Ngrihen tri akuza për Xhelilin, ish-kryebashkiaku: Ishte kurth…



xheliliIsh-kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, merret në pyetje për video-skandalin. Pranon ngjarjen, por nuk jep shpjegime të hollësishme. Në pyetje edhe vajza 20-vjeçare protagoniste, të cilës iu kërkua seks në këmbim të punës. Prokuroria dhe policia “bastisin” zyrën e ish-kryebashkiakut.

Vetëm pak orë pas publikimit të video-skandalit mes Kryetarit të Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, me një 20-vjeçare të punësuar në administratën e bashkisë, policia dhe prokuroria nisin hetimet.

Ish-kryebashkiakut të saposhkarkuar i janë komunikuar tri akuza, “marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën e mbetur në tentativë”, “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndonëse mbi të rëndojnë tri akuza, është vendosur që ish-kryebashkiaku të hetohet në gjendje të lirë.

Para se të merrej në pyetje, në zyrën e kryetarit të bashkisë mbërriti një grup ekspertësh, i përbërë nga punonjës të policisë dhe prokurorisë së rrethit.

Ata fillimisht kanë sekuestruar dokumentacionin e marrjes në punë të 20-vjeçares, të cilës Xhelili i kërkoi favore seksuale.

Grupi hetimor mori në pyetje 20-vjeçaren me iniciale A. A., lindur dhe banuese në Dibër, e cila u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Sipas deklarimeve, ajo pretendon se ishte vënë nën presion nga kryebashkiaku për t’i afruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

E gjithë dëshmia e saj tashmë është një provë edhe me pamje filmike, pasi Xhelili që në momentin që nënshkruan kontratën për marrjen në punë të 20-vjeçares, i kërkon favore seksuale.

Disa kohë më vonë, ai e merr në Tiranë dhe niset drejt një hoteli në periferi të kryeqytetit, ku tentoi të kryejë marrëdhënie seksuale.

Kjo ngjarje e rëndë solli edhe reagimin jo vetëm të politikës, por edhe të shoqërisë civile, që dënuan ashpër veprimet e të zgjedhurit lokal, i cili u përfshi në këtë aferë të rëndë seksuale duke shpërdoruar detyrën.

Po mëngjesin e djeshëm, sapo kishte marrë vendimin e shkarkimit nga qeveria, Xhelili është detyruar të paraqitet në ambientet e policisë, ku ka dhënë shpjegime në lidhje me çështjen.

Ai është shprehur se i ka kryer veprimet, por ndaj tij është ngritur “kurth” dhe nuk ka pranuar të japë shpjegime më të hollësishme, duke u shprehur se bashkë me avokatin do të tregojë detaje në një kohë të dytë.

Afera seksuale në këtë rast është më se e qartë, tashmë pritet që çështja të merret përfundimisht në duart e policisë.

Ndonëse paraprakisht është vendosur që Xhelili të ndiqet në gjendje të lirë, nuk përjashtohet mundësia që për të, të lëshohet urdhër-ndalimi nga ana e prokurorisë.

Sikurse tregohet edhe në video, Xhelili pranon para 20-vjeçares që ka shkuar edhe me vajza të tjera. Minimalisht për të pritej shkarkimi i menjëhershëm dhe kjo ka ndodhur në një Vendim të Këshillit të Ministrave, paraditen e djeshme.

Motivacioni i largimit të tij nga detyra është për shkelje të rënda. Ndërsa në komunitetin e vogël dibran, situata ditën e djeshme “ziente” kudo dhe temë kryesore ishte pikërisht afera seksuale e të zgjedhurit të tyre lokal.

Më e drejtpërdrejtë dhe e indinjuar ishte Prefektja e Dibrës, e cila në një komunikim të shkurtër u shpreh: “Ne distancohemi dhe e dënojmë këtë akt të turpshëm dhe perverse të personit në fjalë. Theksojmë se ky është një rast i veçuar që nuk ka përse të përgjithësohet e të baltosë pushtetarët vendorë, pavarësisht se cilin krah politik përfaqëson. Në iu bëjmë thirrje vendorëve dhe administratorëve të vazhdojnë punën në shërbim të qytetarëve dhe organet le ta analizojnë rastin. Edhe këshilli bashkiak është në një mbledhje urgjente për të marrë një vendim. Si grua dibrane dhe në emër të grave dibrane, paç faqen e zezë Shukri…”.

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë më vetëm për çështje morali dhe “faqeje të zezë”, por edhe probleme me drejtësinë.

