen me tani Presidentin e zgjedhur Ilir Meta, edhe pse publikisht ai ka mbrojtur qëndrimin e Ramës se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqje.

Në këtë linjë po kaq i ashpër është edhe Mero Baze. “Pra, protesta nuk do jetë as festë, as vaj, as dëshpërim, as dhunë, as gëzim. Ajo është diçka që i ka mbetur në dorë Lulzim Bashës për shkak të paqartësisë së tij të plotë mbi rrugën ku u nis dhe ku po shkon”, shkruante ai dje. Ndryshe nga ata Mustafa Nano që ishte protagonist edhe në një përplasje publike me kreun e opozitës Lulzim Basha ishte i shqetësuar për mundësinë e dhunës. Nano sulmoi jo vetëm Bashën, por edhe kolegët duke i akuzuar për “nxitës të luftës”. “Sepse ndryshe i bie që gjërat t’i zgjidhim si Muji e Halili që i dilnin bajlozit në mejdan apo që nuk linin shkja pa pre. Dhe duket se është kjo që kërkon Bushati. Në mënyrë të çuditshme”, shkruante Nano për Mapo.

Djathtas në kërkim të revolucionit

Mbështetësit e PD duan medoemos një ndryshim total dhe e duan menjëherë. Pak rëndësi ka nëse ky është i paqtë siç shkruante sot Artan Fuga: “Madje do të shtoja se kushdo që ushtron nesër qoftë edhe dhunën më të vogël, prish, shkatërron, godet, ai është një sabotator i kauzës së madhe të zgjedhjeve të lira është një provokator”. Apo nëse situata eskalon siç shkruante Andi Bushati në replikën me Mustafa Nanon, kur ai pranonte që pushteti “si i Ramës” mund të rrëzohej me forcë, jepte mbështetje për revoltën qytetare. “Ja pikërisht për këtë, kam qenë i mendimit se as pushteti i Berishës dje dhe as ai i Ramës sot, nuk mund të trajtohen me respektin e pushteteve legjitimë”, shkruante ai dhe shton se “Pikërisht për këtë, kam refuzuar t’i quaj tradhtarë të kombit, të porosive të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ata që duan ta gërvishtin llakun e kartolinave që pikturojnë qeverisjet”.

Armand Shkullaku që ndryshe nga dy të parët ishte edhe më i vendosur në pozicionimin e tij. Shkullaku shkoi në çadër që në ditët e saj të para dhe ai ishte prej atëherë mbështetës i një radikalizmi që nuk duhej të ndalonte, madje e quante tradhti nëse Basha hiqte dorë prej kushteve apo bojkotit të zgjedhjeve. Qasje të ashpër mban edhe Preç Zogaj. Por të gjithë këta në një mënyrë apo në një tjetër janë të pakënaqur që Basha nuk miratoi para se të shkonte në bojkot komisionet që i duheshin vijimit të Reformës në Drejtësi. Përndryshe Fatos Lubonja që e ka sulmuar reformën dhe e ka parë atë si një përpjekje të Ramës për të uzurpuar edhe atë pushtet, edhe pse nuk ka pranuar të shkojë në çadër apo në protestë të opozitës, ishte edhe më i ashpër. Duke i qëndruar përcaktimit të tij për “dy bandat”, Lubonja thotë i perifrazuar se banda e PS e drejtuar nga Rama po forcohet dhe duhet të përmbyset. Madje ai ishte i ashpër edhe ndaj ndërkombëtarëve: “Ne e dimë që ndërkombëtarët mbrojnë qeverinë, por hipertrofizim që i bëjmë atyre dhe ajo që më shqetëson është se këta nuk kanë asnjë refleksion në 20 e ca vite, çfarë kanë bërë këta këtu me kanalizimin e të gjitha problemeve.

Është dështim total i tyre, se kanë legjitimuar një kastë kriminale. I kanë legjitimuar, tani i thonë uluni atje e vazhdoni fasadën demokratike e pas fasadës bëni ç’të doni”, -tha ai në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit dy ditë më parë.

Lufta mes llojit

Përndryshe nga shumë beteja të tjera ku kundërshtitë në media kanë qenë më të buta, përjashto këtu ndarjen pas 21 janarit, përplasja mes “fronteve” të ndryshme ka qenë mjaft më e ashpër. Replikat mes Henri Çilit dhe Artan Fugës pas një shkrimi në MAPO që iu referohej qëndrimeve të profesor Fugës pro protestës së PD-së, kaluan në shkëmbime personale. Po ashtu e tillë ishte përplasja me Bushatit dhe Nanos, Zhejit dhe Nanos e të ngjashme. Palët politike po ashtu janë vënë në pritë për këdo që u del kundër. Edi Rama pati sulmuar në një intervistë me Ylli Rakipin të gjithë ata që e akuzonin. “Rrjepës pulash”, pati thënë Rama duke aluduar se përveç Fatos Lubonjës, kundërshtarit të tij më të ashpër, të gjithë të tjerët edhe paguheshin. Nga ana e tij Lulzim Basha nuk i ka kursyer sulmet për media të kapura nga çadra dhe shpesh edhe drejtpërdrejt në studio. E gjithë kjo ndërkohë bën të qartë se 3 muajt e protestës kanë shërbyer në një ndarje të qartë mes dy palëve në vend. Atyre që kërkojnë përmes thirrjeve gati “revolucionare” republikën e re dhe atyre që besojnë se kauza e PD-së është false dhe se kjo e fundit nuk ka kredon morale apo më keq akoma proteston vetëm për t’u mbrojtur nga Reforma në Drejtësi.

Por me gjasë marrja e anës është pranuar edhe si detyrim për palët. Mustafa Nano ishte i qartë në përgjigjen e tij ndaj Bushatit. “Me këtë shqetësim ai thjesht kruhet atje ku i djeg. Dhe unë nuk e kuptoj pse i djeg, pasi së pari, nuk e thosha që ai ishte palë me Bashën dhe së dyti, nuk do kish ndonjë gjë edhe sikur ta thosha. Sepse të gjithë jemi të anshëm. Nëse dikush më thotë mua se jam i anshëm, në të vërtetë nuk më ka thënë asgjë fyese. Sepse unë jam i anshëm. Madje, më shumë se Bushati. Paanshmërinë duhet ta kërkojmë te një edicion lajmesh (dhe nuk është se mund ta arrijmë, të kuptohemi), por jo te një opinionist”, shkruante Nano.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ditari i Servet Pëllumbit: Si u “lut” Ramiz Alia eurosocialistëve për të hyrë në PS

Ditari politik i Servet Pëllumbit, “Përvoja ime me Partinë Socialiste”,  botimet “Toena”,...
Read More