Një djalë për së mbari si Herri Kejn, e kundërta e Nejmarit dhe Kristiano Ronaldos

Harri Kejn i mban premtimet. Anglia e tij ka buzëqeshur pas ndeshjes së parë dhe kjo gjë nuk i ndodh shpesh. Dy golat e sulmuesit të Totenhemit ndaj Tunizisë bënë që Anglia të mos bjerë në “kurthin” e skuadrave të tjera të mëdha.

Dhe kjo ndodh ndoshta, sepse Kejn është ndryshe nga të tjerët në jetën e tij, shumë i thjeshtë dhe natyral. Mishëron cilësitë më të mira njerëzore dhe nuk ka asnjë “ves”.

Në mesin e Anglisë është e vështirë të gjesh një njeri të kulturës anglosaksone, të moshës 18-27 vjeç, që nuk ka minimumin e konfidencës me alkoolin. Të gjithë abuzojnë, por Kejn jo, nuk pi birrë dhe as verë. Maksimumi mund të marrë ndonjë pije me gas, e rëndësishme është që të mos bëjë si Vardi, që është i varur nga Red Bulli!

Bukurosh, i pasur dhe i dëshiruar. Vështirë që femrat t’i rezistojnë, si shumicës së futbollistëve, por edhe në këtë rast Kejn përfaqëson përjashtimin, rastin e veçantë. Është i fejuar dhe gati të martohet me Keti Gudland, të cilën e ka njohur në bankat e shkollës. Kanë sjellë në jetë vogëlushen Ivi Xhejn. Një lidhje shumë e fortë. Një foto e shumë viteve më parë, me kapitenin e Anglisë, Devid Bekham. Kush është tjetër në foto? Natyrisht, Keti.

Në jetën e tij është ekstremist normal. Gjithmonë larg dritave të diskotekave. E pamundur ta shohësh në ndonjë pab. Në vitin 2015 ka thënë se nuk e mbante mend që kur nuk kishte qenë në një klub nate. Në netët e çmendura, Kejn preferon golfin ose barbikjutë. Rasti klasik i djalit të mirë, edhe pse me një talent të jashtëzakonshëm në futboll.

Thuajse të gjithë anglezët nuk protestojnë dhe i pranojnë vendimet e arbitrit, por Kejn shkon përtej kësaj. Kurrë nuk ka pasur një zënkë me kundërshtarët, apo një diskutim me gjyqtarët. Karakter shumë i fortë, por agresiv kur dhe sa duhet. Gjithmonë në limitet e sjelljes sportive dhe jo më kot trajneri Southgejt i ka besuar shiritin e kapitenit, duke e bërë liderin më të ri Anglisë në një Botëror.

Nejmar vendosi të “hidhte një pjatë makarona” mbi kokë, Dele Ali u shfaq me flokët me ngjyrë ari, po Kejn? E njëjta prerje flokësh: i rregullt, i freskët dhe i thjeshtë. Përfaqësim i vetvetes. Një tjetër kuriozitet, që shkon kundër kulturës në modë të futbollistëve është se nuk ka asnjë tatuazh dhe nuk ka në plan ta bëjë një të tillë. Shumë më i ndryshëm se shumica e kolegëve të tij dhe me shumë mundësi kjo është arsyeja që është kaq shumë i dashur. / Vipsport.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shkatërrohet grupi kriminal në Itali, ja roli i boksierit shqiptar

  Nga Alba Kepi, Ora News  - Në orët e para të mëngjesit të...
Read More