Një bisedë e panjohur: Pavarësia e kërcënuar e Shqipërisë

Pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, cila ishte situata politike e Shqipërisë; fragment nga libri i gazetarit Ilir Ikonomi, “ESAT PASHË TOPTANI/ Njeriu, lufta, pushteti”, botimet UET Press, një rast për t’iu rikthyer historisë si prezencë e leximit të sotëm ende me çështje të pambyllura studimore

Një bisedë e panjohur mes gazetarit italian Luciano Magrini dhe ministrit të Brendshëm të qeverisë së përkohshme, Myfit bej Libohovës, për politikat e Ismail Qemalit menjëherë pas shpalljes së pavarësisë

Nga Ilir Ikonomi

Me gjithë zbrazjen e Shkodrës, Shqipëria kërcënohej nga shkatërrimi dhe kjo ishte e lehtë të provohej. Një gazetar i ri italian, i quajtur Luciano Magrini, i cili kishte marrë udhën e vështirë nga Vlora për në Durrës, njoftonte se Qeveria e Përkohshme ishte e paqartë në ato që bënte dhe brenda saj kishte ndodhur çarja e parë: nënkryetari i qeverisë, prifti katolik Nikollë Kaçorri, kishte dhënë dorëheqjen. Ministrat, shkruante ai, mblidheshin çdo ditë në një dhomë modeste, uleshin në karriget e thjeshta dhe bisedonin. Kohën më të madhe ua kushtonin diskutimeve rreth politikës europiane për të ardhmen e Shqipërisë. Të gjithë ishin në pritje. Prisnin nga Europa. Aq shumë kishte rënë morali saqë vetë ministri Myfit bej Libohova, i kishte konfirmuar Magrinit “paaftësinë absolute të shqiptarëve për t’u vetëqeverisur dhe për të organizuar vendin e tyre”. Ai thoshte se ishte e nevojshme një ndërhyrje e përkohshme europiane deri sa shqiptarët të piqeshin politikisht. “Në qoftë se italianët vijnë, ne do t’i presim me mirënjohje. Ne nuk jemi ksenofobë”, kishte thënë Myfit Beu.

LUCIANO MAGRINI: Si po ju shkon qeveria?

MYFIT BEJ LIBOHOVA: Eh, qeveria ime! E ku di gjë unë! Ju që vini nga Italia ku shtypen gazetat, ju duhet t’i dini lajmet e fundit për vendin tonë. Ne jemi në terr. Jemi në duart e Europës dhe e presim nga Fuqitë ekzistencën tonë. Janë ato që duhet të kujdesen e të na mbajnë, sepse ne vetë nuk bëjmë dot asgjë. Ne sapo kemi dalë nga veza dhe jemi të dobët.

LUCIANO MAGRINI: Sidoqoftë, ju duhet të keni një farë ideje për organizimin e ardhshëm të shtetit…Nikollë Kaçorri e dha dorëheqjen bashkë me Mit’hat Frashërin më 30 mars, në vigjilje

të nisjes së Ismail Qemalit me jahtin e Dukës Montpensier për të vizituar kryeqytetet europiane. Në letrat e dorëheqjes për kryetarin e qeverisë, ata nuk i shpjegonin arsyet. (Magrini, “Vallona è perfettamente tranquilla”, Il Secolo, 6.5.1913).

MYFIT BEJ LIBOHOVA: Do të mendojnë Fuqitë edhe për këtë. Të vetëm nuk bëhemi dot shtet, sepse na mungojnë forcat. Ne kemi nevojë për elementë europianë që të na drejtojnë në udhën e ringjalljes ekonomike dhe morale.

LUCIANO MAGRINI: Përse gjatë këtyre pesë muajve Qeveria e Përkohshme nuk ndërmori asnjë nismë të brendshme, duke e lënë vendin në gjendje gati anarkie?

