Nis goditja, Elbasani në “lupën” e Ramës

Arrestohet në Cërrik Enea Bektashi, i dyshuar si personi që mori pjesë në sulmin ndaj një patrulle policie më 18 shtator. Policia gjen në banesën e të dyshuarit edhe lëndë narkotike. Kryeministri Edi Rama komenton deklaratat e ambasadorit Lu dhe “premton” se në pranverën e ardhshme bandat kriminale do të jenë goditur.

Nisin arrestimet e para për personat e dyshuar si pjesëtarë të bandave kriminale që prej vitesh po terrorizojnë qytetarët në Elbasan dhe janë kthyer në problem serioz edhe për strukturat e rendit. Efektivë të policisë së grupit të Operacioneve Speciale arrestuan pasditen e djeshme Enea Bektashin, i dyshuar se ishte në automjetin tip Audi që goditi forcat e policisë së Elbasanit. Emri i Bektashit nuk është i panjohur për prokurorinë dhe policinë, ai njihet si pjesëtar i një grupi të dyshuar kriminal me të shkuar të dyshimtë në trafikun e narkotikëve, plagosjeve dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ndalimi i Bektashit është kryer në Cërrik, jo shumë larg banesës së kunatit të tij, ku dyshohet se qëndronte i fshehur që pas datës 18 shtator. Mësohet se në momentin e ndalimit i riu nuk ka bërë rezistencë, ndërsa burimet paraprake të policisë tregojnë se gjatë kontrollit në banesë i është gjetur edhe një sasi lënde narkotike.

Hetimet

Në regjistrat policor Bektashi skedohej herë pas here në ngjarje të ndryshme, për të nuk pati ndonjë urdhër-ndalimi. Arrestimi i djeshëm është kryer për ngjarjen e 18 shtatorit të ndodhur pranë tregut industrial të qytetit. Në një postbllok të ngritur nga efektivët e policisë së Elbasanit u ndalua fillimisht një mjet tip “Range Rover” dhe në momentin kur po kryhej shoqërimi për verifikim në komisariat, patrulla e policisë gjendet në befasi kur një mjet tjetër Audi i blinduar, godet me forcë makinën e policisë, në të cilën ndodhej edhe nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi. Gjashtë punonjësit e rendit fillimisht qëlluan me armë në ajër dhe më pas në xhamat e automjetit, por pa munduar ta ndalojnë pasi ishte i blinduar. Personat që ndodheshin në mjetin Audi u futën në brendësi të tregut industrial dhe më pas u larguan. Nga hetimet e kryera dyshohet se brenda makinës që sulmoi patrullën policore mund të kenë qenë Suel Çela dhe Enea Bektashi. Kjo ngjarje mori përmasa edhe më të rënda kur video e sulmit të policisë u publikua në media. Opozita ngriti shqetësimin se bandat kriminale kishin mbështetjen e kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini dhe sipas PD-së, pas ngjarjeve të rënda në këtë qytet fshihej dhëndri i kryebashkiakut. Nga ana e saj policia kërkoi ndihmën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pas nisjes së hetimeve lëshuan urdhër-arrestin për Bektashin, ndërsa vijon të mbetet në kërkim Suel Çela.

Reagimet

Lajmin e parë “flesh” për arrestime të mundshme për ngjarjet në Elbasan e dha kryeministri Edi Rama, teksa ndodhej në një takim me strukturat lokale të Fierit. Ai u shpreh se shumë shpejt do të ketë reagime për çështjen e Elbasanit dhe në të vërtetë një orë pas deklarimit të kryeministrit policia njoftoi arrestimin e Enea Bektashit. Ndërsa burime konfidenciale shprehen se ndalimi i Bektashit nuk do të jetë i fundit, pasi prokuroria e Krimeve të Rënda në ditët në vijim mund të lëshojë edhe urdhër-arreste të tjera për persona të ndryshëm. Vëmendja është përqendruar kryesisht në bandat që dyshohet se aktivitetin e tyre kriminal e kanë shtrirë në fushën e narkotikëve dhe kërcënimeve. Prej ditësh Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me struktura të specializuara të policisë së shtetit po grumbullojnë prova hetimore në lidhje me personat e dyshimtë të skeduar më parë, por që në rrethana të dyshimta edhe pas arrestimit janë liruar nga sistemi i drejtësisë. Qyteti i Elbasanit në dy vitet e fundit është përfshirë nga ekzekutime të shumta mes dy fiseve të njohura në këtë zonë. Bilancet janë vërtet tragjike, por për asnjë nga krimet e rënda nuk ka pasur autorë. Nga ana tjetër, drejtues të Ministrisë së Brendshme shprehen se po verifikohet edhe puna e strukturave të rendit, pasi ka të dhëna se në disa raste mund të ketë pasur bashkëpunim të zyrtarëve të lartë të policisë me elementë të dyshimtë kriminal.

Rama: Lu më mbështeti mua, shpejt do kemi rezultate

Kryeministri Rama komentoi dje në një takim në Fier deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu në lidhje me gjendjen kriminale në vend dhe klanet që kontrollojnë krimin. Sipas kreut të qeverisë, duke nisur nga ngjarja në Elbasan dhe në vijim, policia e shtetit do të dalë në rezultate konkrete në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar. “Dua të falënderoj ambasadorin amerikan që më mbështeti mua. Unë kam thënë qe ne duhet të hymë në një fazë të re. Ne jemi në një proces, për të luftuar kundër të fortëve dhe për t’u shkuar pas aseteve dhe pasurive kriminele”, deklaroi Rama. Sipas tij, në një situatë të tillë rezultatet nuk do të mungojnë, duke dhënë edhe “limitin” se kur mund të shpartallohen bandat kriminale. “Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori një jehonë shumë të madhe mediatike, e cila shërbeu edhe si një lloj katalizatori për të rritur atë intensitetin e propagandës mbi këtë çështje, e unë ju siguroj që çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete në atë çështje, sikundër do të shihni një seri veprimesh të pandërprerë të Policisë së Shtetit, për të goditur elementët kriminalë dhe të inkriminuar brenda Policisë së Shtetit. Brenda pranverës së ardhshme do të kemi një situatë të re, krejtësisht në përpjekjen kundër këtyre lloj elementësh shqetësues për komunitetin dhe shqetësues për punën e komuniteteve dhe të vendit”, u shpreh Rama. Pak ditë më parë Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu pati reagim të fortë kur përmendi se vendi kontrollohet nga katër grupe të fuqishme kriminale. “Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar, që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale, ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave”, deklaroi Lu. Sipas ambasadorit, vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lamtumirë Hajrie Rondos: Pasionit të heshtur të gruas

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.