Nis sesioni i ri parlamentar: Çfarë pritet nga vjeshta e ethshme

Nis sesioni i ri parlamentar me riorganizimin e ri të partive politike. Partia Socialiste do të ketë mbledhje kryesie, ku pritet që Edi Rama të flasë për zgjedhjet lokale dhe të shuajë “kureshtjen” nëse do ketë ose jo ndryshime në kabinet. Partia Demokratike dhe LSI paralajmërojnë nisma të përbashkëta në bllokun opozitar dhe qëndrime të ashpra në lidhje me ligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Gjatë ditës së sotme pritet që nisë sesioni i ri Parlamentar që do jetë vetëm një “ceremonial”, por përplasjet e vërteta pritet që të staturohen nga partitë politike duke nisur nga dita e sotme. Socialistët do të mbajnë në orën 09:00 një mbledhje Kryesie, ku në fokus do të jenë përgatitjet për garën e ardhshme elektorale, por edhe një pjesë e ligjeve të rëndësishme që mazhoranca pritet t’i kalojë në Parlament.

Gjithashtu, me shumë kërshëri do të pritet edhe fjala e kryeministrit Edi Rama, i cili ka patur kohën e mjaftueshme për të vendosur nëse do të ketë ose jo ndryshime në kabinetin e tij. Edhe pse nuk mendohet se do të ketë lëvizje ministrash, sërish fjala e fundit i mbetet kryeministrit, që me gjasë ka vendosur që edhe zgjedhjet lokale t’i “përballojë” me të njëjtën ekip.

Ndonëse kampi qeveritar ngjan më i qetë nga nismat politike që do të ndërmarrë në vijim, opozita premton se do të ketë më shumë zhvillime. Grupi parlamentar i PD-së do të mblidhet rreth orës 10 ku do të diskutohet fillimisht për qasjen e PD-së karshi Parlamentit, por edhe nismat që priten, duke kërkuar një ashpërsi më të madhe të bllokuar opozitar ndaj qeverisë, kryesisht në denoncime publike.

Nëse me kundërshtarin politik strategjia është pothuaj e njëjtë, të rejat do të jenë brenda vetë partisë. Mesditën e së hënës, Partia Demokratike do të bëjë të ditur nëse do të shkojë apo jo në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të miratohet edhe kalendari i punimeve të Kuvendit.

Sipas një draft-kalendari që ka dalë në media, mazhoranca parashikon që më 13 shtator të kalojë në seancë dekretin e presidentit Meta, që ktheu për rishqyrtim ligjin që i hap rrugën projektit të ri të Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që mazhoranca e ka bërë publike që në korrik se do ta rrëzojë dekretin presidencial, opozita ka paralajmëruar se e konsideron këtë kapërcim të një “vije të kuqe”.

Për më shumë ka edhe një reagim nga BE që është njohur me ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e lejeve të ndërtimit për shtatë kulla në afërsi të kësaj zone. Gjithashtu, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledhë grupin e saj parlamentar për të përcaktuar objektivat për këtë sesion të ri.

Pas takimeve që forcat opozitare do kenë brenda partisë së tyre pritet që krerët e saj të mblidhen për të vendosur për nismat që do të ndërmarrin si opozitë e bashkuar. Nëse ndarja është e garantuar që do jetë e fortë mes pozitës dhe opozitës, mund të ketë pika ku mund të kërkohet bashkëpunimi dhe kjo lidhet me bashkëpunimin për të diskutuar për ligjin elektoral. Mësohet se në këtë pikë PS të lëshojë, duke i krijuar mundësinë opozitës që të propozojë nisma për sa i përket ligjit zgjedhor.

Ky është edhe një kusht i organizmave ndërkombëtarë veçanërisht e OSBE-ODHIR e cila ka dhënë rekomandimet e saj menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Pavarësisht pikave të takimit mes forcave politike në këtë vjeshtë parashikohet përplasje e fortë, ku opozita nuk përjashton mundësinë e protestave masive në vend, kryesisht për të denoncuar sipas saj korrupsionin qeveritar dhe pasigurinë në vend.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Majlinda Myftaraj: Si i gjeta në UET ato çka më mungonin në Universitetin Publik

Si pjesë e rrjetit të ish-studentëve, UET Alumni, Majlinda Myftaraj rrëfen arsyet...
Read More