Afera seksuale deri më tani minimalisht i kushtoi Xhelilit shkarkimin nga detyra, ndërsa është rihapur debati i madh i abuzimit të pushtetarëve, jo vetëm në afera korruptive në para, por edhe ato seksuale.

PS-LSI, deklarata të kundërta dhe “ndahen” për Shukriun…

Edhe pse në vija të përgjithshme e dënojnë veprimin e Shukri Xhelilit në aferën seksuale, drejtues të PS-së e cilësojnë ngjarjen një skenar politik. Dje, në një konferencë të shkurtër për mediat, u shfaq deputeti i PS-së për qarkun e Dibrës Ulsi Manja, i cili dënoi rastin, por nuk mbeti pa theksuar se pas kësaj videoje fshihen skenarë politikë. “Si deputet i Qarkut të Dibrës, e ndiej për detyrë t’u kërkoj ndjesë qytetarëve të Dibrës. Rastin e kryebashkiakut e kanë marrë në dorë organet e drejtësisë dhe i ftoj që të zbardhin përgjegjësitë dhe të vërtetën si për kryebashkiakun, por edhe për këdo që është bërë pjesë e këtij skenari të turpshëm politik. Duke u nisur nga ky rast për të fituar kapital politik dhe për të lidhur moralin e qeverisë sonë me këtë rast, e them me keqardhje se janë ca mjeranë politikë” -tha ai. Por krejt ndryshe mendojnë kolegët e LSI-së. Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, i cili edhe më herët publikisht kishte shprehur rezerva për punën e kreut të Xhelilit në krye të bashkisë së Peshkopisë, i kërkoi edhe kryeministrit Edi Rama, të kërkonte ndjese për përzgjedhjen që bëri për bashkinë e këtij qyteti. “Ajo që dua të theksoj është se fakti që është shkarkuar sot nga qeveria duhet të shoqërohet edhe me një kërkesë falje të personave që e kanë propozuar një kandidaturë të tillë. Kryeministri, deputeti i zonës dhe të gjithë ata që e mbështetën” -tha ai. Ndërsa ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shpreh se “Qeveria ka marrë vendimet e duhura. Prokuroria është në procesin e duhur. Histori të tjera janë histori që duhet t’i gjykojë morali i shoqërisë. Patjetër që bashkohem me opinionin publik që skandale të tilla meritojnë dënim shembullor”. Nuk kishte si të mungonte reagimi i PD-së, që e dënoi ashpër ngjarjen, çka tregon sipas saj prostitucion në zyrat e shtetit. Për këtë rast foli deputetja Albana Vokshi, edhe në emër të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë. “Duke dënuar ngjarjen e rëndë të kryetarit të Bashkisë Peshkopi, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë iu bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre fenomeneve të turpshme, të cilat ky pushtet po tenton t’i kthejë në institucion. Në përkrahje të revoltës qytetare që ka shpërthyer në rrjetet sociale, kërkojmë nga Prokuroria hetim të plotë të rrjetit të prostitucionit në zyrat e shtetit”. Afera seksuale për një vend pune ka trazuar jo pak politikën, që në ditët në vijim duket se do e mbajnë gjatë debatin të ndezur, për akuza të ndërsjella mes tyre.

Ambasadori Lu: Ishte një krim skandaloz

Për skandalin e ish-kryetarit të bashkisë së Dibrës, publikuar në Ora News në emisionin “Të Paekspozuarit”, reagoi dje edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Ai e konsideroi një krim skandaloz ngjarjen. “Mendoj se në ditën e sotme, në një ditë kur Shukri Xhelili është arrestuar në Dibër për një krim skandaloz, kryetarët e bashkisë në Shqipëri të tregojnë një menaxhim dhe qeverisje të mirë të bashkive që ata përfaqësojnë” -tha Lu. Deklaratat e ambasadorit amerikan Lu, u bënë gjatë një takimi në bashkinë e Fierit, ku i shoqëruar nga drejtori i USAID-it, u njoh me resurset turistike e ekonomike të njësisë vendore. Ky rast, në këtë mënyrë, nuk ka mbetur pa u komentuar as nga kryediplomati amerikan në vendin tonë, duke e konsideruar një skandal të rëndë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: A është ky bunker prova se qeveria e SHBA po përgatitet për apokalipsin?

Të fiksuarit pas teorive konspirative besojnë se një bunker sekret poshtë Aeroportit...
Read More