Nis hetimi i Tahirit, mazhoranca tenton zvarritjen

Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar “Tahiri”, Edi Paloka, ka paralajmëruar padi për institucionet që tentojnë të bllokojnë hetimet duke mos përcjellë informacionin e kërkuar. “Të gjitha institucionet kryesore që marrin urdhra nga Edi Rama s’kanë sjellë informacion. Do zbatoj pikë për pikë Kodin Penal për kë nuk jep informacion duke penguar komisionin hetimor”, ka deklaruar Paloka.

Për kreun e Komisionit “Tahiri”, mosdhënia e informacioneve të kërkuara për të vijuar hetimin e ish-ministrit është e qëllimshme dhe e vetmja rrugë që i ka ngelur shumicës parlamentare për të bllokuar punë e këtij komisioni. Një pengesë tjetër sipas deputetëve të djathtë është edhe mospajisja e deputetëve të komisionit me certifikatë sigurie, një dokument që deri më tani nuk e kanë të gjithë. Opozita e ka akuzuar përsëri kryeministrin, se është ai që e nxit këtë bllokim. Kjo sepse sipas deputetëve të djathtë DSIK, që i pajis deputetët me certifikatat e sigurisë është institucion në varësi të kryeministrit dhe është ai që nuk ka bërë pajisjen, ndërkohë që për informacion paraqet si argument mospasjen e kësaj certifikate nga deputetët, duke e futur kështu procesin hetimor qëllimisht në një rreth vicioz.

Paloka: Padi kujt bllokon Komisionin

Edi Paloka e akuzoi Ramën si përgjegjësin kryesor që po kërkon të pengojë punimet e komisionit hetimor parlamentar. Shkak është bërë fakti sipas tyre që asnjë institucion “nga ato që marrin urdhra nga Rama” siç tha Paloka nuk kanë sjellë asnjë material të kërkuar nga ky komision. Kemi marrë përgjigje negative nga të gjitha institucionet që drejtohen nga Rama.

Shërbimi Informativ ka kërkuar kohë për dhënien e informacionit dhe ka mirëkuptimin tonë. Kryeministria nuk dha informacion as për materialet e paklasifikuara. Ministria e Brendshme ka kërkuar 60 ditë afat për dhënien e informacionit. Të gjithë institucionet kryesore që marrin urdhra nga Edi Rama nuk kanë sjellë asnjë material në komision hetimor, megjithëse kanë kaluar dhe afatet që kanë caktuar. Unë e kam deklaruar para fillimit të këtij komisioni do zbatoj pikë për pikë Kodin Penal për ata që do të tentojnë të pengojnë dhënien e informacionit”, tha Paloka. Ndër të tjera fjalën e ka marrë deputeti Myslym Murrizi i cili me ironi tha se mos kryetari nuk ishte shprehur mirë dhe Ministria e Brendshme ka kujtuar se në vend të letrave kërkojmë mall nga Kolumbia. “Të gjithë institucionet e tjera nxjerrin si justifikim certifikatën e sigurisë. Në dijeninë tuaj sa nga 11 anëtarët nuk janë me certifikatë sigurie? Ata nuk kanë prurë përgjigje sepse përgjigjet e shkresës që dërgon grupi armiqësor i PD-së nuk denjojnë t’i përgjigjen, po të ishte dhe e juaja përgjigjja do të kishte qenë e menjëhershme. Këto ditë që ka kërkuar Ministria e Brendshme që kërkon afat 50-60 ditë ndoshta nuk keni qenë i qartë si kryetar se çfarë keni kërkuar. Se mos e kanë ngatërruar me ditët e ngarkesës që vjen droga nga Kolumbia në Durrës. Se për 50 ditë vjen ngarkesa nga Kolumbia çfarë keni kërkuar?! Letra i ke kërkuar?! Po i ke kërkuar letra duken si shumë mos i ka ngatërruar me ngarkesë. Kërkoj që t’ia specifikosh. Nuk duam mall duam letra” është shprehur Myslym Murrizi. 

