Një histori nga Dom Gjergj Meta: “Boll që vune kambën n’frena”

Te ura e Fanit, para pak ditësh, më nxorri një burrë dorën dhe u ndala ta marr në makinë.
“Faleminderit që më more” – pëshpëriti burri sapo u ul në sedilen e pasagjerit.
“Asgjë – i thashë – ku do të shkosh?”
“Deri në Lezhë” – u përgjigj.
“Unë do të shkoj për në Durrësë, – ia ktheva – por po të lë te mbikalimi i Milotit”
“S’ka problem. Mjaft asht deri aty, se mandej e gjej ndonji furgon a autobus për në Lezhë” – vazhdoi i qetë ai.

Filluam të pyeteshim siç është zakon ndër këto anë. Edhe pse nuk e njeh, por çdo njeri pyetet për shëndetin, familjen, jetën në përgjithësi, pa hyrë në shumë detaje. Meqë isha në makinën time në një farë mënyre isha zot shpie e më takonte mua të pyesja i pari. E ashtu bëra. Më pas më pyeti edhe ai. Pas një pauze të shkurtër e marr fjalën përsëri:
“Si e ke emrin?”
Më thotë emrin, që unë po ia vendos Gjon, për të ruajtur privatësinë e tij.
“Si të shkojnë hallet Gjon?”- e pyes.
“Po ça me të thanë zotni? Ja po shkoj në Lezhë të mbyll logarinë te Banka se më hoqën nga puna e nuk më duhet ma.”

“Po pse? Çfarë ndodhi?”
“Nuk e di. Na hoqën rreth 10 vetëve. Punojshim në një firmë private. Roje isha, por merrsha at rrogë të paktën. Gruan e kam me smundje të keqe, fmijët në shkollë e tash jam edhe pa punë …”
“Po si ia ban me jetu?”- i thashë?

Si duket kjo pyetje e preku, pasi më buzët që i dridheshin m’u përgjigj:
“Ja ashtu, me pak bagti mundohena me jetu. Asht ba jeta e vshtirë. Po përpiqena për ato fmijë. Edhe ilaçet për gruen kam vështirësi me i ble. Falë do kushrijve deri tash i kena ble në Itali, se jan ma të mira, por kushtojnë shumë atje. E baftë Zoti mirë, ça me thanë. Por kam nji fat Zotni: nuk kam ba kurrë fjalë me gruen teme e ja di për nder tan jetën time se më ka eduku fmijët. Kena shku mirë e kjo asht nji pasuni e madhe për mue”.

Si fshehurazi çoi dorën drejt syve për të fshirë ato pika lot që i rridhnin nëpër faqe. Unë e pashë me bisht të zyrit, por bëra sikur nuk e kisha mendjen.
Ndërkohë po i afroheshim Milotit e i thashë:
“Tash po të la këtu. Më vjen keq që nuk mundem me të çue deri në Lezhë”
“Mos e thuj at fjalë. Ti boll që vune kambën në frena për mue e unë të falenderoj shumë”.
E ndërsa ikja rrugës për Durrës mendova gjithë kohën se e mira, e bukura, fisnikëria shpesh fshihen brenda thjeshtësisë së shumë njerëzve e në këtë kohën tonë frenetike, që lëviz pa pushim, për t’i gjetur mjafton “me vu kambën në frena”.

Dom Gjergj Meta

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Zgjerim i BE-së në vitin 2025?” Gjermania kundër: Mos caktoni data, bëni punët

  Ministrat e Brendshëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian miratuan...
Read More