“Një dramë rumune e ‘800-s për gruan shqiptare”

shqiptaret e kopitNjë dramë shqiptare e panjohur, shkruar pothuaj një shekull më parë nga një shkrimtar rumun, vjen në shqip. “Shqiptarët” e autorit Stefan Xheorxhesku–Serxhent, është shqipëruar nga Kopi Kyçyku, botuar nga Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë, Tiranë. Botuar së pari në Bukuresht, nga Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë më 1898 dhe e vënë në skenë një vit më vonë, drama bën protagoniste gruan shqiptare, Dorën

Një dramë me pesë akte, shkruar në vargje, titulluar “Shqiptarët”, të shkrimtarit rumun Stefan Xheorxhesku–Serxhent, është “zbuluar” pothuaj pas 100 vjetësh, e sjellë në shqip me përkthimin e Kopi Kyçykut. E botuar fillimisht në Bukuresht nga Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë, më 1898 dhe e vënë në skenë, po aty, një vit më vonë. Kyçyku na njeh me këtë histori duke shënuar se autori është një njohës i mirë i historisë dhe i traditës sonë, që ka dhënë me vërtetësi, tablo të fuqishme e prekëse nga luftërat shqiptare në vitet e fundit të sundimit të Sulltan Mehmetit II (1784-1839).

Ngjarjet i takojnë kohës pas vdekjes së Skënderbeut, duke vënë në qendër, si protagoniste personazhin grua, të quajtur Dora, që si duket, përkthyesi i gjen edhe ngjashmërinë për nga emri me Dora d’Istria, e njohur në Rumani por edhe në botë.

“Autori di të bëjë një diferencim të thellë edhe në gji të shoqërisë osmane, duke dalluar qartë e prerë kastën e korruptuar të Sulltanit nga njerëzit e thjeshtë, që vuanin e shtypeshin njëlloj si popujt e tjerë të perandorisë. Krahas shqetësimit të Sulltanit, ngaqë “Shqipëria është kockë e fortë dhe e pakapërdishme”, zbërthehen artistikisht, në dritën e fakteve historike, dhelpëria e qëndrimi me dy faqe i Venedikut ndaj çështjes shqiptare”. Në betejën për liri të shqiptarëve, autori rumun ka vërejtur fuqinë e gruas shqiptare, nënave dhe vajzave, përballë pushtuesve osmanë.

Kyçyku ndalet në këtë moment për të treguar mjeshtërinë e penës së Georgeskut, përshkrimin e tij duke iu dhënë jetë këtyre “krijesave titanike”

Përballja me vdekjen për të shpëtuar jetën e fëmijëve, si mësime të marra për rëndësinë e atdheut dhe lirisë –janë impresione që si duket kanë lënë gjurmë të forta te shkrimtari rumun në sjelljen e tablove mbi forcën dhe virtytet e grave shqiptare.

Historia që përshkruan Kyçyku: Drama që zhvillohet pjesërisht në Shqipëri e pjesërisht në Stamboll, fillon me një skenë me sfond malet tona. Aliu, jeniçer, ka rënë rob në duart e luftëtarëve shqiptarë dhe, në të njëjtën kohë, atij ia ka “robëruar” zemrën Dora, një vajzë trimëreshë shqiptare. Këtë të fshehtë ia zbulon me djallëzi Kosta, agjent i maskuar i Fanarit dhe i premton ta ndihmojë. Nga ana tjetër, në një ditë feste, kur luftëtarët do të zhvillojnë lojëra trimërie, Kosta gjen rastin dhe i kërkon për vete Nemisës dorën e së bijës, Dorës. Nëna i thotë se Dorën do ta marrë ai që del fitues në betejë…”. “Shqiptarët”, e shkrimtarit rumun, ka ardhur në mënyrë poetike, Kyçyku thotë se bazohet te katërmbëdhjetërrokëshi, që, për nga shtrirja e ritmi, ruan strukturat themelore të shtatërrokëshit të krijimtarisë popullore gojore rumune, që i ka dhënë dorë autorit ta bëjë rrëfimin të plotë e tërheqës.

“Duke qenë se në qendër të veprimit autori ka vënë femrën shqiptare, si nënë të dhembshur, të ndershme e amvisë, si luftëtare dhe komandante trime e të zgjuar, kujdesin më të madh ia ka kushtuar zbërthimit psikologjik të kësaj figure. Me një vërtetësi e bukuri të rrallë, përshkruhen sidomos skenat e qëndresës së Nemisës e të Dorës në qeli. Vetë Sulltani, Mehmeti II, që ia ka ndjerë famën guximit e mençurisë së Dorës, i ndruhet ballafaqimit të hapur me armë në shesh të burrave, me forcat që ajo komandon. Por, edhe tani që e ka kapur Dorën me dredhi, detyrohet të pohojë se “kjo vajzë e re po na vë në lojë”. Ndërsa Nemisa, Vezirit të Madh, që mundohet t’i mbushë mendjen ta largojë të bijën nga rruga e luftës kundër otomanëve, i kthehet: “Më vrisni, më copëtoni, në daçi, menjëherë, por trimes së nënokes, që luftë bën me nder, i them: më fort mpreh shpatën, qëlloji pa mëshirë, të zhduket fara e keqe – Sulltani egërsirë!” Paskëtaj, Sulltan Mehmeti II, pikë e vrer, i zbrazet Vezirit: “Vërtet vdiq Skënderbeu, po pse kujtuam vallë, se fundi Shqipërisë i erdh; jo, mbeti gjallë!””. Përveçse ka krijuar një magjepsje poetike, si duket për shkrimtarin rumun kjo dramë ka shërbyer si një homazh për luftërat e popullit tonë për çlirimin e vet kombëtar e shoqëror dhe ndihmesën e çmuar që ka dhënë për lirinë e pavarësinë e popujve të tjerë të Ballkanit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si zbatohet Traktati i Lisbonës për daljen e Britanisë nga BE

Si parashikohet të kryhet procesi i gjatë dhe i vështirë i daljes...
Read More