Ngushëllimi suedez

-Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç

I dashur Mustafa,

E kam të vështirë të ta përshkruaj atmosferën në Serbi pas humbjes nga kosovarët që luanin me fanellat e Zvicrës. Ndeshjen e pashë në një kafe të Beogradit që dukej si e shushatur. Mëngjesi ishte më i vështirë se një natë më parë. Nuk di se me çfarë të ta krahasoj. Pak a shumë sikur e patëm ndryshuar atmosferën me ditën kur pati vdekur Tito në muajin maj të vitit 1980, apo atë ditën ku ra Knini si pasojë e operacionit „Olluja“ të ushtrisë kroate në muajin gusht 1995. Shok, zhgënjim, shushatje. „Shiptarët të na mundin neve“! (shiptarë – emër me konotacion negativ i këtushëm për shqiptarët), shpreheshin shumë veta.

Serbët u kujdesën vetë për provokimet e shqiptarëve që para ndeshjes. Tabolidët serbe rritën tensionet duke krijuar përshtypjen e „një beteje të re të Koshares“; ndërsa Presidenti Vuçiç e vlerësoi ndeshjen si „nëna e të gjitha betejave“; siç pati thënë Sadam Huseini për „Furtunën e shkretëtirës“  herën e parë, dhe pikërisht për këtë u krijua kjo gjendje e një dehjeje të rëndë, nga euforia e deri në depresion.

Ndeshjen sikur ta kishte drejtuar Ramush Haradinaj. Ndjesia e mungesës së shpresës përforcohej nga vetëdija e rrezikut se „sindromi Flamurtari“ (për këtë të kam shkruar tashmë), i cili kishte lidhje vetëm me Partizanin (e Beogradit), tani ishte përhapur në tërë ekipin kombëtar, tërë Serbinë, madje tërë serbizmin. Le ta kujtojmë këtë ngjarje, sepse tani gjithçka tingëllon surreale: Pikërisht, Fadil Vokrri atij shtatori të vitit 1987 luante në revanshin beogradas kundër Flamurtarit dhe gjithçka shkonte sipas planit. Pas faullit bash ndaj Vokrrit u dha një penallti nga i cili Partizani mori përpara me një gol. Pak më vonë, pikërisht ky Vokrri, në mënyrë paksa rutinore, goditi me kokë dhe 2:0, gjë që anulloi përparësinë e shqiptarëve nga Vlora.

Dhe ja ku, ai i famshmi Sokol Kushta gjuajti topin në mënyrë të tmerrshme dhe kjo u dëgjua, më duket deri te sheshi i Beogradit i quajtur „Sllavija“, afro dy kilometra larg stadiumit të Ushtrisë Popullore Jugosllave ku u zhvillua ndjeshja. Dhe ja tani, në vend të një Kushte, kemi dy të tillë: Xhakën dhe Shaqirin. Dhe kur gjërat dukeshin se nuk kishin sesi të shkonin më keq, gjërat u qetësuan kur suedezët, me një eleminim të shpejtë dhe rutinor, të Zvicrës kosovare, pak e shumë e relativizuan madhësinë e fitores së saj ndaj Serbisë, dhe faza e rrahjes së gjokseve serbe, ose kapardisjes – siç quhet kjo në mënyrë popullore – u zëvendësua me fazën e shpirtit djallëzor ku, në mënyrë që gjërat të ndreqeshin sa më shpejt, shkoi puna deri aty sa u dëgjua se Xhaka dhe Shaqiri na paskan dështuar në „filmin suedez“. Dhe që ta kuptosh i dashur Mustafa, këtu te ne kur flitet për „kinematografinë suedeze“ rrallëkush ka parasysh Bergamin; përkundrazi, ka parasysh filmat suedezë „aksion“, me një fjalë filmat pornografikë. Për më tepër, disa suedezë, duart, në vend që t’i kryqëzonin për të bërë shenjën e shqiponjës, duart i kryeqëzuan në një tjetër formë dhe ja, në të pafatëve, na erdhi më në fund edhe ngushëllimi edhe për gjykimin e keq të ndeshjes.

Të kam shkruar se reklama e birrës për botërorin ishte në një formë luftarake, dhe spoti zyrtar i përfaqësueses tonë ishte kombinim i koreografisë së filmit „Zotëria i unazave“ dhe i thyerjes së frontit të Selanikut. Xhaka dhe Shaqiri në mënyrë akademike i zhvlerësuan këto spote TV, duke treguar se megallomanija pa bazë, zhburrëron simbolikën kombëtare.

