Një kamerdare nga Italia

Raporti i Guardia di Finanza mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri dhe gjysmësuksesi që vlen për imazh. Niveli i ulët i kultivimit të kanabisit për vitin 2017, përballë mallit stok të një viti më parë.

Cilët janë të paprekshmit që duhen goditur dhe a po i “vishet” kanabizimi ish-ministrit Tahiri?

Nga Sebi Alla

Skenari është i njëjtë, protagonistët ndryshojnë, por imazhi që fitohet vlen më shumë sesa tonelatat e drogës që shkuan lumë në detin italian. Raporti i Guardia di Finanza mbi kanabisin në Shqipëri, si çdo vit u publikua në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Përtej shifrave inkurajuese, detajet tregonin situatën e vërtetë që solli kanabizimi i vendit në vitin 2016. Në vend të Tahirit, ishte i ulur diku nga mesi i sallës ministri i ri (por i vjetër në politikë) Fatmir Xhafaj dhe në krahun e tij të djathtë qëndronte ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti, më pas ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin.

Në fjalët e mbajtura nga ushtarakët madhorë të Guardia di Finanza, përtej falënderimeve dhe shpresës se kanabisi këtë vit nuk po ngrinte krye, qëndronte edhe frika e fuqizimit të grupeve kriminale të trafikut të narkotikëve. Një vit më parë protagonist në “show” ishte Saimir Tahiri, që edhe në kulmin e zhytjes në kanabis, jepte e merrte shifra suksesi. Ai sot mban mbi supe katër akuza të rënda të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik. Mirëpo politika e di dhe e do shfaqjen, pasi përtej së vërtetës vlen imazhi dhe dje ai nuk ishte aspak i keq për qeverinë. Homologët italianë këmbëngulnin se lufta kundër drogës sa vjen dhe intensifikohet dhe kjo konstatohet lehtë nga sasia e kultivuar mjaft e ulët krahasuar me 2016-ën. Shumë pikëpyetje ngrihen mbi raportin e Guardia di Finanza, pasi edhe vitin e shkuar e quajti sukses luftën kundër drogës, por ajo që u pa pas vjeljes së “boçeve çudibërëse” mund të konsiderohet sukses i padiskutueshëm…, por vetëm për grupet kriminale të narkotrafikut.

Ajo që sheh Guardia…

Më në vështirësi nga droga shqiptare u gjet pala italiane, e cila u detyrua që në kohë të ndryshme të bllokonte tonelata me kanabis që pushtuan brigjet e vendit fqinj. Qindra operacione detare, në port dhe në rrugë tokësore regjistroi për vitin 2016 policia italiane. Komandanti i Përgjithshëm i Guarda di Finanza, Georgio Toschi, deklaroi se gjatë vitit 2017 janë sekuestruar 66% më shumë lëndë narkotike se në vitin 2016, duke kapur shifrën e mbi 33 tonelata drogë. Ky bollëk kanabisi është tregues se kontrolli i territorit në Shqipëri për vitin e kaluar ishte në duart e kultivuesve dhe trafikantëve. Një vit për t’u harruar nga qeveria shqiptare, por hija e saj nuk zhduket lehtë, as nga efekti kohë, kjo duke marrë në konsideratë injorimit që iu bë fenomenit nga kryeministri apo ministri i Brendshëm. Mjaft interesante janë shifrat e raportit të bërë publik ditën e djeshme.

“Monitorimi është kryer për periudhën 15 maj deri më 15 shtator 2017 dhe Guardia di Finanza ka kryer mbi 129 orë fluturime, ku u identifikuan 88 plantacione për një total 4844 rrënjë dhe asgjësimin e tyre në masën 100%”, -tha Stefano Screpanti, shef i repartit të 3 të Guardia di Finanza. Në fundin e fjalës së tij pati duartrokitje në sallë dhe ministri Xhafaj shfaqej si gjysmë i gëzuar. Mund të marrë atributet se nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga ana e tij jo vetëm u sekuestrua një sasi e madhe kanabisi i gatshëm për t’u hedhur në treg, por minimizoi kultivimin e ri.

Nga ana tjetër e ka të qartë se situata politike aktuale nuk është aq e favorshme, pasi paraardhësi i tij që militon po nga radhët e PS-së, po përballet me akuza mjaft të rënda dhe për më tepër ka lënë pas e gjithë qeveria Rama bilancin famëkeq të kanabizimit të vendit. Raporti i Guardia di Finanza në këtë kohë është një “kamerdare shpëtimi” për qeverinë në detin e trazuar të narkotrafikut. “Në vitin 2016 u konstatua një rritje e ndjeshme e kultivimit të kanabisit, nga euforia dhe paaftësia e strukturave tona, apo sofistikimi i krimit, kjo mbetet për t’u analizuar, por dëmi ishte i madh dhe shumëplanësh”, -tha Xhafaj. Sipas tij, në këtë sipërmarrje u gënjyen shumë fermerë të pafajshëm por më rëndë ishte implikimi i drejtuesve të policisë. “U përfshinë në një mënyrë ose tjetër disa oficerë policie, disa ishin të paaftë, shumë të tjerë heshtën nga shpërblimi ose frika”, -tha ai.

