Një këshillë për një fushatë të mbaruar

Julian ZylaKomunikimi politik nga A në Zh 

Nga Julian Zyla 

Pluhuri pas betejës së Dibrës nuk është ulur ende. Por cila mund të ishte një strategji që mund t’i kishte dhënë një rezultat më të mirë batalionit të djathtë? Përgjigja ka një emër të përveçëm: Shukri Xhelili. PD nuk e shfrytëzoi sa duhet vrimën politike që z. Xhelili i shkaktoi Partisë Socialiste në Dibër.

Gjatë fillimit të fushatës për zgjedhjet paraprake në Shtetet e Bashkuara, kur Donald Trump nuk shihej ende si një kandidat pretendent për emërimin e Partisë Republikane, fushata e Hillary Clinton-it kërkoi të shfrytëzonte momentin duke e lidhur partinë kundërshtare dhe gjithë kandidatët e saj me deklaratat kontroverse të z. Trump.

Demokratët e së majtës amerikane i vunë vetes një synim: Partia Republikane të shihej si partia e Donald Trump. Kështu mendonin të dëmtonin këdo kandidat që do të mund të zgjidhej për të garuar kundër znj. Clinton. Ata donin të shfrytëzonin në maksimum kartën Trump. A e shfrytëzoi PD në maksimum kartën Xhelili?

Po të shihej fushata në Dibër në të dy krahët, dukej sikur ishin zgjedhje normale. Dy kandidatë përballë njëri-tjetrit shpalosën platformat e tyre. Partitë shkëmbyen akuzat e rastit… Kështu, harruam përse u bënë këto zgjedhje. Harruam skandalin, që, me të drejtë, mund të ketë qenë makthi i PS, përpara fushatës.

Partia Demokratike, përkrah premtimeve elektorale të kandidatit të saj, nuk duhet të kishte garuar kundër Muharrem Ramës, apo Edi Ramës. Gara duhej të ishte kundër “Shukri Xhelilit, dhe partisë së tij”.

Një mesazh politik i ndërtuar rreth kësaj teme nuk do të mund të funksiononte në rang kombëtar. Ndërsa në Dibër, ku imazhi i ish-kryebashkiakut ishte jo vetëm negativ, por ndoshta edhe subjekt sikleti lokal, ky mesazh i përqendruar do të kishte dhënë fryte.

Kjo lëvizje do të mund të cilësohej e ulët politikisht dhe ndoshta do të kishte qenë. Gjithashtu, disa e shohin z. Xhelili si viktimën e një kurthi të ngritur ndaj tij. Por, pa u ndalur te e vërteta e këtij rasti, mesazhi politik i ndërtuar rreth imazhit të tij të dobët si pjesë e Partisë Socialiste do të mund të kishte qenë një çelës drejt fitores së z. Shehu.

Ka disa elemente që kjo strategji do të përmbushte: Është e thjeshtë. Do të ishte e përqendruar, që do të garantonte që në fund të mbahej mend diçka. Është e vështirë për t’u kundërshtuar. Do të ishte emocionale, pavarësisht nëse reagimet do të ishin pro apo kundër kësaj lëvizjeje politike.

Thjeshtësia është një karakteristikë shpesh e nënvlerësuar. Në politikë, ajo jep mundësinë të komunikosh me një publik sa më të gjerë. Politikat e ndërlikuara mund të jenë çelës për zhvillimin e një vendi, por jo për fitimin e zgjedhjeve. “Le të votojmë kundër Shukri Xhelilit dhe Partisë së tij” do të ishte më efektive.

Të qenit të përqendruar i përgjigjet një kërkese themelore në fushata: Çfarë dëshiron që njerëzit të mbajnë mend nga ajo që thua? Nëse thuhen shumë gjëra rrezikohet të mos mbahet mend asnjë. Nëse thua që e gjithë Partia Republikane është partia e Donald Trump apo gjëra të tilla të thjeshta, duke i përsëritur, rezultati mund të jetë shumë herë më i mirë.

Akuzat nuk janë asnjëherë të thjeshta për t’u kundërshtuar. Edhe kur ia del me sukses, shpesh, ke humbur mundësinë të komunikosh aspektet pozitive të platformës që ke përgatitur. PD e akuzoi për shumë gjëra Partinë Socialiste. Pra akuzat nuk munguan. Por, në Dibër, brand-i Xhelili mund të kishte qenë më i dëmshëm se hashashi për koalicionin e mazhorancës.

Një skandal personal garanton gjithmonë reagime emocionale. Reagimet emocionale garantojnë veprim. Të votuarit është një veprim. Si i tillë, kërkon të nxitet me anë të emocionit. Cilado të ishin reagimet ndaj Shukri Xhelilit si qendër e fushatës, do të ishin minimumi emocionale. Dhe një terren i tillë nuk do të kishte qenë pa vlera politike për PD.

Natyrisht, kjo nuk është autopsia e vetme e betejës së Dibrës për Partinë Demokratike. Arsyet mund të kenë qenë të shumta dhe mund të kenë kaluar fushën e komunikimit. Por, një sulm i tillë nga gjeneralët demokratë do të kishte qenë një tentativë që mund të kishte vënë në vështirësi kundërshtarin politik. Kështu, Partia Socialiste arriti të shëronte në kohë imazhin e vetë në bastionin e fituar prej pak kohësh.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Tentoi të vrasë gjakësin me snajper brenda burgut, qëlloi gabimisht tjetrin

Policia arreston Ergys Kolaverin si të dyshuar për plagosjen e ndodhur brenda...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.