Një garë e re armatimi në horizont…

Kongresi i Shteteve të Bashkuara synon të zhbëjë disa marrëveshje me Rusinë për kontrollin e armëve – çfarë reflekton gjendjen e rrezikshme të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës dhe kërcënimin nga një garë e re armatimi.

Në një seri dispozitash që i janë bashkëngjitur propozim-buxhetit për mbrojtjen për vitin 2018 – në vlerë prej 696 miliardë dollarësh – ligjvënësit e udhëhequr nga republikanët kanë vënë në shënjestër Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, si dhe traktatet Starti i Ri dhe Qiejt e Hapur.

Që të trija konsiderohen tejet të rëndësishme për kontrollin e armëve globale dhe lëvizja nga to sinjalizon ndryshim të mprehtë të politikës amerikane.

“Do të ishte një goditje e madhe mbi arkitekturën e kontrollit të armëve midis SHBA-së dhe Rusisë, e cila tashmë është e dëmtuar”, thotë Kingston Reif, analist në Shoqatën e Kontrollit të Armëve – grup kërkimor në Uashington.

“Këto masa do të minojnë sigurinë amerikane, duke shkatërruar stabilitetin midis dy fuqive më të mëdha bërthamore dhe duke rritur rrezikun e garës bërthamore”, thotë Reif.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë tensionuar gjatë dekadës së kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjerimin e NATO-s, mbrojtjes raketore të SHBA-së, pastaj demokratizimit dhe “revolucioneve me ngjyra” në ish-Bashkimin Sovjetik dhe, së voni, ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë dhe Siri.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë detyrën këtë vit duke lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin, dhe duke e cilësuar NATO-n si organizatë të vjetruar. Administrata e tij është ndjekur nga hetimet e Kongresit dhe të FBI-së për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe për bashkëpunimin e dyshuar të ekipit të Trumpit me zyrtarët rusë.

Në Moskë, zyrtarët rusë kanë parashikuar tashmë kalimin e dispozitave të reja, duke paralajmëruar për një garë të re armësh.

“Mendoj se do të jetë keq për secilin, sepse nxit përpjekjet për garë armësh dhe askush nuk mund ta fitojë atë”, thotë Vladimir Shamanov, kryesues i Komitetit të Mbrojtjes në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, transmeton agjencia RIA Novosti.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme mund të jetë nën rrezikun më të madh.

I nënshkruar nga liderët amerikanë dhe sovjetikë në vitin 1987, Traktati, për herë të parë, ka eliminuar një klasë të tërë raketash në Evropë.

Në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për zhvillimin e një rakete, në kundërshtim me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, edhe pse ekspertët e inteligjencës kanë thënë se sistemi ka qenë në zhvillim e sipër disa vite para Traktatit.

Uashingtoni ka përsëritur gjetjet e tij këtë vit, se Moska është duke shkelur Traktatin. Në muajin mars, gjenerali Paul Selba, nënkryetar i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së SHBA-së, i ka thënë Kongresit se Rusia ka nisur vendosjen e armëve. Ai ka thënë se kjo shkel “frymën dhe qëllimin” e Traktatit dhe se paraqet kërcënim për NATO-n.

“Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, sipas të gjitha gjasave, është një pakt i vdekur”, ka shkruar në një artikull, në muajin maj, James Acton, analist politik në Institutin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare.

Republikanët e Kongresit, për vite të tëra, kanë qenë të zemëruar dhe kanë akuzuar ish-presidentin Barack Obama për fshehje të informacioneve të inteligjencës mbi raketën e dyshuar të Rusisë.

Një dispozitë e përfshirë në propozim-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2018 thotë se nëse Rusia dështon të veprojë në përputhje me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme brenda 15 muajsh nga miratimi i ligjit, “SHBA nuk do të jetë më e detyruar ligjërisht ndaj Traktatit”.

Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, Ed Royce, i ka bashkëngjitur një amandament të veçantë ligjit të mbrojtjes, i cili do të ndëshkonte Rusinë me sanksione të reja, do t’i kufizonte asaj qasjen në teknologjinë për prodhimin e armëve të avancuara e të tjera.

Një amandament tjetër kufizon mundësinë e presidentit Trump për të vazhduar Traktatin Start, pasi të skadojë në vitin 2021, nëse administrata Trump nuk mund të vërtetojë se mosmarrëveshjet rreth Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme janë zgjidhur.

Moska, në anën tjetër, i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit. Ajo po ashtu ka akuzuar SHBA-në për vendosje të sistemeve të mbrojtjes raketore në Evropën lindore, duke thënë se sistemet e tilla shkelin Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme.

Propozim-buxheti për mbrojtje po ashtu nuk parasheh fonde për Traktatin e Qiejve të Hapur, një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2002, e cila i lejon SHBA-së dhe Rusisë, së bashku me 32 vende të tjera, të bëjnë flutruime mbikëqyrëse në territorin e njëri-tjetrit. Qëllim i saj është rritja e transparencës dhe zvogëlimi i rrezikut për keqinterpretime të veprimeve ushtarake të njëri-tjetrit.

Muajve të fundit, republikanët kanë thënë se Rusia është duke përdorur sensorë të rinj dhe të avancuar për të kryer fluturimet e saj në SHBA.

Shkruar Nga
More from Revista User

Lamtumirë solar, ja ilaçi që “imiton” dritën e diellit

Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një medikament të ri, i cili premton...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.