Nis vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët, kërkohen informatorë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar dje “Formularin e Denoncimit nga Publiku”, nëpërmjet të cilit ftohen qytetarët të japin të dhëna, indicie, fotografi e fakte të tjera që provojnë përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në afera korruptive dhe që kanë ndikuar në një vendimmarrje jo të drejtë prej tyre. Formulari përmban dy kategori: një që ka të bëjë me të dhënat e denoncuesit dhe një me të dhënat mbi gjyqtarin dhe prokurorin

Kushdo që ka qenë viktimë e sistemit të drejtësisë, apo ka qenë i pakënaqur nga puna dhe vendimet e një prokurori apo gjykatësi, si dhe ka fakte që vërtetojnë përfshirjen e tyre në afera korruptive, ka tashmë mundësinë ligjore që të bëjë “drejtësi”. Ashtu siç edhe e përcakton ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në komunikimin e tij të parë zyrtar me publikun, ndërsa ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i vettingut, fton qytetarët që të bëhen pjesë e tij dhe të bashkëpunojnë duke dhënë informacione që mund të komprometojnë si dhe të kontribuojnë në kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë. Për të bërë të mundur këtë lloj bashkëpunimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hartuar dhe publikuar edhe një formular tip që do i vijë në ndihmë çdo bashkëpunëtori të drejtësisë, në këtë rast jo në kuptimin e asaj që përcakton Kodi Penal, por të një bashkëpunëtori anonim, i cili mund t’i vijë në ndihmë procesit duke ofruar prova apo indicie në formën e një fotoje, mesazhi, apo dokumenti që do të vlente për procesin e vettingut të një gjyqtari apo prokurori të caktuar.

Njoftimi

Procesi i vettingut ka filluar! Kështu e niste njoftimin e vet të parë për mediat Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke bërë të ditur se tashmë në këtë kuadër ishin hedhur edhe shortet e para për të gjitha ata gjyqtarë dhe prokurorë që hyjnë në subjektet prioritare që duhet t’i nënshtrohen këtij kontrolli. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka filluar procesin e vettingut duke realizuar shortet e para në lidhje me listën e subjekteve prioritare, sipas parashikimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e KPK-së. Më tej ky Komision çmon se për të patur një proces kontrolli të suksesshëm dhe të drejtë është shumë i nevojshëm bashkëpunimi i publikut, i cili kundrejt garantimit të anonimatit mund të ofrojë informacione të vlefshme për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të tria aspektet që përcakton ligji, pra në vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. “Pjesëmarrja e publikut në denoncimin e fakteve ose rrethanave, që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit, është detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral e qytetar”, thuhet më tej në deklaratën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Më tej, KPK nëpërmjet kësaj deklarate prezanton edhe “Formularin e Denoncimit nga Publiku”, me qëllim përfshirjen e opinionit në këtë proces të rëndësishëm për vendin. Ky formular gjendet online në faqen zyrtare të institucionit kpk.al, si dhe mund të plotësohet me ndihmën e një punonjësi të KPK-së, në mjediset e këtij institucioni. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon ndërgjegjen tuaj qytetare, që çdo informacion të vlefshëm që mund të keni, fotografi, dokumente, të dhëna të tjera, t’i ndani me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuoni në këtë proces jetik për vendin”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Formulari

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson se formulari është i organizuar në bazë të tri kritereve që përdoren për rivlerësim, vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës, si dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Pra, kjo do të thotë që qytetarët mund të japin informacione apo të ofrojnë prova apo fakte të ndryshme për secilën nga këto tri kritere. Më konkretisht, qytetarët mund të japin informacione që mund të vlejnë për procesin e vlerësimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç mund të jenë fotografi të ndryshme, kontrata blerjeje apo çdo lloj informacioni tjetër që hedhin dyshime se individë të caktuar të sistemit të drejtësisë mund të kenë pasuri të fshehura dhe të padeklaruara në deklaratën e pasurisë. E njëjta gjë vlen edhe për dy kriteret e tjera, pra në vlerësimin e figurës dhe atë profesional. Formulari i denoncimit nga publiku përmban dy kategori: ajo që përfshin të dhënat e denoncuesit dhe ajo që ka të bëjë me të dhënat për subjektin që rivlerësohet. Më konkretisht, në kategorinë e parë, denoncuesi duhet të japë emër, mbiemër dhe atësinë, numrin e kartës së identitetit dhe një adresë kontakti. Ndërkohë që duhet të përcaktojë edhe institucionin që i drejtohet, pra KPK-së ose KPA-së. Atyre iu bëhet e ditur se për çdo informacion apo provë që do të ofrojnë për subjektet që trajtohen nga ligji i dekriminalizimit do të mbeten diskret dhe do të mbrohen sipas standardeve dhe procedurave që përcakton ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Pra, thënë ndryshe, bashkëpunëtori i institucioneve të vettingut në këtë rast do të mbeten anonim, ndërsa të dhënat dhe provat e ofruara prej tyre do të kenë vlerë ligjore në procesin e rivlerësimit të një zyrtari të caktuar të drejtësisë dhe që përfshihet në subjektet e ligjit. Ndërkohë që në kategorinë e dytë, denoncuesi duhet të japë të dhënat identifikuese të prokurorit apo gjyqtarit për të cilin kërkon të japë informacion pranë KPK-së dhe KPA-së, pra emër mbiemër, vendin apo gjykatën dhe prokurorinë që ku punon. Gjithashtu, ai duhet të deklarojë nëse ndaj gjyqtarit apo prokurorit ka bërë edhe më parë denoncim për një shkelje të caktuar. Më pas denoncuesi duhet të përshkruajë në mënyrë të detajuar dhe të saktë të gjitha të dhënat rreth prokurorit ose gjyqtarit që po denoncon. Gjithashtu, në këtë formular denoncimi ai ftohet të paraqesë të gjitha provat, si dokumente ligjore, fotografi, apo çdo të dhënë që vërteton shkeljen e denoncuar. Në një sërë nenesh ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcaktohen rastet kur një qytetar mund të bashkëpunojë me institucionet e vettingut për të dhënë informacion dhe prova që i lidhin ata me raste të dyshimta korrupsioni apo vendimmarrjesh të padrejta. Ndërkohë që paralelisht me këtë proces, institucionet e vettingut kanë nisur edhe procesin e hedhjes së shortit për zyrtarët që do të përfshihen fillimisht në mënyrë prioritare në vetting. Sipas ligjit, subjektet e para dhe që trajtohen me prioritet në këtë proces janë Prokurori i Përgjithshëm, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që pak kohë më parë Kuvendi miratoi strukturën dhe nivelet e pagave të anëtarëve të institucioneve të vettingut, ku nuk u morën parasysh një numër i madh kërkesash të këtyre institucioneve për staf dhe fonde buxhetore. Ndërkohë që në projektbuxhetin e vitit 2018 për Reformën në Drejtësi qeveria ka akorduar 1.2 miliard lekë të rinj në fondin rezervë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbledhja e dy qeverive, e përsëritur, e fryrë dhe joproduktive

Nga Ervis Iljazaj Dje është zhvilluar takimi i përvitshëm me rastin e...
Read More