Institucionet që u përgjigjën negativisht

Kreu i komisionit hetimor “Tahiri” Edi Paloka bëri të ditur se pjesa më e madhe e institucioneve ku janë kërkuar informacion kanë kthyer përgjigje negative. Kryeministria, Ministria e Brendshme apo dhe ajo e Drejtësisë sipas Palokës, nuk kanë dërguar shkresa, duke u shprehur se është një përpjekje për të penguar informacionin. “Nga shumica e institucioneve përgjigjet kanë qenë negative. Nuk e di si e bashkërendon punën kjo qeveri po të gjitha institucionet që nga Kryeministria, Ministria e Brendshme, kryeministri thotë që pret DSIK t’i çojë materialet. Historinë me DSIK ju e keni ndjekur. Nuk çojmë informacione pa na garantuar DSIK, që është institucion në varësi të kryeministrit dhe nuk jep informacion për materiale që nuk janë të klasifikuara. Zoti Xhafaj na ka çuar një shkresë se na bën leksion se si duhet të funksionojë një komision hetimor, na pyet a keni miratuar një plan hetimi apo jo. Ndërkohë që dhe ai zotëria bën sikur nuk e njeh ligjin, po nuk i takon fare të na tregojë si funksionon komisioni hetimor. Policia ka kërkuar kohë deri më 30 prill dhe asnjë material nuk ka bërë. Të njëjtën gjë bën dhe dogana, ka kërkuar afat deri më 25 prill sot jemi dy maj dhe nuk ka çuar asnjë informacion”, bëri të ditur Paloka. Ministria e Brendshme ndërkohë kishte kërkuar 2 muaj kohë për kthimin e përgjigjes. “Certifikatën nga DSIK se kemi akoma në dorë”, tha Paloka.

Shumica akuza Palokës

Ndërsa, deputetët e mazhorancës akuzuan kryetarin Paloka se prej një muaji mban peng shkresat përmes të cilave socialistët kërkojnë informacion, ndërsa ai shpjegoi përse refuzonte t’i firmoste ato. “Shkresat tona kanë një muaj që rrijnë pranë zyrës tuaj dhe ju nuk i keni nisur për t’i proceduar”, deklaroi deputetja e PS, Klotilda Ferhati. “Të gjitha kërkesat tuaja, përveç dy apo tre, kërkojnë të hetojmë për çështje që nuk kanë të bëjnë me objektin e hetimit dhe që janë të një periudhe të vjetër kohore”, u përgjigj Edi Paloka. “Fokusi nuk janë 4 vjet, fokusi janë pa afat”, reagoi Ermonela Felaj nga PS. Objekti mbi të cilin Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk ka një referencë kohore, fakt të cilin socialistët e shfrytëzojnë për të hetuar trafikun e drogës, edhe gjatë qeverisjes së demokratëve, duke nisur nga viti 2005.

Përplasja Paloka-Felaj

Mbledhja e mëparshme e komisionit hetimor “Tahiri” është bërë objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës që në nisje të mbledhjes së radhës. Kryetari i komisionit Edi Paloka akuzoi nënkryetaren se ka uzurpuar postin e kryetarit, por ai u mjaftua vetëm me një debat publik.

Paloka: Ajo e ashtuquajtura mbledhje që bëtë përveçse është nul është në shkelje të plotë të ligjit dhe ju zonja Felaj në atë mbledhje keni uzurpuar postin e kryetarit që nuk ju takon me ligj. E lashë thjesht si denoncim publik se mund t’u akuzoja për uzurpim të postit. Ishin kuksianët në protestë e ju dhanë urdhër për të bërë zhurmë.

Felaj: Nuk kam mbledhur komision.

Paloka: Të mbaroj unë pastaj fol prapë se s’ta pret njeri fjalën.

Felaj: Për vijimësi logjike, jo të marrim një pikë që vjen më pas e ta vëmë të parën. Në atë mbledhje që kryetari thotë e thirrëm ne ishte një mbledhje që ishte vendosur dhe ishte thënë që në datën pasardhëse është bërë mbledhja. Nuk kam pasur njoftim nga kryetari.

Paloka: Justifikime kot. E para, keni pasur njoftim nga sekretaria dhe nuk keni pasur të drejtë të uzurponi vendin e kryetarit.
Felaj: S’ta ka zënë njeri mos ki merak.

Paloka: Nuk pretendoj për atë vend mos ki merak.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Marrëveshja: Xhafaj-Marku ngrenë “SPAK”-un e tyre

Ministri i Brendshëm dhe Kryeprokurorja e Përkohshme ngrenë një strukturë të re për...
Read More