MYFIT BEJ LIBOHOVA: Pikësëpari, ne kemi vuajtur thuajse katër muaj nën bllokadë. Çdo marrëdhënie e jona me Europën ka qenë e këputur. Kemi jetuar në ankth të vazhdueshëm, sepse grekët dhe serbët përparonin në territorin shqiptar. Një ushtri turke e shpartalluar vinte vërdallë nëpër vendin tonë dhe na rrinte si çekan mbi kokë. E si mund të punonim në këto kushte? Pasi u thye rezistenca e Janinës, grekët erdhën dhjetë kilometra afër Vlorës. Serbët arritën deri poshtë Beratit, ndërsa ushtria turke u shtri mes Beratit dhe Fierit, në të djathtë të Vjosës. Dara e armikut sa vinte e shtrëngohej dhe autonomia shqiptare po venitej pak e nga pak nën këmbën e ushtrive pushtuese. E si mund të punonim në këto kushte, nën kërcënimin e pandërprerë të ushtarëve të uritur të Xhavit Pashës? Për ironi, kishte qenë vetë Myfit Beu, i cili në vitin 1910, kur ishte deputet në parlamentin osman, e kishte sharë me zë të lartë Xhavit Pashën, duke e quajtur xhanavar, që do të thotë egërsirë, sepse ky, gjatë fushatave të tij ushtarake në veri të Shqipërisë, u vinte zjarrin katundeve me një egërsi të patreguar. Kur Veziri i Madh i kishte kërkuar ta merrte fjalën mbrapsht, Myfiti jo vetëm nuk ishte tërhequr, por e kishte përsëritur atë që kishte thënë.

Tani, Xhavit Pasha, ky turk që dikur në Përmet kishte fyer flamurin shqiptar, ndodhej në fshatrat e Fierit, jo shumë larg Vjosës. Frika se mos ai kalonte lumin dhe hynte në Vlorë nuk kishte ndonjë bazë të fortë, sepse Vjosa ishte mjaft e rrezikshme për ushtrinë e tij që numëronte dy mijë deri në tre mijë njerëz. Veç kësaj, në bregun matanë ruanin dyqind vetë të armatosur të qeverisë së Vlorës. Vetë Xhavit Pasha ishte i palosur nga ethet dhe rrinte i shtrirë në çadrën e tij. Thuhej se ai kishte çuar fjalë tek Esati, për ta pyetur nëse mund të vihej në dispozicion të tij. Esati i ishte përgjigjur se nuk ia kishte nevojën dhe se ai (Xhaviti) duhet të rrinte aty ku ishte.

Por Xhaviti i përgënjeshtroi zërat. Kur dëgjoi se gazetat ishin plot me lajme të tilla, ai thirri nga shtrati ku dergjej: Çfarë gënjeshtrash, çfarë shpifjesh që përhapen në Europë kundër nesh! Unë jam ushtar dhe u bindem vetëm urdhrave që vijnë nga Stambolli.

Numri i trupave turke të përhapura mes Fierit dhe Beratit arrinte në pothuajse 20 mijë. Pjesa më e madhe ishin ngulur në jug të Fierit, ndërsa brenda në qytet ushtria kishte vetëm intendencën dhe spitalin. Deri pak kohë më parë, disa batalione ishin vendosur edhe në Lushnjë, ku furnizimi me ushqime kishte qenë diçka më i mirë, por trupat turke qenë dëbuar prej andej nga ushtria serbe. Më 28 prill, në portin e Vlorës arriti nga Triestja vapori i posaçëm Erna me furnizime mielli, tërshëre dhe elbi, që u tërhoqën menjëherë nga ushtria turke. Që nga ajo ditë, gjendja morale dhe material e trupave ishte përmirësuar mjaft.

