Një fitore e PS pa opozitën në zgjedhje do të ishte e keqe për të gjithë

Nga Sonjel Nana

Zgjedhjet e rregullta me mazhorancën aktuale do të ishin një sinjal i fortë për të treguar se koha e mitingjeve ka marrë fund njëherë e mirë dhe nëse duam një realitet politik të shëndetshëm dhe dinjitoz, gjithë aktorët duhet të luajnë në rrugë institucionale. Përballja bëhet jo më me tubime, por me zgjedhje; jo më me bojkote por me ide, jo më në rrugë por atje ku e cakton ligji, shkruan Nana.

E ardhmja politike nuk ka qenë kurrë kaq e paqartë. Nga një anë kemi një pozitë e cila mbron me forcë të drejtën për të çuar deri në fund mandatin e vet qeverisës; nga ana tjetër, opozita e cila kërkon garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme (duke pretenduar se kjo qeveri e ka të pamundur t’i garantojë). Ky është një refren që është përsëritur rëndomtë në të shkuarën e politikës shqiptare, pra një qeveri që kërkon të mbahet pavarësisht ekseseve dhe një opozitë që kërkon zgjidhje ekstraligjore pa konsumuar deri në fund ato institucionale. Kemi hasur shpesh në historinë tashmë 27-vjeçare të pluralizmit tonë me mitingje, greva, bojkote komisionesh parlamentare, kërcënime për mospjesëmarrje në zgjedhje. Kjo të bën të mendosh se gjithë situata e tensionuar politike vjen si pasojë e papjekurisë së zakonshme të klasës sonë politike. Ajo çfarë e bën këtë situatë të veçantë është koha se kur po ndodh ky bojkot institucional. Pavarësisht se sa të ngrira kanë qenë pozicionet politike, me ardhjen e stinës zgjedhore palët kanë “shkrirë” nga qëndrimet ekstreme dhe minimalisht, nëse nuk ka pasur kompromis, ka pasur zgjedhje me pjesëmarrjen e gjithë aktorëve.

Siç e parashtrova në fjalinë e parë, e ardhmja politike është e paqarte dhe tërësisht e paparashikueshme, e vetmja gjë që na mbetet është të hedhim hipoteza. Pra le të hipotetizojmë që palët do të mbajnë të njëjtat qëndrime deri në fund. Zgjedhje do të ketë dhe opozita do të mungojë. Rezultati s ‘ka nevojë për hipotezë brenda hipotezës, një mazhorancë absolute, duke marrë të mirëqenë që së bashku me PD-në dhe aleatët e saj do bojkotojnë zgjedhjet edhe LSI me PDIU. Cilat do të ishin atributet e një mazhorance absolute? Në mungesë të një oponence politike natyrale, përveç arrogancës dhe korrupsionit, atributi kryesor do të ishte antipatia që ajo do të shfaqte në popull. Sepse duke cituar George Orwellin te “Ferma e Kafshëve”: Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Duke i shtuar edhe njollën e mungesës së opozitës historike, si dhe veprimet e kësaj të fundit jashtë parlamentit, do të flisnim sërish për histori mitingjesh e tubimesh. Rezultantja do të ishte një diktaturë apo gjysmëdiktaturë ose një situatë anarkike nëse blloku opozitar do të siguronte mbështetje të gjerë popullore.

A do t’i interesonte PS-së një mazhorancë e padiskutueshme në kushtet e destabilitetit? Nëse po për çfarë? Shpesh kemi dëgjuar kryeministrin tonë të thotë se kjo ka qenë qeveria apo koalicioni i reformave të mëdha. Në këto momente reforma e fundit e këtij mandati që ka mbetur ende në hava është ajo në drejtësi. Kjo qeveri, me vullnet apo në dukje, është investuar së tepërmi te kjo reformë, duke ua premtuar qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në kushtet e bojkotit opozitar reforma është e dënuar të dështojë. Kushtetuta e rifreskuar parashikon pjesëmarrjen e opozitës në komisione, duke hequr mundësinë e gjetjes së artificeve teknike ligjore për shmangien e këtij ngërçi (nëse ka të tilla), jemi në një rrugë pa krye për këtë reformë.

