Një komedi muzikore për të moshuarit “heronj”…

Një film artistik me metrazh të plotë ka bashkuar yje të kinematografisë. Tinka Kurti, Ema Andrea, Gazmend Paja, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, si dhe emra të njohur janë bërë pjesë e filmit ‘Yjet e së ardhmes’. Komedia romantike muzikore nga regjisori Edmond Topi do jetë në të gjitha kinematë e vendit që nga data 14 dhjetor

Një dështak në kërkim të suksesit, një zanë e mirë, ca të shkuara në kërkim të së ardhmes… Sfidojnë rregullat, moshën, vdekjen…këto janë fjalët në trajlerin e filmit “Yjet e së ardhmes” që pritet të shfaqet prej kësaj jave në të gjitha kinematë e vendit. Një film artistik me metrazh të plotë ka bashkuar yje të kinematografisë. Tinka Kurti, Ema Andrea, Gazmend Paja, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, si dhe emra të njohur janë bërë pjesë e filmit ‘Yjet e së ardhmes’. Komedia romantike muzikore nga regjisori Edmond Topi prek një anë sociale, ku shqiptarët ndihen të errët e të ashpër për të ngritur një botë shpirtërore. Skenari i Uli Bree, përshtatur për publikun shqiptar nga vetë regjisori, ka në fokus moshën e tretë dhe marrëdhëniet e shoqërisë me të, konkretizuar me brezin e tretë të atyre artistëve, që si pasojë e tranzicionit u lanë jashtë kujdesit të shoqërisë, e pothuaj të harruar.

Konsulente artistike dr. Mirela Oktrova pohon se ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive pavarësisht aftësive. “Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e pazhvilluar, ka vuajtur dhe vuan nga sindroma e pamundësisë së realizimit të ëndrrave. Prapambetja shekullore, kodi zakonor, varfëria e më pas sistemi i çmendur autokratik bërë që miliona njerëz të mos kishin mundësinë të realizoheshin në jetë. Ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive pavarësisht aftësive”, thotë Oktrova. Me mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensiv për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. “Filmi tenton të sjellë krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojnë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, do të tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë edhe optimiste. I konceptuar si një komedi muzikore romantike, filmi kombinon karakterin sensibilizues me atë argëtues”, shkon më tej, Mirela Oktrova. I menduar si një komedi muzikore romantike, filmi është sa argëtues aq edhe tërheq në ndjeshmëri. Ai është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Tiranë. Sinopsi i filmit: Robi (40 vjeç) është një artist i “pashpërthyer” ende. Prej vitesh bën muzikë, por akoma nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s’shkon sipas planit: sherrosja në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu… . Kur pas shumë vështirësish, gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën, të cilën prej kohësh e “torturon” përnatë me muzikën tij. Toleranca dhe temperamenti prej artisti e miqësojnë shpejt me të moshuarit, të cilëve iu rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afrojnë me vajzën, e cila zë ta njohë nga një plan tjetër. Po puna është e lodhshme dhe me orë të zgjatura – mungesat e shpeshta bëjnë, që formacioni i tij ta zëvendësojë me një kitarist tjetër. Tentativa e tij për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje, drejtoresha e largon nga puna dhe njofton gjykatën.

Pa formacion dhe me një këmbë në burg, i duket se ëndrra u gropos përfundimisht, pavarësisht dashurisë me vajzën, derisa “miqtë“ e tij të moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta. Sado e çmendur në fillim, ideja funksionon: ata arrijë të ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikëqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi” dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit “heronj”, të zgjedhurit e publikut dhe të rinjve…, pavarësisht moshës dhe të papriturave, që ajo “ruan” për ta.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kadare, bota tragjike e një autori. Në mes maktheve dhe lajkatarëve të regjimit

Sot në mbrëmje, në një ceremoni të organizuar në distileritë Nonino Di...
Read More