Kjo ushtri ishte mposhtur në Kumanovë nga serbët, pastaj ishte tërhequr nëpër Maqedoni dhe Shqipëri për të luftuar në Janinë dhe, pas rënies së qytetit, në mars, kishte marshuar drejt veriut, deri sa kishte përfunduar këtu. Tani, trupat jetonin në kampe, që u ngjanin lagjeve të ciganëve, me kasolle primitive prej balte, kallamash, degësh e gjethesh. Mes ushtarëve, që endeshin këmbëzbathur e me rroba të shqyera, kishte shumë të sëmurë e të rraskapitur dhe vetëm gjysma mund të llogariteshin si të aftë për luftë. Dëshpërimi njerëzor këtu nuk përshkruhej dot. Megjithatë, disiplina ishte e lartë, nuk kishte vjedhje, as dhunë. Mund të ecje natën nga kasollja në kasolle pa asnjë rrezik. Edhe vendësit nuk ankoheshin. Një numër i madh ushtarësh kishin ngritur kamp në Pojan, në mes të rrënojave të Apollonisë së lashtë, ku kolonat e thyera dorike ishin shndërruar në stola për t’u ulur. Ata ishin të kujdesshëm të respektonin fenë e vendësve, sepse ndonëse aty pranë ishte një kishë ortodokse, askush nuk guxonte ta kalonte portikun e saj të vogël e të hynte brenda për t’u strehuar. Aty-këtu shihje edhe tenda, ku ishin vendosur komandantët më të lartë, shtabet dhe oficerët. Kryekomandanti i Armatës, Ali Riza Pasha, ndodhej i izoluar bashkë me shtabin dhe me disa adjutantë në një kodër pranë fshatit Dukas, disa kilometra në juglindje të Fierit. 46 Veç tij, në këto kampe kishte plot emra të tjerë të dëgjuar në hierarkinë e lartë ushtarake turke. Përgjithësisht, pashallarët dhe oficerët e lartë jetonin në mesin e ushtarëve, me qëllim që ushtria të mbahej e bashkuar.

Aty kishte qenë edhe koloneli i famshëm me origjinë shqiptare, Ahmet Njazi Beu, heroi i lëvizjes xhonturke, që e detyroi Sulltanin të shpallte kushtetutën në vitin 1908. Njazi Beu ishte sëmurur rëndë dhe e kishin dërguar në Vlorë për ta nisur me anije për në Stamboll. Por më 29 prill, kur do të largohej nga skela, tridhjetenëntëvjeçari ishte vrarë bashkë me shoqëruesin nga një nip i Isa Boletinit, për hakmarrje, siç thuhej. Nga të tre korpuset që përbënin armatën, më i organizuari ishte ai i Xhavit Pashës. Vetëm përpara çadrës së tij të thjeshtë në fshatin Radostinë, mes Fierit dhe Apollonisë, rrinte ngritur flamuri turk, vetëm në kampin e tij luhej çdo ditë muzikë ushtarake dhe bëhej rregullisht apeli i mbrëmjes njëlloj si në kohë paqeje. Trupat e tij kishin pamje më të shëndetshme dhe ishin të armatosura ku e ku më mirë se të tjerat. Mes tyre ende kishte disiplinë, rregull dhe dëshirë për të luftuar. Me besnikërinë ose frikën që trupat tregonin ndaj tij, Xhavit Pasha kishte ngjallur zilinë dhe armiqësinë e të gjithë gjeneralëve të tjerë, pa përjashtuar eprorët e tij të drejtpërdrejtë, Ali Riza Pashën dhe Zeqi Pashën.

Turqit paguanin për gjithçka dhe tregtarët e Fierit dilnin me fitim, sepse ua shisnin ushqimet dhe barnat me çmime mjaft të larta. Ndodhte që ushtarët turq t’u shisnin shqiptarëve fshehurazi armë, municione, kuaj, shalë, apo ndonjë mall tjetër. Por kishte edhe incidente. Ndodhte që qeveria mbyllte pazarin e Fierit, ose u priste turqve furnizimet që shkarkoheshin në Vlorë. Xhavit Pasha i tha gazetarit gjerman Ludwig Mosel që e vizitoi, se po të mos merakosej për mirësjelljen e jashtme, do ta kishte shkatërruar fare “atë klikë të fëlliqur”, siç e quante qeverinë e Vlorës. Ishte betuar gjithashtu se nuk do të ikte pa ua ngulur mirë në kujtesë shqiptarëve emrin e tij, ndoshta, siç shkruan Mosel, duke i vënë zjarrin ndonjë qendre banimi.