Ndeshja Serbi Zvicër u luajt në enklavën strategjike ruse Kaliningrad. Deri në vitin 1945, ky qytet njihej si Kwnigsberg, si kryqytet i Prusisë Lindore të dikurshme. Pas fitores së aleatëve mori emrin sipas Mihail Ivanoviç Kalininit, Presidentit të BRSS-së. Por ky është njëkohësisht edhe qyteti i lindjes i filozofit të njohur Emanuel Kant. A nuk të duket paksa i çoroditur, i dashur koleg, fakti që lufta provinciale serbo-shqiptare me mjete të tjera, u zhvillua pikërisht në qytetin e lindjes së filozofit, vepra më e famshme e të cilit – pamfleti filozofik – quhet „Drejt paqes së përjetëshme“ (1795). Dy nacionalizma primitivë, në „luftë të përjetëshme“ me njëri-tjetrin, u përplasën në qytetin e filozofit që fliste mbi imperativin kategorik te ne dhe qiellin me yje sipër nesh. Tani kur Serbia armatoset dhe militarizohet në mënyrë intensive, kur përsëri këtyre ditëve te ne bëhet fushata për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dhe kur theksohet përralla mbi formimin edhe zyrtar të Ushtrisë së Kosovës, a është kjo e njëjta gjë me idenë e Kantit mbi „ushtrinë që qëndron“. Ose, kur i hedhim një sy gjendjes globale, policentrizimit të fuqive gjithnjë e më të rrezikshëm në mbarë këtë botën e sotme pa ideologji, ose akoma më keq, ku religjioni është e vetmja ideologji – sa shëruese tingëllojnë tezat kantiane mbi „republikën botërore“ si parakusht për paqen botërore të qëndrueshme. Sa e varfër është kjo dalldisja ballkanike pas sovraniteteve gënjeshtërta në krahasim me këtë utopi.

A ka farë lidhjeje me raportet serbo-shqiptare, fakti se Kanti pohonte se edhe shteti është „person moral“. Sa të varfër duken këto identitetet dhe sovranitetet tona para „të drejtës qytetare“ të Kantit. Nëse na mungon ndonjë gjë në ditët e sotme, ky është „ekulibrimi“ i Kantit dhe „themeltia kritike“.

Ndeshjen Serbi-Brazil e pashë në Moskë, në „Otkrijte areni“, ose thënë ndryshe stadiumin „Spartak“. Kam përshtypjen se rusët e organizuan mirë këtë kampionat botëror. Në ndryshim nga vizitat e mia të mëparshme në Moskë, kur më hynte frika në palcë nga shtrenjtësia, tani çmimet janë më të lira nëpër kafene dhe restorante. Markat botërore janë të pranishme, kështu që nuk ke ndjesinë e ekzistencës së sanksioneve dhe, ajo që është më interesantja, në rrugë nuk ke ndjesinë e shtetit autoritar. Kësaj situate i ndihmon edhe atmosfera karnevaleske e botërorit, në të cilën tifozët serbë u përfshinë si hendikapatë, nëse përjashtojmë paksa kozmetikë dhe thirrjet e tipit –„Na jepni Brazilin, të tregojmë si luajmë ne“. Isha vjeshtën e  kaluar në ndeshjen e kualifikimit në Vjenë mes Serbisë dhe Austrisë. Dhe, nisur nga ikonografia dhe „pikëpamja poetike“, lamë përshtypjen sikur jemi tifozë të skuadrës përfaqësuese të Republikës Srpska apo të Veriut të Kosovës dhe jo të Serbisë. Për një pjesë të popullit dhe të elitës së tij, duket se Republika Srpska është ideali i shtetit serb. Inati ynë fanatik dhe identitar, përfshirë këtu edhe frustrimin politik, moskompensimi për Kosovën dhe mungesa e ndjeshmërisë për gjithçka tjetër, vështirë se harmonizohen me atmosferën karnevaleske. Kur i gudulis, brazilianët janë në gjendje të jenë edhe shpotitës. Rrallëkush nga radhët e tifozëve serbë, madje edhe të atyre nga Republika Srpska, kishte iluzionin se mund të dilte ndonjë gjë nga ndeshja me Brazilin, sadoqë mungesa e Nejmarit mund të vinte në ndihmë. Por „karaoket“ bëjnë tifo kundër Serbisë sepse i „bëjnë thirrje“ Maradonës. Ja pra, sa frymëzues dimë të jemi ne.

