Nis “Shkolla Verore-UET”, mësim dhe argëtim për maturantët

Rreth 50 maturantë nga gjimnazet e gjithë vendit do të jenë  4 ditë në shkollën e lidershipit UET që zhvillohet në qytetin e Vlorës.

“Unë lider” është tema e Shkollës Verore UET që ka mbledhur maturantë nga gjithë gjimnazet e vendit këtë fundjavë në qytetin bregdetar të Vlorës. Shkolla nis sot dhe zgjat 4 ditë e konceptuar me aktivitete të ndryshme, leksione nga pedagogë të njohur dhe figura publike. 

I ftuari special i kësaj radhe është gazetari e publicisti Mustafa Nano, i cili do të mbajë dhe një leksion të hapur për nxënësit pjesëmarrës në këtë shkollë.

Të tjerë lektorë të njohur nga UET do të jenë gjithashtu pjesë e kësaj shkolle, si Presidenti i UET, Prof.dr. Adrian Civici, i cili do të flas mbi “Liderat Politik dhe Globalizmi”, Presidenti i Institutit Pashko, Prof.Dr.Selami Xhepa, i cili do të flasë mbi “Ekonomia në diskursin politik”,  pedagogia e Psikologjisë, Fleura Shkëmbi, pedagogia e komunikimit, Irena Myzeqari, etj..

Maturantët dhe studentët pjesëmarrës do të diskutojnë e më pas do të krijojnë projekte mbi temën: “Identifikimi i Ideve – Si të ngremë një parti/organizatë/lëvizje politike apo kulturore”.

Universiteti Europian i Tiranës e ka kthyer tashmë në një traditë zhvillimin e shkollës së verës.

Qëllimi i kësaj shkolle verore është të edukojë liderët e së ardhmes, t’iu ofrojë një mundësi të gjithë maturantëve shqiptarë që të njihen me njëri-tjetrin dhe të mësojnë e punojnë bashkë.

Tema kryesore e diskutimit është “Unë lider”, ndaj pjesë e këtij organizimi bëhen kryesisht të rinjtë që janë të angazhuar në shkollë, apo në komunitetin ku jetojnë.

Ata do të kenë mundësi të organizojnë projekte në grup dhe konkurse për idetë më të mira duke sprovuar veten.

“Shkolla e verës është edhe një mundësi më shumë mësimi, argëtimi dhe socializimi me maturantë të tjerë që vijnë nga e gjithë Shqipëria. Mësimi fillon që në mëngjes për t’ia lënë vendin argëtimit, ndërsa socializimi është gjatë gjithë kohës, aty ku ata qëndrojnë, mësojnë, punojnë gjatë projektit final që duhet të mbrojnë dhe prezantojnë, si edhe gjatë pushimit apo relaksimit në ambientet e kompleksit turistik që është zgjedhur për të zhvilluar këtë aktivitet”- shprehet Anisa Subashi, Dekane e Studentëve në UET.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Presidenti Meta merr telegram urimi nga Mbretëresha Elizabeth II

Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta ka marrë një telegram urimi nga...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.