Nis pastrimi i Shqipërisë, por shihni çfarë shkruan “The Telegraph”

Ditën e sotme ka nisur aksioni ‘Ta pastrojmë Shqipërinë’, i cili do të zgjasë 6 muaj dhe që do të përfshijë gjithë territorin e Shqipërisë.

Në prononcimin për mediat kanë folur, dy ministrat e Mjedisit, z.Blendi Klosi dhe homologia e tij në Kosovë, znj. Albena Reshitaj.

Ata kanë ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e aksionit dhe se kjo nismë do të vazhdojë dhe në Kosovë.

Ministri Klosi tha se Shqipëria do jetë e pastruar në kohë për nisjen e sezonit turistik që vjen.

Kurse Reshitaj tha se “bukuritë tona meritojnë të mirëmbahen”.

Shqipëria duket se po përgatitet për një sezon turistik të mbarë vitin që vjen, por nuk dihet nëse nisma e pastrimit do ia dalë plotësisht.

Pastrimi i Shqipërisë mbetet një sfidë e madhe, ndërkohë që një ditë më parë gazeta e njohur britanike “The Telegraph” shkruante se Shqipëria mund të jetë destinacioni i madh turistik i Europës.

Sipas shkrimit, një nga arsyet që ka penguar turistët e huaj, sidomos ata britanikë, që të vërshojnë në Shqipëri, lidhet me faktin se nuk ka shumë fluturime drejt Shqipërisë.

Gazeta thekson se kjo çështje po merr zgjidhje pasi qeveria mendon që të hapë dy aeroporte të reja.

Jo vetëm kaq, por edhe kompania e fluturimeve me kosto të ulët, Wizz, ka deklaruar këtë javë se do nisë fluturimet e rregullta nga Londra drejt Tiranës.

Një tjetër problem është edhe akomodimi. Gazeta shkruan se në Shqipëri nuk gjen shumë hotele luksoze, por kryesisht disa ndërtime të mesme dhe të vogla. Gazeta thekson se pas rënies së komunizmit pati një shpërthim ndërtimesh pa plan në zonat turistike, që kanë dëmtuar shumë pamjen.

Megjithatë gazeta thekson se katër vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar dhe ka pasur një forcim të rregullave për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe qeveria u ka shpallur luftë ndërtimeve pa leje.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kujtesa duhet për letërsinë, por me tepër për shkrimtarin

Fjalë e mbajtur në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës”, ku u...
Read More