Ushtritë turke që dergjeshin në Shqipëri ishin një telash më shumë për Qeverinë e Përkohshme, sepse pavarësia kishte boll probleme të vetat. “Mungon një organizim për ta bërë Shqipërinë të funksionojë si një e vetme”, shkruante Luciano Magrini i Secolos. “Shihni flamurët. Në Vlorë valon flamuri i Skënderbeut me shqiponjën e zezë dhe fushën e kuqe, kurse në flamurin e Durrësit, mbi shqiponjë ka një yll të bardhë me pesë Hasan Bello, “Si u vra heroi i Revolucionit Xhonturk Ahmed Nijazi beu në Vlorë”, a gjashtë pika, ndoshta një reminishencë islame, me të cilën kërkohet të binden elementët e paepur myslimanë të pranojnë një autonomi shqiptare të zbukuruar nga ylli i gjysmëhënës osmane. Madje një mysliman i Kavajës, i pakënaqur nga kompromisi me yjet, ka urdhëruar që mbi shqiponjën të vihet gjysmëhëna. Mjaftojnë këto, edhe pse mund të duken si hollësi të parëndësishme, për të dhënë një ide të kaosit të madh që mbretëron këtu”. “Mbi këtë kaos, – shkruante Magrini, – ngrihet figura e frikshme, e errët dhe enigmatike e Esat Pashës, i cili, ndryshe nga personalitetet e tjera kalimtare të autonomisë shqiptare, përfaqëson vullnetin më energjik dhe autoritetin më të fuqishëm”.

Magrini mezi priste të shkonte vetë në Tiranë për ta njohur personalisht pashain dhe për të zbuluar mendimet e tij të vërteta. Disa fakte tregonin, megjithatë, se Esati nuk kishte ndërmend ta mbante edhe për shumë kohë kontingjentin turk në Tiranë. Mbrëmjen e 7 majit, një pjesë e ushtrisë së tij që do të transportohej për në Bejrut, gjithsej 1500 ushtarë bashkë me armatimet dhe 300 kuaj, arriti në Durrës. Ushtarët turq ishin të disiplinuar dhe shëtitnin të qetë nëpër rrugët e Durrësit, të pangacmuar prej askujt. Esati ishte kujdesur të dërgonte me ta edhe një bandë muzikore, e cila herë pas here jepte koncerte me muzikë anadollake si dhuratë për durrsakët, në shkëmbim të mikpritjes së tyre. Ndërkaq, ai përgatitej të niste drejt Durrësit disa mijëra nizamë të tjerë. Më 8 maj, gazeta kryesore e Vjenës, Neue Freie Presse, që ishte një lloj zëdhënëseje e padeklaruar e qeverisë, botoi në faqen e parë një intervistë me Syrja bej Vlorën. Shkrimi titullohej “E vërteta për Esat Pashën” dhe ishte vendosur në krye të faqes, me synimin e qartë për të bërë bujë. Për herë të parë në shtypin europian për Esatin dhe qëllimet e tij fliste dikush, i cili sapo e kishte takuar vetë pashain. Në hyrje të intervistës thuhej: “Ne jemi sot në gjendje të njoftojmë me vërtetësi mbi veprimet e Esat Pashës. Ekspozeja që po botojmë vjen nga Syrja bej Vlora, i cili ka patur me Esat Pashën një bisedë të hollësishme dhe ka parë me sytë e tij në Durrës dhe në Tiranë gjithçka që ka ndodhur ditët e fundit në Shqipëri”.

Rrëfimi i Syrjait për gazetën e Vjenës dukej si një punë e sajuar me kujdes nga Ministria e Jashtme për t’u treguar malazezëve se ata më kot mbanin shpresa për Shkodrën. “Esati, – deklaronte Syrja Beu, – më siguroi se ai nuk ka bërë asnjë proklamatë dhe se mes tij dhe malazezëve nuk ka patur kurrfarë marrëveshjeje rreth kufirit verior të Shqipërisë. Esatit iu desh ta linte Shkodrën, sepse njerëzit e tij po vuanin nga uria. Çdo ditë në Shkodër vdisnin 30-40 njerëz. Brenda një dite të vetme, numri i të vdekurve arriti në 120”. “Mali i Zi, – thoshte Syrjai në intervistë, – e ka futur Europën në konfuzion me synimin që ajo të besojë se Esat Pasha e ka shpallur veten mbret dhe se dorëzimi i Shkodrës është i legjitimuar nga ky mbret i Shqipërisë, pra se Europa nuk ka pse ta shpëtojë Shkodrën në favor të Shqipërisë. Kështu, sipas tyre, dëbimi i malazezëve nga Shkodra e dorëzuar do të ishte fare i pajustifikuar”. “Llogaritë e mbretit Nikollë, – thoshte Syrjai, – ishin të gabuara, por për ta vënë në jetë këtë manovër, Mali i Zi i pranoi të gjitha kushtet e Esatit”. Më tej, Syrja Beu deklaronte se pashai “e ka vënë veten në dispozicion të konsujve të Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilët i bënë një vizitë në Tiranë”.