Nuk është e para herë që Xhafaj kritikon punën e policisë dhe indirekt edhe ish-ministrin Saimir Tahiri në lidhje me problematikën e madhe të drogës në vitin 2016. Edhe para homologut italian nuk hezitoi të tregonte se ishin bërë gabime në të shkuarën, duke lënë të kuptohej se duhet një erë e re në mënyrën si do funksionojë policia e shtetit. Ndërsa ministri i Brendshëm italian Marco Minniti e vlerësoi bashkëpunimin në monitorimin ajror për të luftuar kultivimin e kanabisit, por shkoi më tej duke kërkuar që duhet të goditen të paprekshmit. “Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Duhet të godasim të paprekshmit, sepse në Europë, Itali, Shqipëri nuk ka të paprekshëm. Ky është objektivi i rëndësishëm për të cilin duhet të punojmë së bashku”, -tha Minniti. Nga ana e tij Xhafaj u ndal në luftën kundër kanabisit, veçanërisht që nga momenti që ai mori detyrën në mars të këtij viti. “Raporti i monitorimit ajror i Guardia di Finanza tregon se parcelat e kanabisit janë reduktuar. Ne ia dolëm në këtë fazë të parë të këtij procesi. Me rezultatin e këtij viti kemi hedhur hap përpara dhe është vetëm një stacion në luftën tonë”, deklaroi Xhafaj, ndërsa shtoi se: “beteja vazhdon edhe më e fortë, tashmë edhe me ata që e kanë financuar dhe organizuar këtë biznes kriminal, me grupet kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit”.

Dështimi po i vishet Tahirit

Në janar të vitit 2017 kryeministri Edi Rama prezantoi projektin e një Task-Force kundër kanabisit, që përfshinte shumë institucione, nga policia deri në përfaqësuesit e pushtetit lokal, ushtria apo specialistë të Ministrisë së Mjedisit. Në fillim u duk sikur kjo nismë nuk ishte gjë tjetër përveç një tentativë për të mbuluar tonelatat me drogë që kapeshin orë pas ore, kryesisht nga policia italiane dhe ajo greke. Duke iu referuar po të dhënave të Guardia di Finanza, një vit më parë u deklarua se u zbuluan 2086 plantacione me një total prej 753 468 rrënjë kanabis dhe asgjësimi u krye në masën 99.8%. Kjo bëri bujë pasi Guardia deklaronte se ishte asgjësuar një sasi e madhe kanabisi pavarësisht se zbarkuan tonelata me drogë në vijim.

Por ky vit është ndryshe. Pranohet nga shumë faktorë, madje edhe nga opozita, se për periudhën maj-shtator 2017 ka rënie të ndjeshme të kultivimit të kanabisit. Po pse erdhi kjo tkurrje? Mbetet një grup faktorësh, por më kryesorja është mbiprodhimi i vitit 2016, mungesa e tregut të shitjes, çmimet e ulëta të dorës së parë, por edhe masave që u morën nga policia. Nuk mund të injorohet fakti që menjëherë pasi Xhafaj mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtuesve të policisë në qarqet e vendit, veçanërisht në zonat problematike si Vlora, Shkodra, Gjirokastra dhe Durrësi. Njohësi i mirë i çështjeve ligjore Fatmir Xhafaj po i bënte “vend vetes” sidomos për angazhimin në lidhje me Reformën në Drejtësi.

Kryeministri i besoi postin e rëndësishëm pasi në situatën e krijuar kishte dalë “boje” mburrja në shfaqjen e policëve me veshje të rregullta dhe operacione që shërbenin më shumë për imazhin sesa thelbin. Problem duhej kapur nga kreu dhe Xhafaj aty e nisi, pa bujë, me shumë pak dalje publike, por i vendosur për të bërë ndryshim. Në ikje Tahiri u përcoll me mirënjohje nga një pjesë e mirë e strukturave të rendit, por kryeministri kishte të tjera probleme Brenda dhe jashtë vendit. Ndërkombëtarët ia kishin bërë të qartë se lufta kundër drogës ishte kusht për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në BE, ndërsa opozita denonconte çdo ditë implikimin e zyrtarëve të lartë në trafikun e narkotikëve. Nëse do të shihen me kujdes deklaratat e Ramës pas shkarkimit të Tahirit, konstatohet gjithnjë e më shumë distancim. Në fillim deklaroi se e lëvizi në detyrë duke i dhënë kohë që të merrej me fushatën elektorale, pasi kishte përgjegjësi të mëdha si Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.

Dhe Tahiri e bëri më së miri këtë detyrë, sepse i dha “peshqesh” 18 deputetë për qarkun e Tiranës. Ish-ministri në biseda me bashkëpunëtorë ishte shprehur se kishte besim se Rama do e përzgjidhte sërish në kabinetin e ri qeveritar, madje u përfol se mund të ishte në krye të një ministrie të re. Rama ruajti shumë ministra nga kabineti i parë, por refuzoi të risillte në qeveri Tahirin, Beqajn apo Kodhelin. Çështja e kanabizimit rëndonte ende, për më shumë që u prek imazhi (aq i dëshiruar nga kryeministri).

Distancimi ndaj Tahirit sa vinte e bëhej më i thellë, por “largimi” përfundimtar ndaj tij u bë menjëherë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali dhe kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Shqiptare për arrestimin e ish-ministrit. Për të rregulluar imazhin ka një lëvizje të dukshme në radhët e policisë së shtetit. Shumë drejtues të lartë policie, bashkëpunëtorë të Tahirit, janë veçuar tërësisht, disa të tjerë janë liruar nga detyra dhe akoma më rëndë mund edhe të procedohen penalisht pikërisht për faktin se lejuan që në territorin që administroheshin të kultivohej sasi e madhe kanabisi. Basti i vërtetë nëse projekti kombëtar anti-kanabis do të funksionojë ose jo është për vitin 2018, kur nuk do të ketë më stoqe droge të gatshme, që çmimi mund të rritet dhe trafikantët do jenë gjithnjë të etur për pasurimin e shpejtë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama përkujton Shote Galicën: Kur u nda nga kjo jetë, kishte hyrë e gjallë në legjendë

Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij në Facebook Amarcord, përkujtoi Shote...
Read More