Nis sot Kampionati Botëror i Futbollit, Rusi 2018, sa përfitojnë shqiptarët?


Sot në orën 17:00 do të nisë ndeshja e parë e Kampionatit Botëror të Futbollit 2018 dhe janë pikërisht, të zotët e shtëpisë, Rusët që do të hapin këtë kompeticion madhor në fushën e sportit. FIFA ka bërë me dije më herët se një total prej 400 milionë dollarësh do të ndahej mes pjesëmarrësve në Kupën Botërore 2018.

A përfiton Shqipëria? Vendi ynë nuk merr pjesë në kompeticion, ashtu sikurse edhe një nga skuadrat më të dashura për shqiptarët mungon (Italia). Por, përfitimet e Shqipërisë gjatë këtij muaji maratonomik do të jenë të shpërndara kryesisht mes sipërmarrësve të fushës së pijeve alkoolike (veçanërisht birrës), lokaleve apo edhe ambienteve komerciale të hapura (si organizimet në sheshin Skënderbej, Pedonale, Pazari i Ri etj.), si dhe bastet.

Padyshim në stadiumin Luzhniki në Moskë do të ketë shqiptarë të ulur për të ndjekur hapjen e madhe të Kampionatit Botëror të Futbollit, por shumë më të paktë se në Botërorin e Francës, për shkak të largësisë, kostos së shtrenjtë për të vajtur në Rusi (bileta dhe hotele) dhe problemeve me vizën..

Ndonëse shqiptarët nuk janë vetë të përfaqësuar nga fanella kuqezi, skuadra e Zvicrës do të ketë në formacionin e saj 4 lojtarë shqiptarë, ashtu sikurse zëri kryesor i këngës zyrtare të kompeticionit do të jetë ai i një shqiptareje.

Sipas një komunikimi që Monitor ka bërë me disa sipërmarrës të fushave të ndryshme, rezulton se kompanitë e basteve, të pijeve, lokalet dhe fusha e teknologjisë do të ketë përfitime të mëdha në këtë muaj kompetitiv.

Klodiana Kola, drejtuesja e Marketingut e Tobacco Holding sh.p.k thotë se gjatë këtij muaji pritshmëritë janë të larta sa i përket rritjes së shitjeve të birrave.

“Nuk mund të flas me shifra të qarta, megjithatë mund të pohoj se konkurrenca brenda sektorit është e lartë. Të gjithë kemi pritshmëri të larta për rritje të shitjeve dhe konsum dukshëm më të lartë së muajt e tjerë të vitit. Sytë e promocionit janë të drejtuar në këto data. Kemi bindjen se do të rezultojë në shtim të xhirove”- thotë znj. Kola për Monitor.

Ndonëse sportdashësit janë interesuar më herët, madje dhe vendosja e skedinave ka nisur të bëhet, përsëri, kur nisin ndeshjet, bastvënësit janë më të predispozuar që të vendosin baste.

Klajdi Malo, nga Eurolloto, thotë për “Monitor” se piku i vendosjes së basteve do të jetë gjatë transmetimit direkt. Ekspertët parashikojnë që të ardhurat nga bastet online të rriten me 30%.

Kampionati Botëror i Futbollit Rusi 2018 do të jetë edicioni i 21-të i Kupës së Botës. Kjo është hera e parë që kompeticioni zhvillohet në Europën Lindore, pasi Rusia bëhet vendi i tetë europian që organizon turneun. Përzgjedhja e Rusisë e bën atë vendin më të madh nga pikëpamja gjeografike ku do të zhvillohet ky kompeticion. Ndërsa Katari, ku do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2022, do të bëhet vendi i parë i Lindjes së Mesme, por edhe vendi më i vogël gjeografikisht ku do të mbahet ky kompeticion.

32 ekipe që përfaqësojnë 32 vende, duke përfshirë edhe kombin pritës, do të marrin pjesë në turne. Kupa e Botës Rusi 2018 do të organizohet në 11 qytete, duke filluar nga Kaliningrad në perëndim, deri në Ekaterinburg në lindje. Kryeqyteti rus, Moska, do të organizojë ndeshjen finale më 15 korrik 2018. Moska është edhe shtëpia e stadiumit më të madh, me stadiumin Luzhniki, me kapacitet prej 80,000 vendesh. Çmimet e biletave për ndeshjet variojnë nga 20 dollarë amerikanë për kategorinë më të ulët për një ndeshje të grupit të hershëm (prenotuar vitin e shkuar), në më shumë se 1,000 dollarë për kategorinë më të lartë për finalen.

Gjermania kryeson në turne si një nga skuadrat favorite, pasi fitoi Kupën e Botës në Brazil, në vitin 2014, dhe hyri në turne si ekipi i klasifikuar i pari në renditjen botërore të FIFA-s. Një ekip që nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës Rusi 2018 është Shtetet e Bashkuara, të cilët dështuan të kualifikohen në grupin eliminator të zonës së Amerikës së Veriut dhe Qendrore./monitor

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përgjimet e vëllait të Arben Ndokës: “Pjesën e Ronës kape krejt…..”

    Nga dosja e Prokurorisë që ka sjellë për herë të...
Read More