Ndërkaq, u mor vesh se njëri prej atyre që kishin përhapur lajmet për Esatin si princ i ardhshëm i Shqipërisë kishte qenë vetë mbreti Nikollë. Qysh më 23 prill, ditën e marrëveshjes për Shkodrën, mbreti i kishte njoftuar përfaqësuesit e Fuqive, disa drejtpërdrejt, të tjerët tërthorazi, se Esati do të proklamonte në Lezhë një Shqipëri autonome nën sovranitetin e sulltanit dhe do ta shpallte veten princ në Tiranë ose në Krujë. Këtë e konfirmonte në një telegram për Berchtoldin konsulli austriak në Cetinë, Baron Giesl. Një gjë është e sigurt, shkruante konsulli, që Esat Pasha, në ujdinë e tij me malazezët, u kishte premtuar atyre se do të respektonte lumin Drin si kufi të Malit të Zi, por ndoshta këtë e ka bërë për të siguruar kushte më të favorshme për tërheqjen e trupave të tij. Në të vërtetë, raportonte konsulli, Esati ishte lejuar të merrte furnizimet ushqimore që serbët kishin lënë në Bushat. Gjithashtu, ai ishte pritur krahëhapur nga trupat serbë në Lezhë, Krujë, Durrës dhe Tiranë dhe ishte furnizuar prej tyre me ushqime.

Austro-Hungaria dhe Italia kishin njëfarë shprese se një bashkëpunim mes qeverisë së Ismail Qemalit dhe Esat Pashës mund të bëhej realitet. Mirëpo, më 8 maj, kur konsulli austriak në Vlorë, Lejhanec, bashkë me përfaqësuesin e Italisë u përpoqën të flisnin me Myfit Beun për të parë se a shihte ai ndonjë mundësi bashkëpunimi me Esatin, ministri ua kishte prerë shkurt: as që bëhet fjalë! “Në qoftë se Vjena dhe Roma nuk janë dakord me punën tonë të deritanishme si qeveri, – kishte thënë ai, – atëherë ne tërhiqemi dhe le të caktojnë një qeveri tjetër. Ama që të bashkëpunojmë me Esat Pashën, këtë hajdut dhe vrasës ordiner, këtë njeri të pabesë dhe të dhunshëm, as që mund të mendohet”.

Myfit Beu ishte nxehur dhe u kishte thënë se qeveritë e dy Fuqive nuk duhet ta nënvlerësonin Esatin si njeri i pazareve. E gjitha kjo, sipas tij, ishte një intrigë e Syrja Beut, i cili nga zilia për Ismail Qemalin, ishte lidhur me Esatin për ta përmbysur Qeverinë e Përkohshme, këtë vepër të Ismail Beut. Myfiti fliste kështu edhe pse i vëllai i tij, Eqrem bej Libohova, ishte martuar me të bijën e Syrjait, Fezilet hanëmin. Dy konsujt ishin rrekur ta qetësonin, duke i thënë se përpjekja e tyre për të shmangur konfliktet me Esat Pashën nuk ishte aspak një votë mosbesimi për qeverinë e tij. Në fund, Myfiti kishte premtuar se do të bënte gjithçka për të shmangur një konflikt me Esatin, por me kusht që ky të kufizohej në pjesën veriore të vendit dhe ta linte të qetë zonën në jug të Shkumbinit, ku vepronte Qeveria e Përkohshme. Myfit Beu kishte thënë se ky ishte një dualizëm i rrezikshëm dhe nuk duhej lejuar të zgjaste shumë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse e do më partinë Basha?

Nga Ndriçim Kulla* Si një nga njerëzit e çadrës, por dhe si...
Read More