Kjo mazhorancë hipotetike e dalë prej zgjedhjeve të 18 qershorit, nëse nuk do të velej nga pushteti, do të kishte mundësi që t’i jepte fund historisë së mundimshme të kësaj reforme dhe të plotësonte borxhin e mandatit të kaluar. Kjo mund të bëhej duke u lënë oponencën partive si FRD apo LIBRA, ndonëse mbetet për t’u parë vullneti real i LSI dhe PDIU në mbështetje të bojkotit. Këto parti mund të luanin rolin që refuzon të mbajë opozita e sotme në komisionet e dedikuara për reformën në fjalë. Pastaj, me plotësimin e reformës, të lëshohej mandati dhe të ndërmerreshin zgjedhje të parakohshme për të normalizuar situatën politike në vend.

Sigurisht që me zhvillimet e fundit, këtu e kam fjalën për mbështetjen që i ka ofruar LSI gjithë iniciativës opozitare, ky skenar duket më pak i mundshëm. Brenda së majtës është krijuar një situatë absurde dhe gati surreale ku dy partitë bashkëqeverisëse dalin publikisht me kritika, vendime dhe propozime që bien ndesh me ato të aleatit strategjik që tanimë nuk duket dhe aq aleat. LSI po luan kartën e stabilitetit. Kjo do të thotë që Meta me të vetët është i gatshëm që për hir të stabilitetit të tanishëm të legjitimonte një histori bojkotesh, që detyrimisht do të përsëritej në të ardhmen. Përshtypja është që gjithë deklaratat në mbështetje të opozitës janë më tepër një blof paraelektoral për të rinegociuar një kontratë më të favorshme. Përndryshe nuk ka arsyet që LSI nuk e rrëzon qeverinë dhe të krijojë të ashtuquajturin kabinet të besimit me të cilin siguronte praninë e opozitës në zgjedhje.

Le të kujtojmë se janë modelet e suksesit ato që merren shembull dhe implementohen. Çadra opozitare do të ishte një shembull suksesi, se si duke bojkotuar institucionet dhe rrolin politik, një opozitë mund të shkaktojë paralizën e shtetit. Pra me këtë model do të kishim çadra të pafundme pas kujtdo iniciative të cilësdo qeverie që do të vinte në pushtet në të ardhmen. Kriza të pafundme politike të njëpasnjëshme, legjitime apo jo, që do të përsëriteshin në mënyrë ciklike dhe të vazhdueshme siç ka ndodhur për më shumë se çerek shekulli. Që të mos e kthejmë një precedent të rrezikshëm në një ligj të pashkruar opozitar, apo në një modus operandi për të marrë pushtetin me anë të bllokimit, duhet një zgjidhje.

Zgjedhjet e rregullta me mazhorancën aktuale do të ishin një sinjal i fortë për të treguar se koha e mitingjeve ka marrë fund njëherë e mire dhe nëse duam një realitet politik të shëndetshëm dhe dinjitoz gjithë aktorët duhet të luajnë në rrugë institucionale. Përballja bëhet jo më me tubime por me zgjedhje, jo më me bojkote por me ide, jo më në rrugë por atje ku e cakton ligji. Ky skenar do t’i garantonte kujtdo që do të ishte të ardhmen në pushtet, detyrimisht edhe PD-së, që të ketë pushtet të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Rrjedhimisht do të detyronte edhe opozitën e nesërme, detyrimisht PS-në, që të bëjë diçka që te ne ka munguar gjithnjë, një opozitë konstruktive.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shansi im i tretë brenda PS-së

A mund të kthehet demokracia në PS? A mund të kthehen zgjedhjet?...
Read More