Sikur të më pyesësh i dashur Mustafa se përse, si fëmijë, në vitin 1982, në Kampionatin Botëror në Spanjë, para atij televizorit të vogël bardhë e zi, që mamaja ime e kishte blerë pas njëzet vjetëve punë të vështirë në industrinë  e tekstileve, bëja tifozllëk për Bashkimin Sovjetik dhe jo për Brazilin, nuk do të kisha ditur të të jepja një përgjigje të qartë. Nuk e di përse Bllohini dhe Bali ishin për mua më të pëlqyeshëm, se Ederi dhe doktor Sokratesi, të cilët i mundën. Kështu edhe ky tifozllëku im i sotëm për Rusinë, nuk ka ndonjëfarë jehone me lidhjet aktuale ruso-serbe apo lidhjet historike apo kulturore, por me atë frymëzimin tim fëmijëror ndaj sovjetikëve të vitit 1982. Por, sikur të më pyesje përse në Kampionatin Botëror të Amerikës, kam pas bërë tifo për bullgarët kundër gjermanëve, përgjigja ime do të ishte e qartë: Stoiçkovi, Leçkovi dhe natyrisht i pakrahasueshmi, dhe për fat të keq i ndjeri, Trifun Ivanov.

Para dhjetë vitesh në Moskë, disa pensionistë të Partisë Komuniste të Zhjuganovit, m’u lutën në mënyrë „shoqërore“ në Sheshin e Kuq të nënshkruaj peticionin kundër iniciativës për heqjen e mumjes së Leninit nga Mazoleumi. Ndër udhëheqsit sovjetikë, nëse do më jepej e drejta e përzgjedhjes, Jurij Andropovi do të ishte zgjedhja ime e parë për një intervistë, por mendova se Moska, nga pikëpamja historike dhe turistike, do të humbiste tërheqjen dhe objektivitetin e saj pa Leninin e balsamosur. Kështu që nuk e nënshkrova, duke qenë i mendimit se këtë vendim duhet ta marrin vetë rusët. Lenini vazhdon të qëndrojë në Mazoleumin e tij. Sot, para kësaj ndërtese, e cila nuk ishte e hapur për turistët, kalorësia ruse në Sheshin e Kuq bën shfaqje egzibicioniste për tifozët, ndër të cilët dominojnë meksikanët me sombrerot e tyre dhe ata danezë me brirët e tyre vikingë. Në atë kohë ende ishin në konkurencë.

Këto radhë po i shkruaj një ditë para përpalsjes së papritur mes Rusisë dhe Kroacisë në Soçi. Është lajmëruar edhe ardhja e presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviç. Sikurse e dimë Presidenten kroate, në këtë qytet olimpik, e pati pritur me shumë përzemërsi Putini në tetorin e  vitit të kaluar, dhe kjo përzemërsi u minimizua ose edhe u injorua nga mediat serbe, sepse, mos e dhëntë zoti, mund të dilte në plan të dytë i ashtuquajturi ekskluzivitet i lidhjeve serbo-ruse.

Megjithëse shumica e njerëzve në Serbi bëjnë tifo për Rusinë, shpesh mund të dëgjosh në biseda private, sesi ata ngapak ia kanë lakmi lojtarëve kroatë për lojën e tyre të përkushtuar për atdheun dhe tifozëve për atë zjarrin e tyre atdhetar. Edhe këtu hyn në lojë sporti më i dashur serb – në ekipin kroat kërkojmë lojtarë me prejardhje serbe. Mbahemi me shpresa, se i tillë është edhe ai portjeri disi i çuditshëm kroat Subashiç.

Lideri i Partisë Liberal-demokrate Vladimir Zhirinovski, tha se kroatët do ta kenë ngushtë në fushën e lojës, sepse atyre do t’u kujtohet e kaluara-:“ata kanë luftuar kundër nesh, kundër serbëve“. Zhirinovski është mik i vjetër i Serbisë në vitet nëntëdhjetë. Na pati sjellë „eliptonin“, atë armën e fshehtë ruse me të cilën mbanin në shënjestër kryeqytetet e NATO-s. Ka ende sot në Serbi të tillë që u gëzohen ekzibicionistëve rusë.

Jashtë kësaj, me një vizitë tjetër në Moskë, unë jam ende i mendimit se racionalizmi i politikës së jashtme ruse, i ruan  serbët nga fantazmagoritë e tyre. Madje nganjëherë mendoj se „rusofilët“ serbë pa vetëdije janë disi të zemëruar me Rusinë që nuk po i dëgjon, sepse përndryshe po të mos të vepronte ajo kështu, ata do të kishin burimet e saj në dispozicion. Për ndreqjen e padrejtësive lokale dhe globale e kam fjalën.

Askush nuk i dëgjon dhe kupton më mirë në Moskë mundimet serbe sesa armenët. Për më tepër, nëse do të kishte edhe pak vodkë dhe lotë. Dhe miq të paftuar.

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET Press: Rekord shitjesh; romani “Sarah” dhe poezitë “In love”

Panairi i Librit 2017/Është mbyllur dje në mbrëmje edicioni i 20-të i...
Read More